Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, priti në takim shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, z. Frank Power.
Në takimin e përbashkët ndër të tjera u diskutua për vazhdimin e mbështetjes që Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë i ka ofruar Gjykatës Kushtetuese deri më tani, veçanërisht në trajnimet profesionale përkitazi me zbatimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe përafrimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës me atë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kryetarja Caka – Nimani dhe z. Power në vazhdim shkëmbyen pikëpamjet e tyre edhe rreth objektivave të rëndësisë parësore për forcimin e gjyqësorit të pavarur në vend, duke vënë theksin në rëndësinë e përmirësimit të komunikimit me publikun dhe rritjen e transparencës në punë.