Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit Nr.11/111 të Qeverisë së Republikës së Kosovës të 19 korrikut 2019

Nr. të lëndës KI 211/19

Parashtruesit: Hashim Gashi, Selajdin Isufi, B.K., H.Z., M.H., R.S., R.E., S.O., S.H., H.I., N.S., S.I., dhe S.R.

Shkarko:

KI211/19, Parashtrues: Hashim Gashi, Selajdin Isufi, B.K., H.Z., M.H., R.S., R.E., S.O., S.H., H.I., N.S., S.I., dhe S.R.; Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit Nr.11/111 të Qeverisë së Republikës së Kosovës të 19 korrikut 2019

KI211/19, Aktvendim për papranueshmëri i 11. nëntorit 2020, publikuar më 16 dhjetor 2020.

Fjalët kyç: kërkesë individuale, mos-shterrim i mjeteve juridike  

Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me privatizimin e Ndërmarrjes N.Sh. KBI “Agrokultura” në Gjilan dhe të drejtat respektive të punëtorëve siç është përcaktuar në legjislacionin e aplikueshëm. Parashtruesëve të kërkesës iu ishin njohur këto të drejta, sepse të njëjtit ishin pjesë e Listës Përfundimtare të punëtorëve të cilët i kishin plotësuar kushtet për marrjen e një pjese të të hyrave, përkatësisht njëzet përqind (20%) nga privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjes së lartcekur. Megjithatë, pas miratimit të Ligjit nr.04/L-144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës në vitin 2012, komunave u ishte mundësuar që në emër të interesit publik, të kërkojnë kthimin e pronës së paluajtshme, duke përfshirë edhe tokat e ish-Ndërmarrjeve Shoqërore. Bazuar në këtë ligj, Qeveria nxori një numër të caktuar të vendimeve për kthimin e pronave shoqërore komunave, e të cilat ishin nën menaxhimin e AKP-së. Ndër to ishte dhe Vendimi [Nr.05/55] përmes të cilit ishte miratuar kërkesa e Komunës së Gjilanit për tërheqjen nga procesi i privatizimit i ndërmarrjes së lartcekur me qëllim të realizimit të interesit publik, përkatësisht “për sigurimin e lokacionit për Varrezat e Qytetit”. Vendimet e Qeverisë të nxjerra për këtë kontekst, ishin kontestuar edhe nga Presidenti i Republikës para Gjykatës përmes rastit KO181/18. Si pasojë e kontestimit të kushtetutshmërisë së këtyre vendimeve para Gjykatës, Qeveria fillimisht pezulloi të njëjtat, ndërsa, pasi Gjykata përmes Aktvendimit për papranueshmëri në rastin KO181/18, e shpalli të papranueshme kërkesën e Presidentit, Qeveria përmes Vendimit [Nr. 11/111] vendosi për heqjen e pezullimit, duke lënë fuqi për pasojë, ndër tjerash, vendimet përkatëse, duke përfshirë vendimin përmes të cilit komunës së Gjilanit i ishte kthyer pjesa përkatëse e Ndërmarrjes N.Sh. KBI “Agrokultura”. Këtë Vendim, parashtruesit e kërkesës e kontestojnë para Gjykatës, duke pretenduar se i njëjti është nxjerrë në kundërshtim me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 159 [Pronat dhe Ndërmarrjet në Pronësi Shoqërore] të Kushtetutës. Parashtruesit e kërkesës në esencë pretendojnë se në kundërshtim me nenet e lartcekura, tërheqja nga privatizimi i ndërmarrjes, në mënyrë të drejtpërdrejtë afekton të drejtat e tyre për përfitim nga 20% e ndërmarrjes përkatëse. Parashtruesit e kërkesës gjithashtu theksojnë se i janë drejtuar Gjykatës në mënyrë të drejtpërdrejtë sepse ligji i aplikueshëm, nuk u mundëson mjet efektiv juridik, për të kontestuar vendimin përkatës të Qeverisë në gjykatat e rregullta.

Gjykata trajtoj pranueshmërinë e kësaj kërkese në dy pjesë, sepse përfaqësuesi i palëve para Gjykatës, kishte dorëzuar autorizimet për përfaqësim vetëm për Hashim Gashin dhe Selajdin Isufin, ndërsa nuk kishte dorëzuar të njëjtat për B.K., H.Z., M.H., R.S., R.E., S.O., S.H., H.I., N.S., S.I., dhe S.R. Përkitazi me këta të fundit, përkatësisht B.K., H.Z., M.H., R.S., R.E., S.O., S.H., H.I., N.S., S.I., dhe S.R., duke marrë parasysh që Gjykata dy herë kishte kërkuar dorëzimin e autorizimeve përkatëse, pa sukses, bazuar në rregullin 35 (5) të Rregullores së punës, refuzoi kërkesën e tyre me procedurë të shkurtër. Ndërsa, përkitazi me parashtruesit Hashim Gashi dhe Selajdin Isufi, Gjykata në vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës, fillimisht u fokusua në shterimin e mjeteve juridike, siç kërkohet përmes paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, 47 të Ligjit dhe rregullit 39.1.b të Rregullores së punës. Në këtë kontekst, Gjykata (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me konceptin e shterimit të mjeteve juridike; dhe më pas, (ii) aplikoi këto parime në rrethanat e rastit konkret. Gjykata shqyrtoi secilin pretendim të parashtruesëve të kërkesës për mungesë të mjeteve juridike veç e veç, dhe në fund, konstatoi se përderisa, bazuar në praktikën e Gjykatës dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përjashtimet nga detyrimi për shterimin e mjeteve juridike janë të mundëshme, të njëjtat duhet të jenë të kufizuara dhe të kushtëzuara në argumentimin jo të bazuar në “dyshime të thjeshta” të një parashtruesi/e të kërkesës, se në rrethanat e tij/saj, mjetet juridike ose nuk ekzistojnë ose (i) nuk janë “mjaftueshëm të sigurta jo vetëm në teori, por edhe në praktikë” sepse nuk “ofrojnë zgjidhje përkitazi me pretendimet e një parashtruesi” ose nuk “ofrojnë mundësi të arsyeshme për sukses”; dhe (ii) nuk janë në “dispozicion, të qasshme dhe efektive”, gjithnjë duke argumentuar gjithashtu se parashtruesi përkatës “ka bërë gjithçka që mund të pritet në mënyrë të arsyeshme nga ai që të shterojë mjetet juridike”. Bazuar në të gjitha sqarimet e shtjelluara në këtë Aktvendim, Gjykata konsideron, se në rrethanat e rastit konkret, ky nuk është rasti.

Prandaj dhe përfundimisht, duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesit e kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ata, Gjykata, duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konstatoi se parashtruesit e kërkesës nuk i plotësojnë kriteret e pranueshmërisë pasi që nuk i kanë shteruar mjetet juridike, siç është përcaktuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës, dhe si e tillë, kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme.

Parashtruesit:

Hashim Gashi, Selajdin Isufi, B.K., H.Z., M.H., R.S., R.E., S.O., S.H., H.I., N.S., S.I., dhe S.R.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri