Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së mospërmbarimit të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë [A. nr. 870/2016] të 20 shkurtit 2018 në lidhje me vendimin e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport nr. 29/2018 të 11 prillit 2018

Nr. të lëndës KI 37/19

Parashtruesit: Federata e Taekwondo e Kosovës

Shkarko:

KI37/19, Parashtrues: Federata e Taekwondo e Kosovës, Vlerësim i kushtetutshmërisë së mospërmbarimit të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë [A. nr. 870/2016] të 20 shkurtit 2018 në lidhje me vendimin nr. 29/2018 të 11 prillit 2018 të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport 

KI37/19, Aktvendim për Papranueshmëri i 11 dhjetorit 2019, publikuar më 10 janar 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, mosshterje e mjeteve juridike

Parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) një kërkesë duke kërkuar licencimin e Federatës së Taekwondo-së, dhe MKRS nuk i kishte kthyer përgjigje. Për shkak të heshtjes nga ana e MKRS, parashtruesi i kërkesës kishte inicuar padi në gjykatat e rregullta. Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit vendosi që të detyrojë MKRS që në afat prej 30 ditësh, të merr aktvendim sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës.

Rrjedhimisht, Komisioni përkatës i MKRS-së rekomandoi licencimin e parashtruesit të kërkesës dhe më 11 prill 2018, MKRS lëshoi licencën me numër [29/2018] me të cilën e licencoi parashtruesin e kërkesës (Federatën e Taekwondo-së të Kosovës) që në vitin 2018-2020 të zhvillojë veprimtarinë e saj.

Parashtruesi i kërkesës i pakënaqur me veprimet e MKRS, parashtroi ankesë tek kjo e fundit me anë të së cilës inter alia pretendoi shkelje të neneve 3, 46 dhe 49 të Kushtetutës duke theksuar se edhe pse është pranuar licenca “asnjë e drejtë që buron nga ky dokument nuk i është njohur as [parashtruesit të kërkesës] si federatë, por as përfaqësuesve zyrtar të saj”.

Parashtruesi i kërkesës, rrjedhimisht kontestoi pranë Gjykatës Kushtetuese mospërmbarimin e Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë [A.nr.870/2016] të 20 shkurtit 2018, në lidhje me vendimin [nr.29/2018] të 11 prillit 2018 të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport.

Në thelb, pretendimet e parashtruesit të kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese, ndaheshin në dy kategori i) shkeljet e pretenduara të neneve 3, 24, 31, 46 dhe 49 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së për mospërmbarim të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë [A. nr. 870/2016] të 20 shkurtit 2018, ii) shkelje të pretenduara të të drejtave të tjera, të cilat parashtruesi i kërkesës konsideron se i takojnë me vendimin Nr. 29/2018 të 11 prillit 2018 të MKRS-së, si një subjekt i licencuar në kohën e marrjes së licencës.

Gjykata Kushtetuese pas shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës vendosi si në vijim:

  1. Lidhur me kategorinë e parë të pretendimeve që ndërlidhen me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë [A. nr. 870/2016] të 20 shkurtit 2018, vendosi se duhet të refuzohen si qartazi të pabazuara në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
  2. Lidhur me kategorinë e dytë të pretendimeve lidhur me të drejtat që parashtruesi i kërkesës pretendon se i takojnë me marrjen e licencës, duhet të refuzohen për shkak të mosshterimit të të gjitha mjeteve juridike, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit, si dhe rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës.
Parashtruesit:

Federata e Taekwondo e Kosovës

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative