Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac. nr. 6365/22], të 3 shkurtit 2023

Nr. të lëndës KI98/23

Parashtruesit: Hasan Isafi dhe Muharrem Isafi

Shkarko:

KI98/23, Parashtrues: Hasan Isafi dhe Muharrem Isafi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac. nr. 6365/22], të 3 shkurtit 2023

KI98/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 14 shkurtit 2024, publikuar më 22 mars 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar

Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata Komunale në Gjakovë përmes Aktgjykimit [C. nr. 43/07] vendosi sipas padisë së H. I. nga fshati Bec, kundër parashtruesve të kërkesës, me të cilin vërtetohet e drejta e servitutit të H. I. në paluajtshmërinë e caktuar. Prona gjendet në ngastrën shërbyese nr. 245/11 KK Bec, me fillim nga rruga publike që është e regjistruar si ngastër kadastrale nr. 247 KK Bec. Aktgjykimi i Gjykatës Komunale në Gjakovë është bërë i plotfuqishëm pas hedhjes poshtë të kërkesës nga ana e Gjykatës së Qarkut në Pejë, si të palejuar për shkak se ka shkaktuar shumën e vogël të kontestit. Ndërkohë, parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë kundër parregullsive me rastin e kryerjes së përmbarimit, nga përmbaruesi privat Gëzim Gjoshi, me seli në Gjakovë, lidhur me lëndën përmbarimore [P. nr. 558/21]. Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PPP. nr. 80/2022], duke u bazuar në nenin 73 dhe 79 të Ligjit nr. 04/l-139 për Procedurën Përmbarimore (në tekstin e mëtejmë: LPP) hodhi poshtë si të paafatshme ankesën e paraqitur. Ndërsa, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac. nr. 6365/22], refuzoi ankesën e parashtruesve si të pabazuar dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore, me vlerësimin se i njëjti nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182. 2, pika (b), (g),( j), (k) dhe (m) e LPK-së dhe se e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë.

Gjykata vëren se pretendimet kryesore të parashtruesve të kërkesës në thelb kanë të bëjnë me (i) shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe (ii) shkeljen e të drejtave pronësore, me arsyetimin se gjykatat e rregullta përmes vendimeve të tyre, duke refuzuar ankesën e parashtruesve të kërkesës si të pabazuar lidhur me parregullsitë në procedurën përmbarimore, kanë shkelur të drejtat e tyre kushtetuese të garantuar me nenin 24, 31 dhe 46 të Kushtetutës. Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës argumentojnë se vendimet e gjykatave të rregullta janë në kundërshtim me nenin 79 të LPP-së, duke bazuar pretendimet e tyre në një shkallë të caktuar të interpretimit dhe aplikimit të këtij neni. Parashtruesit e kërkesës theksojnë se çështja e tyre është e lidhur me procedurat e përmbarimit, specifikisht në lidhje me afatin kohor për të ushtruar ankesën.

Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës pretendimet e tyre i mbështesin në arsyetimin se këto aktvendime dhe njoftimi janë në kundërshtim me nenin 79, paragrafi 1 të LPP-së, duke vënë në dukje se afati 7-ditor për ushtrimin e ankesës fillon nga momenti kur palët kanë njohuri për parregullsitë dhe jo nga momenti kur është ndërmarrë veprimi. Në këtë aspekt, parashtruesit pretendojnë se ky argument shtrihet edhe në faktin se ata kanë ushtruar ankesën tek përmbaruesi privat pas dorëzimit të ftesës PP. m. 558/21, e 13 majit 2022, duke e bërë këtë brenda afatit prej 7 ditësh.

Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës nuk kanë respektuar afatin prej 7 ditësh, siç është paraparë nga nenin 79 i Ligjit të Procedurës Përmbarimore (LPP). Ky mosrespektim i afatit ka ndikuar në vlerësimin e rastit, duke shkaktuar pengesa procedurale në trajtimin pretendimeve të tyre nga gjykatat e rregullta. Mungesa e respektimit të afatit ligjor ka sjellë pasoja juridike në epilogun e rastit të tyre, duke kufizuar gjykatat në vlerësimin dhe shqyrtimin e pretendimeve sipas kritereve të përcaktuara në ligj.

Gjykata vëren se Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit përmes aktvendimit të kontestuar kishte shpjeguar në mënyrë të plotë dhe të arsyeshme pse ankesa e tyre ishte refuzuar si rezultat i mosrespektimit të afatit ligjor.

Në anën tjetër, Gjykata thekson se parashtruesit e kërkesës është dashur të tregojnë “kujdesin e duhur” për t’i mbrojtur të drejtat e tyre në pajtim me kriteret ligjore dhe kërkesat e LPP-së për kryerjen e hapave procedural në mënyrë që kërkesa e tyre të procedohej tutje.

Bazuar në si më sipër dhe duke marrë parasysh pretendimet e ngritura në rrethanat e rastit konkret dhe faktet e paraqitura, Gjykata, duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore dhe në praktikën gjyqësore të GJEDNj-së, konstaton  se pretendimet e parashtruesve të kërkesës bien në kategorinë e tretë (iii), pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, andaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Hasan Isafi dhe Muharrem Isafi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër