Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac. nr. 3610/20, të 8 tetorit 2020

Nr. të lëndës KI 179/20

Parashtruesit: Telekomi i Kosovës Sh.A

Shkarko:

Rasti nr. KI179/20, Parashtrues: Telekomi i Kosovës Sh.A, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac. nr. 3610/20, të 8 tetorit 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, përmbarim i vendimit, shterja e mjeteve juridike

Fillimisht, Gjykata thekson që kjo kërkesë e parashtruar në Gjykatë, ka procedura që janë në zhvillim e sipër në gjykatat e rregullta, përkatësisht Gjykata Supreme ka në shqyrtim kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga Prokurori i Shtetit. Rrjedhimisht, Gjykata në bazë të jurisprudencës së saj njëjtat në bazë të praktikës së saj i konsideron si të parakohshme.

Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës ankohet para Gjykatës lidhur me procedurën për ekzekutimin e Vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit lidhur me kontestin nga Marrëveshja për Shërbimet Mbështetëse të Operatorit Virtual të Rrjetit Mobil. Pasi që Përmbaruesi privat lëshoi Urdhrin Përmbarimor [P.nr. 491/19] të 15 korrikut 2019, me të cilin lejoi Përmbarimin e propozuar nga kompania “Dardafon”, në bazë të dokumentit përmbarues, përkatësisht Vendimit përfundimtar të Arbitrazhit [nr. 20990/MHM] të 9 dhjetorit 2016, parashtruesi i kërkesës ushtroi prapësim.

Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PPP.nr.1486/19]: (i) aprovoi si pjesërisht të bazuar prapësimin e parashtruesit të kërkesës, lidhur me shumën 315,996.85€, ashtu që shfuqizoi Urdhrin për Caktimin e Përmbarimit [P.nr.491/2019] të 15 korrikut 2019, në lidhje me këtë shumë të lëshuar nga Përmbaruesi privat; dhe (ii) refuzoi si të pabazuar prapësimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me shumën 24,684,003.15 €, dhe për këtë pjesë Urdhri për Caktimin e Përmbarimit [P.nr.491/2019] i 15 korrikut 2019, i lëshuar nga Përmbaruesi privat, mbetet në fuqi.

Më 3 nëntor 2020, parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit me propozim për inicimin e kërkesës për mbrojte të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore [PPP.nr.1486/19] dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 3610/20].

Më 10 nëntor 2020, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte paraqitur kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë [KMLC.nr.152/2020] në Gjykatë Supreme kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore [PPP.nr.1486/19] dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 3610/20]. Gjykata Supreme ka në shqyrtim kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë të cekur më lart, lidhur me të cilën kishte caktuar seancë dëgjimore për datën 20 janar 2021.

Gjykata po ashtu rikujton se tashmë ka përcaktuar në jurisprudencën e saj se nëse procedurat janë në zhvillim e sipër tek gjykatat e rregullta, duke përfshirë edhe rastin kur procedura para Gjykatës Supreme është duke u zhvilluar sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, atëherë kërkesa e parashtruesve konsiderohet e parakohshme (shih rastin e Gjykatës KI102/16, me parashtrues Shefqet Berisha, Aktvendimi për papranueshmëri, i 14 dhjetorit 2016, paragrafët 37-39). Në këtë drejtim, Gjykata vë theksin në faktin se të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje ligjore nga ana e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit lidhur me procedurën përmbarimore që ka të bëjë me Urdhrin Përmbarimor [P.nr.491/19] të 15 korrikut 2019, mund të shqyrtohen nga Gjykata Supreme.

Në këtë aspekt, Gjykata rikujton se rregulli për shterimin e mjeteve juridike sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës i obligon ata që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese që së pari duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive në dispozicion në pajtim me ligjin, kundër një aktgjykimi ose vendimi të kontestuar.

Rrjedhimisht, Gjykata përfundon se kërkesa e parashtruesit është e parakohshme dhe duhet të deklarohet e papranueshme, në baza kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës, parashihet me nenin 47 të Ligjit dhe specifikohet më tej me rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.

 

 

 

 

 

 

 

Parashtruesit:

Telekomi i Kosovës Sh.A

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër