KI181/19, KI182/19 dhe KI183/19, Parashtrues të kërkesës: Fllanza Naka, Fatmire Lima dhe Leman Masar Zhubi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, AC-I-13-0181-A0008, të 29 gushtit 2019
KI181/19, KI182/19, KI183/19 Aktgjykim i miratuar më 27 janar 2021, publikuar më 15 shkurt 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për t’u dëgjuar, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm
Në rrethanat e rastit konkret, parashtruesit e kërkesës u ankuan në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme kundër vendimit të AKP-së përkatësisht për shkak të mos përfshirjes së tyre në listën përfundimtare të punëtorëve të NSH “Agimi” Gjakovë. Kolegji i Specializuar i Dhomës së Posaçme vendosi që parashtruesit e kërkesës të përfshihen në listën përfundimtare të punëtorëve me të drejtë legjitime për të marrë pjesë nga të ardhurat e 20% nga privatizimi i NSH “Agimi” Gjakovë. Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme, pas ankesës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pa mbajtur seancë dëgjimore, ndryshoi vendimin e Kolegjit të Specializuar të Dhomës së Posaçme dhe refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit e kërkesës të përfshihen në listën përfundimtare të punëtorëve me të drejtë legjitime për të marrë pjesë nga të ardhurat e 20% nga privatizimi i NSH “Agimi” Gjakovë. Parashtruesit e kërkesës dorëzuan kërkesën e tyre në Gjykatën Kushtetuese duke pretenduar, mes tjerash, shkelje të nenit 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), për shkak të mos mbajtjes së seancës dëgjimore.
Gjykata vlerësoi pretendimet e parashtruesve te kërkesës, përkitazi me mungesën e seancës dëgjimore në rrethanat e rastit të tyre, si një ndër garancitë e përcaktuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenit 6 të KEDNJ-së, duke mbështetur këtë vlerësim në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ).
Në këtë aspekt, Gjykata fillimisht ka shtjelluar parimet e përgjithshme që burojnë nga praktika e saj gjyqësore dhe ajo e GJEDNJ-së, përkitazi me të drejtën në një seancë dëgjimore, duke i sqaruar rrethanat në të cilat një e tillë është e domosdoshme, bazuar mes tjerash, në Aktgjykimin e Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së, Ramos Nunes de Carvalho e Sá kundër Portugalisë. Gjykata ka sqaruar, mes tjerash, se (i) mungesa e kërkesës së një pale për seancë dëgjimore jo detyrimisht nënkupton heqjen dorë nga një e drejtë të tillë dhe nëse mungesa e një kërkese të tillë nënkupton heqjen dorë të një pale nga kjo e drejtë, varet nga specifikat e ligjit dhe rrethanat e veçanta të një rasti; dhe (ii) në parim, palët kanë të drejtë në një seancë dëgjimore në të paktën një nivel të juridiksionit, përpos nëse “ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin mungesën e një seance dëgjimore”, e të cilat bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, në parim ndërlidhen me raste në të cilat shqyrtohen “çështje ekskluzivisht ligjore ose të natyrës së lartë teknike”.
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata konstatoi se (i) fakti që parashtruesit e kërkesës nuk kanë kërkuar seancë dëgjimore para Kolegjit të Apelit, nuk nënkupton heqjen dorë të tyre nga kjo e drejtë dhe as nuk e liron Kolegjin e Apelit nga detyrimi që të trajtojë me nismën e tij domosdoshmërinë e mbajtjes së një seancë dëgjimore; (ii) parashtruesve të kërkesës iu është mohuar e drejta e seancës dëgjimore në të dy nivelet e DHPGJS-së; (iii) Kolegji i Apelit, nuk kishte trajtuar “çështje ekskluzivisht ligjore ose të natyrës së lartë teknike” dhe rrjedhimisht nuk “ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin mungesën e një seance dëgjimore”; (iv) Kolegji i Apelit kishte shqyrtuar çështje “fakti dhe ligji” për më tepër që, kishte ndryshuar Aktgjykimin e Kolegjit të Specializuar në dëm të parashtruesve të kërkesës; dhe (v) Kolegji i Apelit, nuk kishte arsyetuar “heqjen dorë nga seanca gojore”. Duke marrë parasysh këto rrethana dhe arsyetimet e tjera të dhëna në këtë Aktgjykim, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar, përkatësisht Aktgjykimi [AC-I-13-0181-A0008] i 29 gushtit 2019, është nxjerrë në kundërshtim me garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkitazi me të drejtën për një seancë dëgjimore.
Gjykata gjithashtu theksoi se (i) bazuar në ligjin e aplikueshëm për DHPGJS-në, Kolegji i Apelit ka kompetencë të plotë për vlerësimin e vendimeve të Kolegjit të Specializuar dhe rrjedhimisht, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, ka mundësinë e korrigjimit të mungesës së seancës dëgjimore në nivelin e gjykatës më të ulët, përkatësisht, Kolegjit të Specializuar; dhe (ii) nuk është e nevojshme të trajtohen pretendimet e tjera të parashtruesve të kërkesës sepse të njëjtat duhet të shqyrtohen nga Kolegji i Apelit në përputhshmëri me konstatimet e këtij Aktgjykimi; dhe (iii) konstatimi i shkeljes së nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, në rrethanat e rastit konkret ndërlidhet vetëm me garancitë procedurale për një seancë dëgjimore dhe në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet, si dhe nuk e paragjykon rezultatin e meritave të rastit.
Fllanza Naka, Fatmire Lima dhe Leman Masar Zhubi
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile