KI53/21, Parashtrues: Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 353/2020, të 2 nëntorit 2020
KI53/21, Aktvendim i 20 majit 2021, publikuar më 2 qershor 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, person juridik, qartazi e pabazuar,
Kontesti ka filluar si pasojë e ndërprerjes së marrëdhënies së punës së punëtorit S.B. nga ana e parashtruesit të kërkesës. Lidhur me të drejtën për kompensim dhe për kthimin në punë, fillimisht Gjykata Themelore dhe më pas ajo e Apelit, kishin refuzuar si të pabazuara pretendimet e paditësit (personit S.B.), ngase kishin konsideruar se parashtruesi i kërkesës ka njoftuar në afatin e përcaktuar paditësin se pas përfundimit, respektivisht skadimit të kontratës së punës nuk do t’i vazhdohet kontrata e punës. Përfundimet e këtyre gjykatave, pas parashtrimit të revizionit nga ana e personit S.B., nuk i kishte pranuar Gjykata Supreme, e cila në esencë kishte theksuar se objekt i kërkesëpadisë së paditësit nuk është vërtetimi i ekzistimit të marrëdhënies së punës së paditësit në kohë të pacaktuar por vlerësimi i ligjshmërisë së Njoftimit për mos vazhdimin e kontratës së punës, dhe me këtë rast kishte konsideruar se parashtruesi i kërkesës nuk e kishte vazhduar kontratën e punës në pajtim me Politikat e Bordit të Drejtorëve, Ligjit të Punës dhe vendimit të parashtruesit të kërkesës për Planifikimin e Ardhshëm të Resurseve Njerëzore.
Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pranë Gjykatës ka pretendimet si në vijim: (i) pretendon shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të aplikimit të gabuar të ligjit (ii) pretendon shkelje të së drejtës së tij për barazi para ligjit, për shkak të mos konsistencës së vendimeve gjyqësore dhe (iii) shkelje të së drejtës së tij për mbrojtjen e pronës, për shkak të vendimit për kompensimin e pagave dhe të kthimit në punë.
Gjykata duke analizuar pretendimet e parashtruesit, konsideroi se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur dëshmi, fakte dhe argumente që tregojnë se procedurat në gjykatat e rregullta kanë paraqitur në ndonjë mënyrë shkelje kushtetuese të të drejtave të garantuara me Kushtetutë, me të cilat pretendohet se shkelin të drejtën e tij të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si dhe me nenin 24, dhe nenin 46 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile