KI47/19, Parashtrues: Bislim Kosumi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev.nr.5/2019, i 7 shkurtit 2019
KI47/19, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 korrikut 2020, publikuar më 24 gusht 2020
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, barazia para ligjit, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë qartazi e pabazuar
Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për herë të dytë në Gjykatë. Në rastin e parë të parashtruesit të kërkesës i cili në regjistrin e Gjykatës ishte i regjistruar me nr. KI34/10, Gjykata Kushtetuese më 21 janar 2011, nxori Aktvendimin për papranueshmëri, duke shpallur kërkesën e parashtruesit të papranueshme sepse nuk ishte ratione temporis në pajtim me Kushtetutën.
Parashtruesi i kërkesës në vitin 2008, kishte ushtruar padi në Gjykatën Komunale në Podujevë, kundër Komunës së Podujevës, Drejtorisë për Planifikim Urban, Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit, me kërkesë për kompensim dëmi material duke pretenduar se dëmi është shkaktuar nga Komuna e Podujevës sipas Aktvendimit nr. 09/15/18 të 08.05.2008,lidhur me rrënimin e objektit për shkak të ndërtimit të sheshit.
Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit C.nr.377/08 kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës duke e detyruar Komunën e Podujevës që parashtruesit të kërkesës, në emër të dëmit material të shkaktuar lidhur me rrënimin e objektit, si rezultat i Vendimit [09/15/18], të Drejtorisë për Planifikim Urban, Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit, të 8 majit 2008, t’ia paguajë kompensimin lidhur me shumën në vlerë prej 10.000 €. Kundër këtij Aktgjykimi kishte paraqitur ankesë Komuna e Podujevës dhe parashtruesi i kërkesës.
Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit Ac.nr.2584/14 aprovoi ankesën e Komunës së Podujevës, duke ndryshuar Aktgjykimin [C.nr.377/08] e 7 majit 2014, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dega në Podujevë, sa i përket pjesës së kompensimit të dëmit material dhe shpenzimeve të procedurës, duke refuzuar në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës .
Pas kërkesës së parashtruesit për revizion, Gjykata Supreme e Kosovës përmes Aktgjykimit [Rev.nr.5/2019] refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës Kushtetuese se atij i ishin shkelur të drejtat e garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës. Më konkretisht, parashtruesi i kërkesës pretendoi se Gjykata Supreme, nuk ka marrë parasysh provat e parashtruesit të kërkesës duke vendosur vetëm bazuar në Kontratat e dorëzuara nga Komuna e Podujevës, dhe nuk i është garantuar mbrojtja e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave.
Gjykata Kushtetuese konsideroi se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe që me vendimin e kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë. Gjykata Kushtetuese konkludoi se në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit, dhe në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte qartazi e pabazuar.
Bislim Kosumi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative