KI55/19, parashtrues: Ramadan Osmani, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, AA.nr.506/2018, të 12 shkurtit 2019
KI55/19, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 dhjetorit 2019, publikuar më 23 janar 2020
Fjalët kyçe: Kërkesë individuale, procedurë penale, e drejta në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, barazia para ligjit, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme
Parashtruesi i kërkesës e kontestoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme PML.nr.248/18, të 6 nëntorit 2018 të kontestuar, me pretendimin për shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], paragrafët 1, 2 dhe 5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt gjyqësor], paragrafi 2, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 11 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, duke i ndërlidhë këto shkelje me administrimin e provave (barrës së provës), dëshmitë e dëshmitareve, dhe arsyetimin e vendimeve përkitazi me zbatimin e të drejtës materiale dhe procedurale.
Gjykata, pasi vlerësoi pretendimet e ngritura në kërkesë, konsideroi se parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi të mjaftueshme që para gjykatave të rregullta t’i prezantojë të gjitha pretendimet për shkelje të të drejtave të tij. Më tej, Gjykata theksoi se argumentet e tij ishin dëgjuar në mënyrë të rregullt dhe ishin shqyrtuar në mënyrë të duhur nga gjykatat e rregullta, posaçërisht nga Gjykata Supreme. Për këto arsye, Gjykata konkludoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme ishte i arsyetuar dhe i arsyeshëm.
Si përfundim, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të tregojë dhe të provojë se procedurat në gjykatat e rregullta, përkatësisht në Gjykatën Supreme kanë qenë të padrejta apo arbitrare, apo që të drejtat dhe liritë e tij të mbrojtura me Kushtetutë, KEDNj dhe DUDNj i janë shkelur si rezultat i interpretimeve të gabuara të ligjit material dhe procedural. Rrjedhimisht Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, ajo duhet të deklarohet e papranueshme.
Ramadan Osmani
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale