KI125/20 parashtrues: Shaban Shala, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme AA- nr. 6/2020, të 6 prillit 2020
KI125/20 Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, publikuar më 04 qershor 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë disiplinore, e drejta në gjykim të drejtë, mbrojtja gjyqësore e të drejtave, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme
Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, kontestoi Aktvendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, AC-II-15-0042, të 21 korrikut 2020 për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenet 6 [E drejta për një proces të rregullt gjyqësor] dhe 14 [Ndalimi i diskriminimit] të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Përkitazi me pretendimin për shkelje të së drejtës për gjykim të drejte, Gjykata konsideroi se Gjykata Supreme si instance e fundit në këtë çështje, ka respektuar të gjitha kërkesat e nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6.1 të KEDNj-së, duke i dhënë mundësi parashtruesit të kërkesës, që t’i paraqesë kundërshtimet e tij, përkitazi me çdo arsyetim të dhënë nga KGJK-ja në Vendimin nr.51/2020, të 21 shkurtit 2020, ku paraprakisht ishte mbajtur dhe seancë dëgjimore për çështjen. Për më tepër, të gjitha argumentet, që ishin relevante për zgjidhjen e rastit të parashtruesit të kërkesës janë dëgjuar e shqyrtuar në mënyrë të rregullt nga Gjykata Supreme, andaj në rastin konkret nuk bëhet fjalë për vendim të paarsyetuar ose qartazi arbitrar. Andaj, në lidhje me këtë pretendim, përkatësisht me te drejtën për një vendim të arsyetuar, Gjykata, në përputhje me praktikën e saj, kërkesën e parashtruesit të kërkesës e deklaroi qartazi të pabazuar. Përkitazi me pretendimet e tjera, Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës vetëm i përmend nenet respektive, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve përkatëse të Kushtetutës dhe të KEDNj-së. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse. Andaj, të njëjtat, Gjykata i deklaroi qartazi te pabazuar dhe te papranueshme.
Si përmbledhje, Gjykata duke u mbështetur në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore dhe praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, konstatoi që parashtruesi i kërkesës në asnjë mënyrë nuk ka dëshmuar dhe nuk i ka mbështetur mjaftueshëm pretendimet e tij, për shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar, që garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNj. Në këtë kuptim Gjykata konkludoi se kërkesa në tërësinë e saj duhej deklaruar e papranueshme si qartazi e pabazuar, sepse pretendimet e parashtruesit të kërkesës kualifikohen si pretendime që hyjnë në kategorinë (i) pretendime të “shkallës së katërt” dhe kategorinë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Rrjedhimisht, të njëjtat, në pajtueshmëri me paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës, duhet të deklarohen si qartazi të pabazuara dhe të papranueshme.
Shaban Shala
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative