KI77/20, Parashtrues i kërkesës: Kujtim Zarari, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, PA1.nr.1547/2019, të 2 marsit 2020
KI77/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 11 nëntor 2020
Fjalët kyç: kërkesë individuale, locus standi i trashëgimtarëve, kërkesë e papranueshme ratione materiae me Kushtetutën
- Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një procedurë penale, ku parashtruesi i kërkesës kishte cilësinë e palës së dëmtuar. Parashtruesi i kërkesës, në cilësinë e tij si i punësuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjarë në Gjakovë (në tekstin e mëtejme :QKMF) ishte sulmuar në objektin e QKMF nga personi M.Gj., po ashtu i punësuar në QKMF, dhe me ç ‘rast parashtruesi kishte pësuar lëndime trupore. Pas inicimit të procedurës penale, përkatësisht nxjerrjes së Aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të 10 shtatorit 2018, përmes të cilës M.Gj. akuzohej për kryerjen e veprës penale “lëndim i lehtë trupor”, parashtruesi i kërkesës në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, kishte parashtruar parashtresë të veçantë përmes së cilës kishte kërkuar që të ricilësohet vepra penale “lëndim i lehtë trupor”, duke arsyetuar se, sipas tij, në veprimet e të akuzuarit M.Gj. janë konsumuar elementet e veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”. Më 7 nëntor 2019, Gjykata Themelore në Gjakovë përmes Aktgjykimit P.nr.621/18: (i) shpalli fajtor personin M.Gj., për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, duke i shqiptuar dënim me gjobë në një shumë të caktuar të hollash; dhe (ii) parashtruesin e kërkesës, në cilësinë e palës së dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore juridike e udhëzoi në kontest civil. Si rezultat i ankesës së parashtruesit të kërkesës për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal dhe rikualifikimin e veprës penale, më 2 mars 2020, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit PA1.nr.1547/2019, e refuzoi ankesën e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës si të pabazuar dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Më 5 maj 2020, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata para se të shqyrtonte dhe të nxirrte vendim në lidhje me kërkesën e tij u njoftua se parashtruesi i kërkesës kishte ndërruar jetë, dhe për pasojë iu drejtua familjes së të ndjerit që të konfirmojnë në Gjykatë nëse familjaret /trashëgimtaret që kanë interes të drejtpërdrejtë dëshirojnë të vazhdojnë procedurën e shqyrtimit të kërkesës. Më 14 shtator 2020, Gjykata pranoi një shkresë nga znj. Sadete Zarari, e lindur Jerliu, bashkëshorte, përkatësisht e veja e të ndjerit z. Zarari [parashtruesit të kërkesës], përmes të cilës e njoftoi Gjykatën, që në cilësinë e trashëgimtares së të ndjerit shpreh interesim për vazhdimin e shqyrtimit të kërkesës së tij.
- Gjykata, fillimisht në vlerësimin e saj përkitazi me locus standi të znj. Zarari për të vazhduar me shqyrtimin e kërkesës së parashtruesit, konstatoi se ajo është palë e autorizuar, dhe për arsye praktike vendosi që t’i referohet tashmë të ndjerit z. Kujtim Zarari si parashtrues i kërkesës. Tutje, Gjykata po ashtu konstatoi që të vazhdojë me shqyrtimin e kërkesës ashtu siç është dorëzuar nga parashtruesi i kërkesës, më 5 maj 2020.
- Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij përkitazi me konstatimet e Aktgjykimeve të kontestuara të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, kishte pretenduar se ishte shkelur e drejta e tij e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E Drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
- Gjykata në vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës, iu referua praktikës së saj relevante gjyqësore e cila bazohet në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e që ndërlidhet me rrethana në të cilat parashtruesit e kërkesës pretendojnë shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tyre të garantuara me Kushtetutë si rezultat i vendimeve të gjykatave të rregullta përkitazi me procedura penale kundër personave të tretë. Në kontekst të kërkesës së parashtruesit, dhe në pajtim me praktikën e saj gjyqësore, Gjykata konstatoi se rrethanat e rastit konkret, ngërthejnë pretendime për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të parashtruesit të kërkesës e të cilat ndërlidhen me rezultatet e procedurës penale, si pasojë e “akuzës penale” ndaj një personi të tretë, të cilin Gjykata Themelore e kishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale, vendimi i së cilës ishte aprovuar edhe nga Gjykata e Apelit. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtës së tij për gjykim të drejtë nuk hyjnë në fushëveprimin e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe nuk janë ratione materiae në pajtim me Kushtetutën.