Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësim të konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, siç është përcaktuar me nenin 113.3 (1) të Kushtetutës

Nr. të lëndës KO 131/18

Parashtruesit: Presidenti i Republikës së Kosovës

Shkarko:

KO131/18, Kërkesë për vlerësim të konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, siç është përcaktuar me nenin 113.3 (1) të Kushtetutës

KO131/18, Aktvendim për papranueshmëri i 6 marsit 2019, publikuar më 25 mars 2019

Fjalët kyç: konflikt i kompetencave kushtetuese, ratifikim i marrëveshjeve ndërkombëtare

Rasti është parashtruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës (në tekstin mëtejmë: Presidenti), me kërkesë për vlerësim të konflikt të kompetencës kushtetuese në mes të Presidentit dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kuvendi).

Pretendimi për konflikt të kompetencës kushtetuese ndërlidhej me kompetencat kushtetuese të përcaktuara për Presidentin dhe Kuvendin në nenin 18 [Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare] të Kushtetutës. Presidenti, si palë që kishte ngritur pretendim për konflikt në mes Presidentit dhe Kuvendit pretendoi paqartësi rreth kompetencës kushtetuese për ratifikimin e Shkëmbimit të Letrave në mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim, Presidenti pretendonte se nuk e kishte të qartë se:

“Letrat e shkëmbimit në mes të Presidentit të Republikës së Kosovës (04.06.2018) dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë (08.06.2018) [Shkëmbimi i Katërt i Letrave]: 

  • a duhet të ratifikohen në cilësinë e Marrëveshjes Ndërkombëtare, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, me votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve (në pajtim me Nenin 18.1. të Kushtetutës) apo
  • a duhet të konsiderohen të ratifikuara pas nënshkrimit nga Presidenti (në pajtim me Nenin 18.2 të Kushtetutës), për shkak të ndërrimit të rolit dhe mandatit ekzekutiv të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, pasi që tani e tutje do të ketë rol kryesisht këshillëdhënës dhe monitorues.”

Gjykata vuri në pah se ky ishte rasti i parë me kërkesë për vlerësim të pretendimit për “konflikt” në mes të kompetencave kushtetuese dhe në këtë drejtim sqaroi se juridiksioni i Gjykatës për vlerësim të konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese është i karakterit preventiv, përkatësisht kontroll kushtetues ex-ante, por që nuk përjashton as një kontroll kushtetues ex-post. Në këtë drejtim, Gjykata theksoi kërkesat kushtetuese të parapara me nenin 113.3 (1) të Kushtetutës, kërkesat ligjore të parapara me nenet 31 dhe 32 të Ligjit dhe ato të parapara me rregullin 68 të Rregullores së punës, si kushte të pranueshmërisë të cilat duhet të përmbushen në një rast të konfliktit të kompetencave kushtetuese.

Pas theksimit të secilit kusht [paragrafët 86-107] dhe vlerësimit të aplikueshmërisë së tyre në rrethanat e rastit konkret, Gjykata erdhi në përfundimin se, ndonëse rasti ishte paraqitur nga një palë e autorizuar, përkatësisht Presidenti – i cili pretendonte konflikt në mes të kompetencave kushtetuese të tij dhe Kuvendit, ai nuk e kishte specifikuar saktësisht se çfarë konflikti ekziston ndërmjet kompetencave kushtetuese të tij dhe Kuvendit, përkundër kërkesës së Gjykatës për të qartësuar kërkesën e tij të cilën fillimisht e kishte sjellë në formë të pyetjes kushtetuese në bazë të nenit 84 (9) të Kushtetutës. Presidenti, si parashtrues i kësaj kërkese, nuk kishte dorëzuar mjaftueshëm informata të dobishme në lidhje me “konfliktin e supozuar” apo të “pretenduar”, e as nuk kishte specifikuar “saktë se çfarë konflikti ekziston ndërmjet kompetencave kushtetuese” të Presidentit dhe Kuvendit.

Rrjedhimisht, Gjykata, me shumicë, e deklaroi kërkesën e Presidentit për konflikt të pretenduar në mes të kompetencave kushtetuese të tij dhe Kuvendit të papranueshme për shqyrtim në merita.

Parashtruesit:

Presidenti i Republikës së Kosovës

Lloji i kërkesës:

KO - Kërkesë nga organet shtetërore

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative