Parashtruesit paraqitën kërkesën bazuar në Nenin 113.5 të Kushtetutës duke pohuar se vendimi Nr. 04-V-279, i 20 janarit 2012 i Kuvendit të Republikës së Kosovës ishte në kundërshtim me nenin 18 të Kushtetutës. Parashtruesit pohuan se Kuvendi i Republikës së Kosovës me vendimin në fjalë i mirëpriste marrëveshjet e arritura në dialogun ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në kundërshtim me Kushtetutën. Parashtruesit poashtu theksuan se Kosova dhe Serbia janë dy shtete me subjektivitet juridik në të drejtën ndërkombëtare, dhe si rrjedhojë marrëveshjet ndërmjet tyre janë marrëveshje ndërkombëtare siç përkufizohet në nenin 3.1.5 të Ligjit Nr. 04/L-052 për marrëveshje ndërkombëtare. Parashtruesit e cituan në tërësi nenin 18 të Kushtetutës lidhur me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Ata theksuan se përmes ‘mirëpritjes së arritjes së marrëveshjeve’ dhe përmes ‘mbështetjes për zbatim të tërësishëm’ të tyre, Kuvendi i Republikës së Kosovës i ka njohur dhe i ka ratifikuar këto marrëveshje si dhe ka marr përsipër detyrimet që dalin nga këto marrëveshje. Parashtruesit pohuan që Kuvendi është dashur ta ketë miratuar një procedurë të ratifikimit sipas nenit 18 të Kushtetutës. Gjykata kërkoi shpjegime shtesë nga Parashtruesit lidhur me thelbin e kërkesës së tyre të ngritur në Gjykatë. Gjykata konstatoi se Parashtruesit ishin palë e autorizuar në pajtim me Nenin 113.5 të Kushtetutës, sepse kërkesa ishte paraqitur brenda afatit ligjor si dhe ishte përmbushur kushti ligjor përsa i përket numrit të deputetëve që mund të kontestojnë vendimet e kuvendit për nga përmbajtja e tyre dhe procedura e ndjekur. Gjykata konstatoi se Parashtruesit nuk kishin saktësuar kërkesën në pajtim me Nenin 113.5 të Kushtetutës lidhur me nenin 42 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, gjegjësisht Parashtruesit nuk kishin saktësuar se në çfarë mënyre kontestonin vendimin e kuvendit si për nga përmbajtja ashtu dhe nga procedura e ndjekur. Gjykata, më tutje arsyetoi se Parashtruesit më tepër kontestojnë natyrën e vendimit të kuvendit dhe kërkojnë interpretim sesa përmbajtjen e tij apo procedurën e ndjekur. Duke shqyrtuar kërkesën në tërësinë e saj, Gjykata nënvizoi se është e vetëdijshme për doktrinën e ndarjes së pushteteve siç parashihet në nenin 4 të Kushtetutës dhe për kompetencat e Kuvendit që nënkupton se është detyrë e këtij të fundit të marrë vendime të duhura apo të nevojshme. Për shkak të arsyeve të përmendura, Gjykata konkludoi që kërkesa është e papranueshme sepse nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën.
Visar Ymeri dhe dymbëdhjetë deputetë të
KO - Kërkesë nga organet shtetërore
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës
administrative