Zyrtarët e Gjykatës Kushtetuese trajnohen përmes Programit të Specialistëve të Fulbright

17.12.2022

Ekspertja amerikane me përvojë të gjatë në fushën e komunikimit të brendshëm dhe zhvillimit organizativ, dhe njëherësh ligjëruese në Universitetin e Kolumbias të SHBA, Prof. Dr. Aileen Webb, qëndroi për vizitë në Gjykatën Kushtetuese, më 5 – 16 dhjetor 2022.

Përgjatë qëndrimit gati dyjavor në Gjykatë, znj. Webb zhvilloi dhe zbatoi në praktikë një program të avancuar të trajnimit, të dizajnuar veçanërisht për zyrtarët e Gjykatës Kushtetuese, përmes shtjellimit të temave si: “Ekipet e mira dhe kultura organizative”, “Komunikimi dhe konflikti”, “Ndërtimi i ekipeve dhe i besimit”, “Ndryshimi dhe komunikimi” dhe “Takimet e shkëlqyera”. Gjatë trajnimeve të mbajtura, znj. Webb ndau njohuritë e saj teorike dhe praktike, me qëllim të ndërtimit të vlerave dhe parimeve të organizimit të mirë dhe funksional brenda një institucioni, me theks të veçantë në metodat më të mira për ndërtimin e besimit të ndërsjellë, si dhe mekanizmat e komunikimit dhe të llogaridhënies brenda ekipeve.

Programi i trajnimit në përgjithësi pati si synim pajisjen e zyrtarëve të Gjykatës me njohuritë dhe aftësitë bazë për të zgjidhur sfidat që pashmangshëm paraqiten në një ambient të përbashkët pune. Secila prej punëtorive ishte konceptuar të jetë ndërvepruese dhe të nxisë pjesëmarrjen aktive të stafit, duke përdorur një varg teknikash të kombinuara si rastet studimore, ushtrimet në grupe të vogla, diskutimet në grup të gjerë dhe reflektimi individual.

Ky program i ngritjes së kapaciteteve të stafit të Gjykatës u mundësua përmes mbështetjes nga “Programi i Specialistëve të Fulbright”, financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Byroja për Edukim dhe Marrëdhënie Kulturore (ECA) dhe zbatuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Gjykata ka përfituar këtë mbështetje pas një procesi të hapur konkurrues dhe miratimit të projekt-propozimit të saj.