Gjyqtarët dhe zyrtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga kryetarja, znj. Gresa Caka – Nimani, morën pjesë në Konferencën lansuese të projektit të Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, “Mbështetje për Gjykatën Kushtetuese në aplikimin dhe përhapjen e standardeve evropiane të të drejtave të njeriut”, e cila u mbajt në hotelin “Swiss Diamond Hotel” në Prishtinë.
Me një fjalë rasti, pjesëmarrësve në këtë konferencë iu drejtuan kryetarja Caka – Nimani, shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, z. Frank Power, ambasadori i Italisë në Kosovë, z. Antonello De Riu, zëvendësshefja e Misionit të Ambasadës së Norvegjisë në Kosovë, znj. Jenny Stenberg Sørvold dhe z. Christophe Poirel, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe Sundim të Ligjit në Këshillin e Evropës.
Pasi që shprehu falënderimin e saj për mbështetjen që Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë i ka ofruar Gjykatës Kushtetuese ndër vite, kryetarja Caka – Nimani, ndër të tjera, vuri theksin në rëndësinë që ky projekt ka për konsolidimin e mëtutjeshëm të praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese të bazuar në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), për praktikat hulumtuese dhe procesin e punës së Gjykatës Kushtetuese sipas shembullit të GJEDNJ-së, si dhe për zbatimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës.
Konferenca i vazhdoi punimet me prezantimet e zëvendëskryetarit të Gjykatës Kushtetuese, z. Bajram Ljatifi, kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, z. Enver Peci, ish-kryetarin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, z. Hasan Shala, gjyqtares së Gjykatës Supreme të Sllovenisë dhe ish-presidentes së Këshillit Konsultativ të gjyqtarëve evropianë, znj. Nina Betetto, si dhe ekspertë të tjerë për të drejtat e njeriut nga Këshilli i Evropës.