Zëvendëskryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, z. Bajram Ljatifi, po qëndron për vizitë zyrtare në Sarajevë, me ftesë të organizatave joqeveritare ndërkombëtare “Civic Rights Defender” me seli në Stokholm dhe “AIRE Centre” me seli në Londër.
Zëvendëskryetari Ljatifi është ftuar për të marrë pjesë në Forumin e 10-të Rajonal të Shtetit të së Drejtës për Evropën Juglindore, që këtë vit organizohet më 10-11 nëntor 2023, në kryeqytetin e Bosnjë dhe Hercegovinës, në temën: “Balancimi i mbrojtjes së të dhënave me drejtësinë transparente: Korniza ligjore evropiane”.
Forumi Rajonal i Shtetit të së Drejtës është një ndër ngjarjet me rëndësi të vitit për përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor, avokatët e të drejtave të njeriut, komunitetin juridik dhe organizatat joqeveritare në Ballkanin Perëndimor, që për qëllim primar ka promovimin dhe zbatimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), nxitjen e bashkëpunimit rajonal për forcimin e sundimit të ligjit, si dhe të ofrojë ndihmë në procesin e integrimit të shteteve të rajonit në Bashkimin Evropian.