Një delegacion i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kroacisë, në krye me kryetarin e kësaj gjykate, z. Miroslav Šeparović, qëndroi për vizitë pune në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Delegacioni kroat u prit në takim nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe zëvendëskryetari i Gjykatës, z. Bajram Ljatifi.
Gjatë takimit që u zhvillua në një atmosferë të përzemërt dhe miqësore, kryetarja Rama-Hajrizi i informoi mysafirët me punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese, me procesin e ripërtëritjes së përbërjes së gjyqtarëve kushtetues vitin e kaluar, si dhe me sfidat e tejkaluara me sukses pas zëvendësimit të ish-gjyqtarëve ndërkombëtarë me gjyqtarë vendor.
Kryetarja Rama-Hajrizi në vazhdim e falënderoi homologun e saj kroat, z. Šeparović, për përkrahjen që Gjykata Kushtetuese e Kroacisë i ka ofruar në vazhdimësi Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në përpjekjet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, si dhe në ngritjen e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve të saj nëpërmjet projekteve të përbashkëta për shkëmbim përvojash.
Ajo u zotua për intensifikimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet dy gjykatave homologe, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë veçanërisht në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe harmonizimit të praktikës gjyqësore me atë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Pasi që e falënderoi kryetaren Rama-Hajrizi për mikpritjen, kryetari Šeparović bëri një përshkrim të përgjithshëm të funksionimit të gjyqësorit kushtetues në Republikën e Kroacisë dhe konfirmoi vullnetin e palëkundur për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy gjykatave në të gjitha fushat me interes reciprok.
Pas takimit, gjyqtarët e të dy gjykatave kushtetuese mbajtën një punëtori të përbashkët në temat: “Kompetenca e gjykatës kushtetuese përkitazi me shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, “Marrëveshjet kolektive para Gjykatës Kushtetuese” dhe “Mosmarrëveshjet zgjedhore nga perspektiva e gjykimit kushtetues”.