Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 9 dhjetor 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat: 1. KI 144/18; 2. KO 50/19 dhe 3. KI 230/19. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):
1. Lënda: KI 144/18
Parashtrues: Jashar Krasniqi
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. Nr. 198/2018], të datës 2 korrik 2018, në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac.nr.4148/14], të datës 28 mars 2018, me aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac. Nr. 3011/2012], të datës 6 qershor 2013, me aktvendimin e Gjykatës Komunale të Prishtinës [C1.nr. 425/2003], të datës 6 janar 2005, me aktvendimin e Gjykatës Komunale të Prishtinës [C1.nr.408/2003], të datës 23 mars 2006 dhe me Vendimin e Universitetit të Prishtinës, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore [Nr.819/03], të datës 13 tetor 2003. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me vendimet e kontestuara i është cenuar e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si dhe e drejta për punë.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në pajtim me rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.
2. Lënda: KO 50/19
Parashtrues: Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së nenit 5 paragrafit 2, nenit 7 paragrafëve 3, 4 dhe 5 të Ligjit nr. 04/L-140 për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale dhe nenit 19 paragraf 1 nënparagrafi 1, paragrafi 2 nënparagrafi 1, si dhe paragrafëve 7 dhe 8 të Ligjit Nr. 06/L-087 për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, për të cilët pretendohej se janë në kundërshtim me nenin 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafin 8 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 51 [Saktësimi i kërkesës], 52 [Procedura para Gjykatës] dhe 53 [Vendimi] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 77 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.8 të Kushtetutës dhe me nenet 51, 52 dhe 53 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me nenin 113.8 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 59 (2) dhe 77 të Rregullores së punës, të shpallë kërkesën të papranueshme.
3. Lënda: KI 230/19
Parashtrues: Albert Rakipi
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit
të Gjykatës Supreme të Kosovës [Pml. nr. 253/2019], të datës 30 shtator 2019, në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, Departamenti për Krime të Rënda [PAKR. nr. 528/2018], të datës 16 prill 2019, dhe me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda [PKR. nr. 432/15], të datës 18 dhjetor 2017. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me vendimin e konetstuar i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me nenin 10 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 59 (1)(a) të Rregullores së punës,
VENDOS
I. TË DEKLAROJË me shumicë votash kërkesën të pranueshme;
II. TË KONSTATOJË me shumicë votash se ka shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i mos arsyetimit të vendimit gjyqësor përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për cilësimin e tij si person zyrtar;
III. TË SHPALLË të pavlefshëm Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, Pml. nr. 253/2019, të 30 shtatorit 2019 përkitazi me parashtruesin e kërkesës;
IV. TË KTHEJË Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, Pml. nr. 253/2019, të 30 shtatorit 2019, për rivendosje në pajtim me konstatimet të këtij Aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese;
V. TË URDHËROJË Gjykatën Supreme që ta njoftojë Gjykatën Kushtetuese, sa më shpejtë që është e mundur, por jo më vonë se më 30 prill 2021, lidhur për masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës, në pajtim me rregullin 66 (5) të Rregullores së punës;
VI. TË MBETET fuqimisht e angazhuar në këtë çështje në pritje të zbatimit të këtij Aktgjykimi;
VII. TË REFUZOJË njëzëri kërkesën e parashtruesit për mbajtje të seancës dëgjimore;