Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 29 korrik 2019

29.07.2019

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 29 korrik 2019, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesat: 1. KI 19/19 dhe KI 20/19; 2. KO 65/19; 3. KO 58/19; 4. KI 187/18 dhe KI 11/19; 5. KI 128/17 dhe 6. KI 133/17.
Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve të Gjykatës (tekstet e plota të aktvendimeve dhe të aktgjykimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

1. Aktvendim
Lënda: KI 19/19 dhe KI 20/19
Parashtrues: Muhamet Thaqi dhe Egzon Keqa

Objekt i çështjes ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme [Pml.nr.259/2018], të datës 5 nëntor 2019, në lidhje me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [PA1.nr.748/2018], të datës 13 gushtit 2018, përmes të cilit pretendohej se parashtruesve të kërkesës u janë shkelur të drejtat dhe liritë e tyre themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121) dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i Kërkesave dhe Përgjigjeve] dhe 56 [Kërkesa për masë të përkohshme] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20, 47 dhe 49 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (1) (c), 39 (2), 57 (1) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, njëzëri vendosi:
I. T’I DEKLAROJË kërkesat të papranueshme;
II. T’I REFUZOJË kërkesat për masë të përkohshme.

2. Aktgjykim
Lënda: KO 65/19
Parashtrues: Avokati i Popullit

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së neneve të kontestuara të Ligjit nr. 06/L-010 për Noterinë, për të cilat parashtruesi i kërkesës pretendonte se nuk janë në pajtueshmëri me nenin 5 [Gjuhët] dhe me paragrafët 1 dhe 3, të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Parashtruesi i kërkesës më tej kërkoi që, Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme dhe të pezullojë zbatimin e neneve të kontestuara deri në vendimin përfundimtar të kësaj Gjykate, duke pretenduar se “kërkesa është prima facie e bazuar, dhe se me nenet e kontestuara të ligjit të kontestuar subjekteve të caktuara u shkaktohen dëme të pariparueshme …”.
Kërkesa bazohej në paragrafin 2, nënparagrafin 1, të nenit 113 (Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara) dhe në paragrafët 1 dhe 2, të nenit 116 (Efekti Juridik i Vendimeve) të Kushtetutës, nenet 22, 27, 29 dhe 30 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121), si dhe në rregullat 32, 56 dhe 57 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenet 13. 2 (1) dhe 116. 2 të Kushtetutës, nenet 27 (1), 29 dhe 30 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në bazë të rregullave 29, 56 (1), 57 dhe 59 (1) të Rregullores së punës, vendosi:
I. TA DEKLAROJË njëzëri kërkesën të pranueshme;
II. TË KONSTATOJË njëzëri se nenet e kontestuara 32 (paragrafi 1), nenit 41 (paragrafët 1.3 dhe 1.4), nenit 2 (paragrafi 7) dhe neni 22 (paragrafi 1.3) të Ligjit Nr. 06/010 për Noterinë, nuk janë në kundërshtim me nenin 5 [Gjuhët], dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës;
III. TË KONSTATOJË me shumicë votash se neni 76 (paragrafi 2) nuk është në kundërshtim me nenin 5 [Gjuhët], dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës;
IV. TA SHFUQIZOJË vendimin për caktim të masës së përkohshme të 20 majit 2019, të vazhduar më 19 korrik 2019, në lidhje me nenin 76 (paragrafi 2), nenin 2 (paragrafi 7) dhe nenin 22 (paragrafi 1.3) të Ligjit Nr. 06/10 për Noterinë.

3. Aktgjykim
Lënda: KO 58/19
Parashtrues: Bilall Sherifi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së
Kosovës

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimeve të Presidentit të Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës (shih më poshtë):

1. Vendimi nr. 57/2019, i 28 marsit 2019, për emërimin e z. Čemajl Kurtiši si anëtar i KQZ-së nga komuniteti boshnjak;
2. Vendimi nr. 58/2019, i 28 marsit 2019, për emërimin e z. Stevan Veselinović si anëtar i KQZ-së nga komuniteti serb;
3. Vendimi nr. 59/2019, i 28 marsit 2019, për emërimin e z. Ercan Şpat si anëtar i KQZ-së nga komuniteti turk;
4. Vendimi nr. 60/2019, i 28 marsit 2019, për emërimin e z. Alfred Kinolli si anëtar i KQZ-së, si përfaqësues i komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian;
5. Vendimi nr. 61/2019, i 28 marsit 2019, për emërimin e znj. Nazlie Bala si anëtare e KQZ-së;
6. Vendimi nr. 62/2019, i 28 marsit 2019, për emërimin e z. Adnan Rrustemi si anëtar i KQZ-së;
7. Vendimi nr. 63/2019, i 28 marsit 2019, për emërimin e z. Florian Dushi si anëtar i KQZ-së;
8. Vendimi nr. 65/2019, i 28 marsit 2019, për emërimin e z. Sami Hamiti si anëtar i KQZ-së.

për të cilat parashtruesit e kërkesës pretendonin që nuk janë në pajtueshmëri me paragrafin 4 të nenit 139 [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në nenin 113, paragrafi 2, nënparagrafin 1 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 29 [Saktësimi i kërkesës] dhe 30 [Afatet] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121), si dhe rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 67 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.2 (1) dhe (2) të Kushtetutës dhe neneve 29 e 30 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në mbështetje të nenit 113, paragrafi 2 nënparagrafit 1 të Kushtetutës, të neneve 29 dhe 30 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në mbështetje të rregullave 59 (a) dhe 67 të Rregullores së punës, vendosi:
I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme për shqyrtim në merita;
II. TË KONSTATOJË se Vendimi nr.57/2019, Vendimi nr.58/2019, Vendimi nr.59/2019, Vendimi nr.60/2019, Vendimi nr.61/2019, Vendimi nr.62/2019, Vendimi nr.63/2019, Vendimi nr.65/2019, të 28 marsit 2019 të Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk janë në kundërshtim me paragrafin 4 të nenit 139 [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve] të Kushtetutës.

4. Aktgjykim
Lënda: KI 187/18 dhe KI 11/19
Parashtrues: Muhamet Idrizi

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [PML. nr. 226/2018], të datës 16 tetor 2018 dhe i aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [PML. nr. 293/2018], të datës 3 dhjetor 2018.
Në kërkesën KI187/18, parashtruesi i kërkesës nuk ka qartësuar saktësisht se cila të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës pretendon se i janë cenuar përmes aktgjykimit të kontestuar. Ndërsa, përmes kërkesës KI11/19, parashtruesi i kërkesës pretendonte se gjykatat e rregullta i kanë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë masë të përkohshme, përkatësisht “të ndaloj fillimin e vuajtjes së dënimit të shqiptuar [ndaj tij] me Aktgjykimin PKR nr. 107/2012, të 22 nëntorit 2017, të Gjykatës Themelore në Gjilan”, deri në vendosjen e rastit në Gjykatë.
Kërkesa bazohej në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 59 (a) të Rregullores së punës, vendosi:
I. TË DEKLAROJË kërkesën KI187/18 të papranueshme;
II. TË DEKLAROJË kërkesën KI11/19, të pranueshme për shqyrtim në merita;
III. TË KONSTATOJË se në Aktgjykimin PML.nr.293/2018,e 3 dhjetorit 2018 të Gjykatës Supreme ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1, të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
IV. TA SHPALLË TË PAVLEFSHËM Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, PML.nr.293/2018, të 3 dhjetorit 2018;
V. TA KTHEJË Aktgjykimin e Gjykatës Supreme,PML.nr.293/2018, të3 dhjetorit 2018, për rishqyrtim në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate;
VI. TA URDHËROJË Gjykatën Supreme, që në pajtim me rregullin 66 (4) të Rregullores së punës, ta njoftojë Gjykatën, brenda 6 (gjashtë) muajve nga publikimi i këtij aktgjykimi, në lidhje me masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të kësaj Gjykate;
VII. TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme.

5. Aktgjykim
Lënda: KI 128/17
Parashtrues: Naser Husaj

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 170/2017], të datës 23 gusht 2017, përmes të cilit pretendohej se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenin 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 47 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 59 (1) të Rregullores së punës, njëzëri vendosi:
I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
II. TË KONSTATOJË se Aktgjykimi [Rev.nr.170/2017] i 23 gushtit 2017 i Gjykatës Supreme është në përputhshmëri me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.

6. Aktvendim
Lënda: KI 133/17
Parashtrues: Ali Gashi

Objekt i çështjes ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 96/2017], të datës 1 qershor 2017, në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [CA. nr. 902/2014], të datës 7 shkurt 2017, dhe aktgjykimin e Gjykatës Themelore [C. nr. 432/13], të datës 24 janar 2014.
Kërkesa bazohej në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata vendosi se kërkesa është e papranueshme sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 dhe 49 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe rregullit 39 (3) (b) dhe 57 (1) të Rregullores së punës.