Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 27 nëntor 2019

27.11.2019

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 27 nëntor 2019, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesat: 1. KI 130/19; 2. KI 28/19 dhe 3. KI 68/19.
Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve të Gjykatës (tekstet e plota të aktvendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

1. Aktvendim
Lënda: KI 130/19
Parashtrues: Fahri Mati

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [E. Rev. nr. 19/2019], të datës 8 maj 2019, me të cilin, sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me nenin 31 [Drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] dhe nenin 32 [E drejta për mjete juridike] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 6 (E drejta për proces të rregullt) dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në nenin 113.7 dhe të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.

2. Aktvendim
Lënda: KI 28/19
Parashtrues: Lutfi Morina

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac.nr.4035/18], të datës 5 tetor 2018, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E drejta për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.

3. Aktvendim
Lënda: KI 68/19
Parashtrues: Antigona Gerqari

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Nr. 677, të datës 19 mars 2019, përkitazi me refuzimin e ankesës së parashtrueses së kërkesës për zgjedhje në thirrjen “Profesor asistent” në Fakultetin e Mjekësisë.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, dhe me rregullat 39 (1)(b) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.