Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 23 shtator 2020

23.09.2020

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 23 shtator 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat: 1. KI 15/19; 2. KI 10/20 dhe 3. KI 71/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

1. Aktvendim
Lënda: KI 15/19
Parashtrues: Shemsi Ferizi

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë [NJN. Nr. 157/2017], të datës 13 prill 2018, me të cilin parashtruesi pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me nenin 2 të Protokollit Nr. 7 (E drejta e apelit në çështjet penale) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendonte shkelje të neneve 8 dhe 11 të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2), 39 (3)(b) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

2. Aktvendim
Lënda: KI 10/20
Parashtrues: Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” SH. A. – Njësia Malësia e Re Prizren

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac.nr.4254/19], të datës 28 tetor 2019, në lidhje me Urdhrin e Përmbaruesit Privat [P.nr.1694/2018], të datës 19 dhjetor 2019, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 6 [E Drejta për një Proces të Rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 47 [Kërkesat Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 59 [Llojet e vendimeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 dhe me nenin 21.4 të Kushtetutës, si dhe me rregullat 39 (2), 57 (5) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

3. Aktvendim
Lënda: KI 71/20
Parashtrues: Etem Arifi

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Pml. nr. 380/2019], të datës 30 janar 2020, me të cilin ishte refuzuar si e pabazuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e parashtruesit të kërkesës, ushtruar kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë [PKR.nr.740/2016], të datës 20 prill 2018 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [PAKR.nr.328/19], të datës 20 gusht 2019. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me aktgjykimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme duke theksuar se: “Jemi afër datës e cila është caktuar që Parashtruesi të paraqitet në institucionin korrektues për mbajtjen e dënimit, e që është 04.05.2020. Caktimi i masës së përkohshme nga ana e Gjykatës Kushtetuese është i domosdoshëm dhe me rëndësi jetike për Parashtruesin e kërkesës”.
Kërkesa bazohej në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 27 [Masat e përkohshme] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 56 [Kërkesa për masë të përkohshme] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.