Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 22 prill 2020

22.04.2020

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 22 prill 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesat: 1. KO 203/19; 2. KI 193/18; 3. KI 236/19; 4. KI 59/19 dhe 5. KI 201/19. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve të Gjykatës (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

1. Vendim për vazhdimin e masës së përkohshme
Lënda: KO 203/19
Parashtrues: Avokati i Popullit

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së neneve 2 (paragrafi 3), 5 (paragrafi 1, nënparagrafi 1. 2, dhe paragrafi 2), 10 (paragrafët 1 dhe 2), 11, 14 (paragrafi 5), 15 (paragrafët 4 dhe 6), 17 (paragrafi 7), 31 (paragrafi 3), 32 (paragrafi 5), 33 (paragrafi 5), 34 (paragrafi 16), 35 (paragrafi 6), 37 (paragrafi 5), 38 (paragrafi 7), 39 (paragrafi 11), 40 (paragrafi 12), 41 (paragrafi 6), 42 (paragrafët 10 dhe 11), 43 (paragrafi 13), 44 (paragrafi 4), 48 (paragrafi 9), 49 (paragrafi 6), 52 (paragrafi 7), 54 (paragrafi 6), 67 (paragrafi 11), 68 (paragrafi 8), 70 (paragrafi 8), 71 (paragrafi 8), 75, 80 (paragrafi 4), 83 (paragrafi 18) dhe nenit 85 të Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik, të shpallur në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, më 11 mars 2019, dhe që hyri në fuqi gjashtë (6) muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se nenet e kontestuara nuk janë në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 132 [Roli dhe kompetencat e Avokatit të Popullit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me dispozitat tjera kushtetuese që rregullojnë statusin e institucioneve të pavarura kushtetuese.
Në kërkesën e tij, parashtruesi gjithashtu kërkoi që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e menjëhershëm të dispozitave të kontestuara, të cilën kërkesë Gjykata e miratoi qysh pas shqyrtimit të parë më 19 nëntor 2019 dhe që e vazhdoi për herë të dytë, në seancën shqyrtuese të mbajtur më 26 shkurt 2020, deri më 28 prill 2020.
Kërkesa bazohej në paragrafin 2, nënparagrafin 1, të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] dhe në paragrafin 2, të nenit 116 [Efekti juridik i vendimeve] të Kushtetutës, në nenet 22, 27, 29 dhe 30 të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32, 56 dhe 57 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, njëzëri vendosi:

I. TA VAZHDOJË masën e përkohshme të vendosur me Vendimin për masë të përkohshme në rastin KO 203/19 të datës 19 nëntor 2019, të vazhduar me Vendimin e 26 shkurtit 2020, deri më 30 qershor 2020;
II. TA VAZHDOJË PEZULLIMIN e zbatimin në tërësi të Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën I;

2. Aktgjykim
Lënda: KI 193/18
Parashtrues: Agron Vula

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetushmërisë së aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac. nr. 227/18], të datës 18 shtator 2018, lidhur me mospërmbarimin e Vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës [A 02 158/07], të datës 25 shkurt 2008. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se vendimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit, përkitazi me mospërmbarimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nga Komuna e Gjakovës, i ka cenuar atij të drejtat e garantuara me nenet: 31 [E drejta për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm], 32 [E drejta për mjete juridike], 49 [E drejta e punës dhe ushtrimit të profesionit] dhe 54 [Mbrojtja gjyqësore e të drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenet 6 [E drejta për një proces të rregullt] dhe 13 [E drejta për zgjidhje efektive] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).
Kërkesa bazohej në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 47 të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 59 (1) dhe 66 të Rregullores së punës, vendosi:

I. TË SHPALLË, njëzëri, kërkesën të pranueshme;
II. TË KONSTATOJË njëzëri se mospërmbarimi i Vendimit të KPMK-së, A 02 158/2005, i 25 shkurtit 2008, ka shkaktuar shkelje të nenit 31, 32 dhe 54 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 dhe 13 të KEDNJ-së;
III. TË UDHËZOJË parashtruesin e kërkesës në procedurë civile për kompensim eventual të dëmit;

3. Aktvendim
Lënda: KI 236/19
Parashtrues: Hamdi Kuleta

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetushmërisë së aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës [nr. AC-I-14-0339-A0001] për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të datës 29 nëntor 2019. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me këtë vendim i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] dhe 32 [E drejta për mjete juridike] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 22 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme. 

4. Aktvendim
Lënda: KI 59/19
Parashtrues: Snežana Nešević

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetushmërisë së aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac. nr. 203/14], të datës 17 dhjetor 2018, në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë [C.nr.653/09], të datës 11 nëntor 2013. Parashtruesja e kërkesës pretendonte se me këtë aktgjykim i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të saj të garantuara me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me nenin 46 [Mbrojtja e pronës] të Kushtetutës dhe me nenin 17 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme. 

5. Vendim
Lënda: KI 201/19
Parashtrues: Tush Kolgjeraj

Objekt i çështjes së kërkesës ishte kërkesa e parashtruesit për rishqyrtim të Aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese për papranueshmëri KI 127/18, të datës 21 tetor 2019, me të cilin kërkesa e tij ishte shpallur e papranueshme sepse ishte dorëzuar jashtë afatit ligjor.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, si dhe në nenet: 22 [Procedimi i kërkesës], 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese.
– Gjykata, në mbështetje të nenit 113.7 të Kushtetutës, të nenit 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 35 (5) të Rregullores së punës, vendosi ta refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër.