Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 17 dhjetor 2020

17.12.2020

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 17 dhjetor 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat: 1. KI 193/19; 2. KI 18/20; 3. KO 56/20; 4. KI 157/20 dhe 5. KI 166/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

1.Lënda: KI 193/19
Parashtrues: Salih Mekaj

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Pml.nr.36/2019], të datës 5 qershor 2019, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6.1 [E Drejta për një Proces të Rregullt Gjyqësor] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesat individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 59 (1) të Rregullores së punës:

VENDOS

I. TË SHPALLË kërkesën të pranueshme;

II. TË KONSTATOJË shkelje të nenit 31.1 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 [E Drejta për Proces të Rregullt Gjyqësor] të KEDNJ-së;

III. TË SHPALLË të pavlefshëm Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, Pml.nr. 36/2019, të 5 qershorit 2019, dhe KTHEN të njëjtin për rivendosje, në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës;

IV. TË URDHËROJË Gjykatën Supreme, që të njoftojë Gjykatën, në pajtim me rregullin 66 (5) të Rregullores së punës, për masat e ndërmarra për ta zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës, jo më larg se më 21 qershor 2021;

2. Lënda: KI 18/20
Parashtrues: Fatmir Hoti

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [PML. nr. 316/2019], të datës 22 nëntor 2019, në ndërlidhje me aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [PN. nr. 794/2019], të datës 23 korrik 2019 dhe me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë [PK. nr. 278/19], të datës 3 korrik 2019. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me vendimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me nenet: 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me nenin 6 [E Drejta për një Proces të Rregullt Gjyqësor] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesat individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (3)(b) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

3. Lënda: KO 56/20
Parashtrues: Rexhep Selimi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së, “veprimit të Presidentit të Republikës së Kosovës, të datës 23 mars 2020, të shprehur përmes konferencës për medie për mosrespektim dhe moszbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës”. Parashtruesit e kërkesës pretendonin që, “veprimi” i Presidentit të Republikës së Kosovës i shprehur përmes deklaratës së tij në konferencën për medie, përbën shkelje serioze të Kushtetutës, respektivisht paragrafit 2 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], paragrafëve 3 dhe 4 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafit 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafëve 1 dhe 2 dhe paragrafit 4 të nenit 16 [Epërsia e Kushtetutës], paragrafit 4 të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], nenit 97 [Përgjegjësia] dhe paragrafit 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit të Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafin 6 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 44 [Saktësimi i kërkesës] dhe 45 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve] dhe 75 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.6 të Kushtetutës dhe me nenet 44 dhe 45 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

PËRFUNDIME

Parashtruesit e kërkesës, më 31 mars 2020 dorëzuan kërkesën e tyre në Gjykatë, përmes të cilës pretenduan se “veprimi” i Presidentit të Republikës së Kosovës i shprehur përmes Deklaratës së tij në konferencën për media përbënte shkelje serioze të Kushtetutës, respektivisht paragrafit 2 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], paragrafëve 3 dhe 4 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafit 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafëve 1 dhe 2 dhe paragrafit 4 të nenit 16 [Epërsia e Kushtetutës], paragrafit 4 të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], nenit 97 [Përgjegjësia] dhe paragrafit 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit të Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata, menjëherë pas regjistrimit të kërkesës kishte zhvilluar procedurat e nevojshme për njoftimin e palëve në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi. Si rrjedhojë e kësaj, Gjykata kishte pranuar përgjigjen e Presidentit ndaj pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, si dhe komentet e parashtruesve të kërkesës ndaj përgjigjes së Presidentit.
Megjithatë, para se Gjykata të vendoste përfundimisht në lidhje me kërkesën e parashtruesve të kërkesës, përmes të cilës pretendohej kryerja e shkeljes serioze e Kushtetutës nga Presidenti, më 5 nëntor 2020, Presidenti i Republikës së Kosovës dha dorëheqje nga pozita e Presidentit.

Në këtë kontekst, edhe paragrafi 5 i Rregullit 75 i Rregullores së Punës përcakton që: “Gjykata urdhëron ndërprerjen e procedurave të iniciuara në pajtim me këtë rregull në rast se para nxjerrjes së vendimit të saj, Presidenti i Republikës së Kosovës ka dhënë dorëheqje ose ka ndërprerë mandatin e tij/saj.”

Si rrjedhojë e kësaj rrethane të re dhe bazuar në faktin se kërkesa është dorëzuar në bazë të nenit 113, paragrafit 6 të Kushtetutës, me ç‘rast parashtruesit e kërkesës kontestuan kushtetutshmërinë e veprimit të Presidentit përmes Deklaratës së tij të dhënë më 23 mars 2020 dhe rrjedhimisht, ndërlidhet me kërkesën për konstatimin e një shkelje serioze që do të mund të rezultonte në shkarkimin e Presidentit, ndërsa Presidenti më nuk ushtron këtë detyrë, Gjykata bazuar në rrethanat e krijuara pas dorëzimit të kërkesës nga parashtruesit e kërkesës, si pasojë e dorëheqjes së Presidentit dhe në përputhje me nenin 113.6 të Kushtetutës, me nenet 44 dhe 45 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, dhe me rregullat 59 dhe 75 (5) të Rregullores së Punës konstatoi se, më nuk ka rast para vetes dhe rrjedhimisht, njëzëri vendosi për ndërprerjen e procedurave të shqyrtimit të mëtejmë të kërkesës.

PËR KËTO ARSYE

– Gjykata, në pajtim me paragrafin 6 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 44 dhe 45 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 59 dhe paragrafin 5 të rregullit 75 të Rregullores së punës, njëzëri:

VENDOS

I. TË NDËRPRERJË procedurën e shqyrtimit të kërkesës së parashtruesve të kërkesës;
II. T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;

4. Lënda: KI 157/20
Parashtrues: Naser Peci, si përfaqësues i pretenduar i personit S. B.

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, me të cilin pretendohej t’i jenë shkelur të drejtat e personit S.B, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 35 (5) dhe 59 (3) të Rregullores së punës, kërkesa të refuzohet.

5. Lënda: KI 166/20
Parashtrues: Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ-UZVP. nr. 34/2020], të datës 6 maj 2020, me të cilin, sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në nenin 21.4 dhe nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.