Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 14 tetor 2020

14.10.2020

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 14 tetor 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat: 1. KI 12/20; 2. KI 25/20; 3. KI 74/20 dhe 4. KI 93/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

1. Aktvendim
Lënda: KI 12/20
Parashtrues: Hamijete Dinarama-Daija

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës [AC-I-13-0181-A0008], të datës 29 gusht 2019, për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Parashtruesja e kërkesës pretendonte se me vendimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat e saj të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit 1 (Mbrojtja e Pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 22 [Procedimi i kërkesës] dhe nenin 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (1) (c) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

2. Aktvendim
Lënda: KI 25/20
Parashtrues: Dashamir Uruçi

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev.nr.367/2019], të datës 10 dhjetor 2019, në lidhje me aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac.nr. 3906/19], të datës 9 shtator 2019. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me vendimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për një Gjykim të Drejtë] të Kushtetutës së Republikës, si dhe me nenet 5 (E drejta për liri dhe siguri) dhe 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20, 47 dhe 49 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (1)(c) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

3. Aktvendim
Lënda: KI 74/20
Parashtrues: Gazmend Boshnjaku

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Administratës Tatimore të Kosovës, Zyra Regjionale në Gjakovë [NRB 70157617], të datës 10 maj 2011, me të cilin, sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesi gjithashtu kërkoi nga Gjykata që të vendosë masë të përkohshme, në mënyrë që ta anulojë vendimin e Administratës Tatimore.
Kërkesa bazohej në nenet 21.4 dhe 113.7 të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 27 [Masat e përkohshme] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që të refuzohet kërkesa për masë të përkohshme dhe që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (1)(b) e 57 (1) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

4. Vendim
Lënda: KI 93/20
Parashtrues: Tush Kolgjeraj

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [PN. nr. 825/17], të datës 6 tetor 2017, me të cilin, sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, i janë shkelur të gjitha të drejtat e tij të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me nenin 116.1 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 35 (5) të Rregullores së punës, kërkesa të refuzohet.