Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 13 maj 2020

13.05.2020

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 13 maj 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesat: 1. KI 127/19; 2. KI 06/20; 3. KI 123/19 dhe 4. KO 116/19. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve të Gjykatës (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

1. Aktvendim
Lënda: KI 127/19
Parashtrues: Benizar Berisha

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac.nr. 4988/18], të datës 13 mars 2019, me të cilin parashtruesja e kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat e saj të garantuara me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt gjyqësor) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesat individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) e 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.

2. Aktvendim
Lënda: KI 06/20
Parashtrues: Migjen Selmani

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ-UZVP.nr.95/2019], të datës 29 korrik 2019, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenet: 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm], 49 [E drejta e punës dhe e ushtrimit të profesionit] dhe 55 [Kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 49 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.

3. Aktgjykim
Lënda: KI 123/19
Parashtrues: “SUVA Rechtsabteilung”

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ae. nr.146/17], të datës 26 shkurt 2019, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 59 (1) të Rregullores së punes, me shumicë votash, vendosi:

I.  TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
II. TË KONSTATOJË se ka pasur shkelje të nenit 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
III. TË SHPALLË të pavlefshëm Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [Ae. Nr. 146/17], të 26 shkurtit 2019;
IV. TË KTHEJË Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [Ae. Nr. 146/17], të 26 shkurtit 2019, për rishqyrtim në pajtim me këtë Aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese;
V. TË URDHËROJË Gjykatën e Apelit që ta njoftojë Gjykatën, në pajtim me rregullin 66 (5) të Rregullores së punës, për masat e ndërmarra për ta zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës;
VI. TË MBETET fuqimisht e angazhuar në këtë çështje në pritje të pajtimit me këtë urdhër;

4. Vendim
Lënda: KO 116/19
Parashtrues: Ismet Kryeziu – përfaqësues i pretenduar

Objekt i çështjes së kërkesës ishte kërkesa për interpretim ligjor të aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës [AC-I-13-0125-0001 dhe 0002], për çështje që ndërlidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), të datës 22 korrik 2015, në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [PAKR 158/15], të datës 5 prill 2015. Kërkesa u parashtrua nga Ismet Kryeziu, Drejtor i Departamentit Ligjor të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, i cili gjatë procedurës së shqyrtimit të lëndës nuk i dëshmoi Gjykatës nëse kërkesën për interpretim ligjor nga Gjykata Kushtetuese e parashtroi në emër të tij, si drejtor i zyrës që ai përfaqëson, ose si përfaqësues i autorizuar i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafin 10 të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], në lidhje me nenin 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.1 të Kushtetutës, me nenet 22.4 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 35 (5) të Rregullores së punës, vendosi të refuzojë kërkesën.