Vendimet e publikuara gjatë muajit shtator 2024

10.10.2024

Gjatë muajit shtator 2024, në Gjykatën Kushtetuese:

• janë shqyrtuar katërdhjetë e tetë (48) raste;
• janë marrë vendimet për katërdhjetë e dy raste (42) raste:
• janë publikuar tetëmbëdhjetë (18) vendime;

Gjatë kësaj periudhe, në ueb-faqen e Gjykatës Kushtetuese janë publikuar (i) katër (4) Aktgjykime; (ii) dymbëdhjetë (12) Aktvendime për papranueshmëri; dhe (iii) dy (2) Vendime.

Aktgjykimet
_______________________
I.
1. KI23/24
Parashtrues: Agim Zogaj
Publikuar më: 5 shtator 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë
Kosovare të Privatizimit [AC-I-21-0836-A0001], të 26 tetorit 2023

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [AC-I-21-0836-A0001] të 26 tetorit 2023 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Fillimisht, Aktgjykimi sqaron se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesën e parashtruesit të dorëzuar tek Autoriteti i Likuidimit i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për kompensimin e pagave të papaguara për periudhën tetor 2003 – qershor 2014, si i punësuar tek NSH “Auto Prishtina”. Pasi që kërkesë e tij u refuzua, me arsyetimin se e njëjta ishte parashkruar, parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe NSH “Auto Prishtina”, përmes së cilës kërkoi që t’i njihej e drejta e kompensimit për pagat e papaguara për periudhën kohore të lartpërmendur. Më 15 nëntor 2021, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës përmes Aktgjykimit e aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe vendosi gjithashtu që të mos mbajë seancë dëgjimore. Kundër Aktgjykimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, Autoriteti i Likuidimit i Agjencisë Kosovare të Privatizimit dorëzoi ankesë në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për shkak të vlerësimit të gabuar të gjendjes faktike dhe juridike, ndaj të cilës më pas, parashtruesi i kërkesës dorëzoi përgjigje në ankesë. Më 26 tetor 2023, Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, përmes Aktgjykimit, e vlerësoi si të bazuar ankesën e Autoritetit të Likuidimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe ndryshoi Aktgjykimin e shkallës së parë, ashtu që refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se sipas dispozitave të Ligjit Nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve, kërkesa e tij ishte parashkruar. Gjithashtu, përmes Aktgjykimit të lartpërmendur, Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës vendosi të mos mbajë seancë të shqyrtimit gjyqësor. Në vijim, Aktgjykimi sqaron se, parashtruesi i kërkesës, në kërkesën e tij dorëzuar në Gjykatë, pretendoi se përmes vendimit të kontestuar, i është cenuar e drejta e tij e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si rezultat i zbatimit të gabuar të ligjit, që në thelb përkon me (i) mosarsyetim të vendimit gjyqësor; dhe (ii) mosmbajtje të seancës dëgjimore. Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me vendimin e arsyetuar gjyqësor dhe mbajtjen e seancës dëgjimore, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Së pari, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, për shkak të mosarsyetimit të vendimit gjyqësor, Gjykata konstatoi se përmes Aktgjykimit të lartcekur, Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës nuk kishte elaboruar mjaftueshëm se si ishte arritur parashkrimi edhe për 3 (tre) vitet e fundit para paraqitjes së padisë, gjegjësisht për vitet 2011-2014. Në këtë aspekt, Gjykata konstatoi se Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës ofroi një konkludim të përgjithshëm dhe arsyetim të pamjaftueshëm lidhur me parashkrimin e kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës, gjegjësisht mungesën e ofrimit të ndonjë prove mbi ndërprerjen e parashkrimit dhe pavlefshmërisë së listës së 12 shtatorit 2014, provë të cilën në raste të tjera të ngjashme me të parashtruesit të kërkesës, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës e kishte pranuar si të vlefshme. Së dyti, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mungesë të mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata, duke aplikuar parimet që burojnë nga praktika e saj gjyqësore dhe ajo e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, theksoi që në parim, mbajtja e seancës dëgjimore në të paktën njërën nga instancat gjyqësore është detyrim kushtetues, ndërsa përderisa përjashtimet nga ky parim janë të mundshme, rrethanat e rastit konkret, nuk përkojnë me mundësinë e këtij përjashtimi, dhe rrjedhimisht, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, nuk kanë ekzistuar rrethana të cilat do të mund të justifikonin mungesën e seancës dëgjimore. Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi që përmes Aktgjykimit të kontestuar të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, si rezultat i mosarsyetimit të vendimit gjyqësor dhe mosmbajtjes së seancës dëgjimore, parashtruesit të kërkesës i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund ta lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

2. KI190/22
Parashtrues: Ramiz Isaku
Publikuar më: 19 shtator 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [AC-I-21-0642], të 31 gushtit 2022

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [AC-I-21-0642] të 31 gushtit 2022 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Fillimisht, Aktgjykimi sqaron se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesën e parashtruesit të dorëzuar tek Autoriteti i Likuidimit i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për kompensimin e pagave të papaguara për periudhën gusht 2003 – maj 2004, si ish i punësuar tek NSH “Industria e Duhanit”. Autoriteti i Likuidimit i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, më 10 mars 2014, refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se e njëjta ishte parashkruar. Parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe NSH “Industria e Duhanit”, përmes së cilës kërkoi që t’i njihej e drejta e kompensimit për pagat e papaguara për periudhën kohore të lartpërmendur. Më 6 shtator 2021, Kolegji i Specializuar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës përmes Aktgjykimit refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, ndërsa ky vendim u konfirmua nga Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës më 31 gusht 2022. Më tej, parashtruesi i kërkesës paraqiti propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kundër vendimeve të instancave më të ulëta, kërkesë kjo që u refuzua më 4 tetor 2022 nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit. Aktgjykimi në vijim sqaron se, në kërkesën e tij dorëzuar në Gjykatë, parashtruesi i kërkesës pretendoi se, përmes Aktgjykimit të kontestuar të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, i është cenuar e drejta e tij e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës për shkak të cenimit të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse apo divergjencës në praktikën gjyqësore të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Parashtruesi i kërkesës në thelb para Gjykatës pretendoi se, gjykatat e rregullta kanë dështuar të vendosin njësoj për çështje të njëjta faktike dhe juridike, duke iu referuar rasteve të ish-punëtorëve të NSH “Industria e Duhanit”. Në mbështetje të pretendimeve të tij, parashtruesi dorëzoi në Gjykatë gjithsej njëzet (20) vendime të gjykatave të rregullta, respektivisht dhjetë (10) vendime të Kolegjit të Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe dhjetë (10) vendime të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, në të cilat ishin interpretuar dhe aplikuar ndryshe dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 1978 dhe Ligjit për Punën e Bashkuar të vitit 1976, që ndërlidheshin me afatin e parashkrimin. Të gjitha vendimet e lartpërmendura dhe të dorëzuara nga parashtruesi i kërkesës, janë gjerësisht të elaboruara në Aktgjykim. Gjykata shqyrtoi të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës që ndërlidhen me cenimin e parimit të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës në aplikimin dhe interpretimin e dispozitave ligjore që ndërlidhen me afatin e parashkrimit sipas përcaktimeve të ligjeve të lartcekura. Për këtë qëllim, ajo fillimisht shtjelloi dhe më pas aplikoi në rrethanat e rastit konkret (i) parimet themelore që ndërlidhen me konsistencën e praktikës gjyqësore, të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e të afirmuara edhe përmes praktikës gjyqësore të vet Gjykatës; si dhe (ii) kriteret përkatëse bazuar në të cilat këto të fundit vlerësojnë nëse mungesa e konsistencës, përkatësisht divergjenca në praktikën gjyqësore, përbën shkelje të parimit të sigurisë juridike, përkatësisht shkelje të nenit 31 [ E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E Drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejta e Njeriut, përfshirë nëse: (a) divergjencat në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata”; (b) ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe (c) ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti. Në këtë kuptim, Gjykata vërejti se, për dallim nga rasti në shqyrtim, Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës në dhjetë (10) rastet e lartcekura, të dorëzuara nga vet parashtruesi i kërkesës dhe që ndërlidhen me kompensimin e pagave për periudhën 2003-2004 për ish-punëtorët e NSH “Industria e Duhanit”, kishte konstatuar se nuk është i aplikueshëm neni 608 i Ligjit për Punën e Bashkuar, duke konsideruar se afati i parashkrimit është ndalur me lajmërimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kërkesat për kompensim. Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, për shkak të divergjencës në praktikën gjyqësore të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, Gjykata konstatoi se në rrethanat e rastit konkret, (i) ekzistojnë “dallime të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës; se (ii) ekzistojnë mekanizma të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për harmonizimin e kësaj praktike; dhe se (iii) ky mekanizëm ekzistues, bazuar në shkresat e lëndës, rezulton që nuk është përdorur. Si rrjedhojë e këtij konstatimi, Gjykata theksoi se “dallimet e thella dhe afatagjata” në praktikën gjyqësore të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të ndërlidhura me mospërdorimin e mekanizmave të përcaktuar me ligj e të dizajnuar për të siguruar konsistencën e duhur brenda praktikës gjyqësore të gjykatës më të lartë në vend, kanë rezultuar në cenim të parimit të sigurisë juridike dhe në shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të parashtruesit të kërkesës. Gjykata gjithashtu theksoi se, ky konstatim ndërlidhet vetëm me mospërdorimin efektiv të mekanizmave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës me qëllim të sigurimit të konsistencës së nevojshme të praktikës gjyqësore në shërbim të sigurisë juridike dhe parimit të sundimit të ligjit, përderisa nuk e paragjykon rezultatin e meritave të rastit dhe i cili kthehet në rivendosje në gjykatën përkatëse.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund ta lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

3. KI103/24
Parashtrues: Sylejman Zeneli
Publikuar më: 24 shtator 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev.nr.485/2022], të 5 janarit 2023

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Rev.nr.485/2022] të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 5 janarit 2023. Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me marrëdhënien e punës që parashtruesi i kërkesës kishte me Limak Kosovo International Airport “Adem Jashari” J.S.C, në pozitën e Menaxherit të Sigurimit, nga viti 2002. Bazuar në shkresat e lëndës, në vitin 2012, “Limak Kosova” ia kishte ndërprerë parashtruesit të kërkesës marrëdhënien e punës me pretendimin se i njëjti ka dështuar në përmbushjen e detyrave të përcaktuara në kontratën e tij të punës. Pas kontestimit të këtij vendimi nga ana e parashtruesit të kërkesës, Gjykata Themelore, nëpërmjet Aktgjykimit, aprovoi padinë e parashtruesit të kërkesë, duke urdhëruar kthimin në vendin e punës dhe kompensimin e pagave të humbura. Ky Aktgjykim ishte vërtetuar nëpërmjet Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimit të Gjykatës Supreme. Si rezultat, sipas parashtruesit të kërkesës, ai ishte kompensuar për pagat e humbura deri në moshën e pensionimit të tij, në vitin 2017. Megjithatë, duke marrë parasysh që në vitin 2017 parashtruesi i kërkesës kishte arritur moshën e pensionimit, ai kishte parashtruar padinë e dytë ndaj “Limak Kosova”, duke kërkuar kompensimin e tri (3) pagave përcjellëse të pensionimit, dhe të dy (2) pagave jubilare bazuar në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, e cila ishte në fuqi nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetori 2017. Gjykata Themelore, nëpërmjet Aktgjykimit refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se të njëjtit: (i) nuk i takon shpërblimi jubilar, pasi që në kohën kur ai kishte arritur vitin jubilar në vitin 2012, Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, nuk ishte në fuqi; ndërsa për sa i përket (ii) kompensimit të pagave përcjellëses të pensionimit si rezultat i daljes në pension, parashtruesi i kërkesës në momentin e pensionimit nuk kishte qenë në marrëdhënie të punës tek “Limak Kosova”. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte vërtetuar nëpërmjet Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme. Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi Aktgjykimin [Rev.nr.485/2022] e 5 janarit 2023 të Gjykatës Supreme, që ndërlidhej me padinë e dytë, përkatësisht kërkesën për kompensimin e tri (3) pagave përcjellëse pas pensionimit dhe të dy (2) pagave jubilare, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, si dhe paragrafin 1 të nenit 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me interpretimin dhe zbatimin e gabuar dhe arbitrar të ligjit, sipas së cilave Gjykata Kushtetuese mund të bëjë vlerësimin e interpretimeve dhe zbatimit të ligjeve nga ana e gjykatave të rregullta vetëm përjashtimisht dhe atë vetëm nëse ato interpretime mund të kenë rezultuar në konkluzione arbitrare ose qartazi të paarsyeshme; dhe më pas (ii) i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, në lidhje me refuzimin e padisë së parashtruesit të kërkesës që ndërlidhet me kërkesën për kompensimin e tri (3) pagave përcjellëse pas pensionimit, Gjykata vërejti se Gjykata Supreme duke u thirrur në nenin 53 (Kompensimi në rast të pensionimit) të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, që përcakton se “i punësuari, me rastin e pensionimit, gëzon të drejtën në pagesën përcjellëse në lartësi prej tri (3) paga mujore, që i ka marrë për tre (3) muajt të fundit”, vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk i takon kjo e drejtë pasi ai nuk ka kryer në mënyrë efektive punët dhe detyrat e punës te i padituri në tre muajt e fundit para pensionimit, dhe nuk ka realizuar të ardhura mujore tek i padituri. Lidhur me këtë, Gjykata vlerësoi se neni 53 (Kompensimi në rast të pensionimit) i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, në rrethanat e rastit konkret, është interpretuar në mënyrë të shkëputur, duke shpërfillur faktin se parashtruesi i kërkesës kishte vendim të formës së prerë për kthim në vendin e punës, dhe se për këtë arsye i njëjti nuk mund të punonte efektivisht tek punedhesit deri në ditën e pensionimit të tij. Si pasojë, Gjykata vlerësoi se interpretimi i nenit 53 (Kompensimi në rast të pensionimit) të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive nga Gjykata Supreme, në rrethanat e rastit konkret, ka rezultuar në konkluzione arbitrare për parashtruesin e kërkesës, në kundërshtim me të drejtën për gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndërsa sa i përket të drejtës për pagesën e dy (2) pagave jubilare, Gjykata, bazuar në ligjin e aplikueshëm dhe në praktikën e saj gjyqësore përkitazi me raste të tilla, pretendimet e parashtruesit të kërkesë për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, si rezultat i mos akordimit të pagave jubilare, i vlerësoi si të pabazuara, pasi duke pasur parasysh që ai ishte punësuar tek “Limak Kosova” në vitin 2002, viti jubilar në rastin e tij ishte përmbushur në vitin 2012, në periudhën kur në Kosovë nuk ka ekzistuar kontrata kolektive.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund ta lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

4. KI177/22
Parashtrues: Pashk Bibaj
Publikuar më: 24 shtator 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë
Kosovare të Privatizimit [AC-II-21-0058], të 23 majit 2022

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit [AC-II-21-0058], të 23 majit 2022. Aktgjykimi fillimisht sqaron që, rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me faktin se parashtruesi i kërkesës dhe Kooperativa Bujqësore “SH.A. Bec” në vitin 2001 kishin lidhur kontratën për shitblerjen e paluajtshmërive, prona të “SH.A. Bec”, të cilën e kishin regjistruar në Gjykatën Komunale në Pejë, më 14 mars 2002. Më 3 mars 2005 dhe 5 korrik 2006, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit kishte paraqitur kërkesë për mosregjistrimin e paluajtshmërive në emër të parashtruesit të kërkesës, në Zyrën Kadastrale në Gjakovë. Më 28 prill 2016, Agjencia Kosovare e Privatizimit parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Gjakovë, nëpërmjet së cilës kërkoi anulimin e kontratës së shitblerjes dhe dorëzimin e paluajtshmërive në posedim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me arsyetimin se kontrata e shitblerjes ishte lidhur dhe vërtetuar në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi dhe në kundërshtim me rregullat për shitjen e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore. Parashtruesi i kërkesës, në përgjigjen e tij ndaj padisë së Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kundërshtoi në tërësi padinë duke pretenduar se kontrata e shitblerjes është lidhur në pajtim me dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve. Gjykata Themelore, më 2 gusht 2019, vendosi që të refuzojë padinë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit si të pabazuar, me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës “është blerës i paluajtshmërive të cilat janë objekt i kontratës”. Agjencia Kosovare e Privatizimit, më 16 shtator 2019, paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore. Më 28 shtator 2021, Gjykata e Apelit përcolli dosjen e rastit në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës duke e konsideruar se e njëjta ka kompetencë lëndore për vendosje lidhur me ankesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Nga dosja e lëndës rezulton që, Gjykata e Apelit, me rastin e dorëzimit të dosjes së rastit në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (i) nuk kishte përfshirë përgjigjen e parashtruesit të kërkesës ndaj ankesës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit; dhe se (ii) parashtruesi i kërkesës nuk ishte njoftuar në lidhje me transferimin e rastit të tij në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Si rezultat i transferimit të çështjes në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, kjo e fundit, pasi konstatoi kompetencën lëndore në lidhje me padinë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, aprovoi ankesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit si të bazuar dhe ndryshoi e Gjykatës Themelore, të 2 gushtit 2019. Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi Aktgjykimin e lartcekur të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, duke pretenduar shkelje të të drejtave të tij të mbrojtura me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës pretendoi që, këto të drejta i janë cenuar për shkak se, si rezultat i mos njoftimit nga ana e instancave gjyqësore për transferimin e çështjes së tij në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, atij i (i) ishte pamundësuar paraqitja e provave në favor të tij; dhe (ii) po ashtu i ishte pamundësuar që të kërkojë mbajtjen e seancës dëgjimore në këtë instancë gjyqësore. Në këtë kuptim, Gjykata vlerësoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës ndërlidhen me parimin e kontradiktoritetit në procedurë gjyqësore dhe të drejtën e tij për t’u dëgjuar, si pjesë përbërëse të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Rrjedhimisht, Gjykata sqaroi se është fokusuar në pretendimin e parashtruesit të kërkesës për të kërkuar mbajtjen e një seance dëgjimore para Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, e mundësuar sipas dispozitave të Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me parimin e kontradiktoritetit dhe të drejtën për të kërkuar mbajtjen e seancës dëgjimore, si dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Bazuar në këtë, Gjykata në vijim vlerësoi se: (i) mbështetur në nenin 69 (Procedurat e ankesës me gojë) të Ligjit të aplikueshëm për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, parashtruesi i kërkesës ka të drejtë t’i parashtrojë Kolegjit të Apelit kërkesë për mbajtje të seancës dëgjimore, përmes së cilës i njëjti në kuptim dhe në kuadër të parimit të kontradiktoritetit, ka të drejtë të paraqesë argumentet dhe dëshmitë e tij që ndërlidhen me kërkesëpadinë e Agjencisë Kosovare për Privatizim; (ii) megjithatë, një kërkesë e tillë parashtruesit të kërkesës i ishte pamundësuar për shkak se, i njëjti nuk ishte njoftuar në lidhje me transferimin e çështjes së tij nga Gjykata e Apelit në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, qoftë nga Gjykata e Apelit apo vetë Kolegji i Apelit. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, si rezultat i mohimit të së drejtës për të parashtruar kërkesën për mbajtjen e seancës dëgjimore, parashtruesit të kërkesës i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Bazuar në këtë konstatim, Gjykata theksoi se Kolegji i Apelit Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, në procedurë të rivendosjes, dhe në kuptim të së drejtës së tij për t’u dëgjuar duhet që parashtruesit të kërkesës t’i mundësojë paraqitjen e të gjitha argumenteve përkitazi me çështje të ligjit dhe të fakteve, përfshirë edhe ofrimin e mundësisë për të paraqitur prova të reja.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund ta lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

Aktvendimet për papranueshmëri
_______________________________

II.
Në dhjetë (10) Aktvendime për papranueshmëri të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se, kërkesat e parashtruesve janë të papranueshme bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 48 (Saktësimi i kërkesës) të Ligjit, paragrafin (2) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës sepse (i) pretendimet e parashtruesve të kërkesave përkatëse hyjnë në kategorinë e shkallës së katërt; (ii) reflektojnë pretendime me “mungesë të dukshme të shkeljes”, dhe/ose (iii) të njëjtat janë “të pambështetura apo të paarsyetuara”

5. KI67/23
Parashtrues: Ejup Koci
Publikuar më: 5 shtator 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë [C. nr. 84/2022], të 23 nëntorit 2022

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

6. KI183/23
Parashtrues: Bujar Hoti
Publikuar më: 5 shtator 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev.nr.239/23], të 31 korrikut 2023

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

7. KI198/23
Parashtrues: Nevruz Berisha
Publikuar më: 5 shtator 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [PML.nr. 201/23], të 30 majit 2023

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

8. KI95/23
Parashtrues: Sylë Vitija
Publikuar më: 10 shtator 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [ARJ nr. 111/2022], të 23 dhjetorit 2022

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

9. KI45/24
Parashtrues: Reshad Neziri
Publikuar më: 24 shtator 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [AC-I-22-0372-A0001], të 26 tetorit
2023

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

10. KI77/23
Parashtrues: Interlex Associates sh. p. k.
Publikuar më: 24 shtator 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë
Kosovare të Privatizimit [AC-I-23-0083-A0001], të 16 marsit 2023

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

11. KI111/24
Parashtrues: Shpend Berisha
Publikuar më: 24 shtator 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev. nr. 521/23], të 15 dhjetorit 2023

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

12. KI127/24
Parashtrues: E.K.
Publikuar më: 24 shtator 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [PML. nr. 182/2024], të 16 prillit 2024

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

13. KI83/24
Parashtrues: “H.P.G.” sh.p.k.
Publikuar më: 26 shtator 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [AC-I-22-0707] për çështjet në lidhje
me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 16 nëntorit 2023

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

14. KI188/23
Parashtrues: Isuf Gashi
Publikuar më: 27 shtator 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [ARJ. nr. 521/2023], të 11 majit 2023

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

III.
Në një (2) Aktvendime për papranueshmëri të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se kërkesa e parashtruesve është e papranueshme bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 49 (Afatet) të Ligjit, pikën (c) paragrafin (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, sepse e njëjta është parashtruar jashtë afatit katër (4) mujor

15. KI139/23
Parashtrues: Gjylshahe Hysenaj
Publikuar më: 27 shtator 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Urdhërit [P.nr.89/2018] të 2 dhjetorit 2019, të Përmbaruesit Privat Fatos Shatri, në lidhje me Aktvendimin [CA.nr.574/2020] të 21 tetorit
2020 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

16. KI75/24
Parashtrues: Mufail Halili
Publikuar më: 24 shtator 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Api.nr. 10/2011], të 15 marsit 2012

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

Vendimet
_____________________
IV.
Në dy (2) Vendime për Refuzim të Kërkesës të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se, kërkesat refuzohen bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit, pikën (b) paragrafin (2) të rregullit 54 (Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës, sepse të njëjtat nuk janë të plota

17. KI113/24
Parashtrues: Ivana Stojanović
Publikuar më: 3 shtator 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tejzgjatjes së pretenduar të procedurës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë

Tekstin e plotë të Vendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

18. KI136/23
Parashtrues: Kamer Kameri
Publikuar më: 24 shtator 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar

Tekstin e plotë të Vendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

Vërejtje:

Ky njoftim është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Tekstet e plota të vendimeve u janë dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në raste dhe do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara.