Vendimet e publikuara gjatë muajit gusht 2023

13.09.2023

Gjatë muajit gusht 2023, në Gjykatën Kushtetuese:

  • janë shqyrtuar katërdhjetë e një (41) raste;
  • janë marrë vendimet për tridhjetë e tetë (38) raste (procedura e publikimit të të cilave i nënshtrohet më tej përcaktimeve të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregullores së saj të punës);
  • janë publikuar pesë (5) vendime;

Përgjatë kësaj periudhe, në ueb-faqen e Gjykatës janë publikuar pesë (5) vendime, përkatësisht (i) tri (3) Aktgjykime; (ii) një (1) Aktvendim për papranueshmëri; dhe (iii) një (1) Vendim për masë të përkohshme.

Aktgjykimet
_____________________________________________________________

1. KO207/22
Parashtrues: Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës
Publikuar më: 7 gusht 2023
Konfirmimi i amendamentit të propozuar kushtetues të paraqitur nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 21 dhjetor 2022, me shkresën nr. 08/3198/DO-1347/1

Gjykata vlerësoi amendamentin e propozuar kushtetues të paraqitur nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 21 dhjetor 2022, me qëllim që të konstatohet nëse i njëjti i zvogëlon të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës. Gjykata konstatoi që, amendamenti i propozuar i nenit 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të Kushtetutës, përmes të cilit, listës së marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare drejtpërdrejtë të aplikueshme i shtohet edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, nuk zvogëlon të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës. Gjykata arriti në këtë konkluzion, pasi analizoi parimet kryesore të vendosura me Konventën e lartcekur dhe detyrimet specifike pozitive të shtetit që e njëjta parasheh, përkatësisht, ndërmarrjen e masave të nevojshme legjislative, si dhe masave të tjera, duke krijuar mekanizma në funksion të zbatimit të plotë të saj.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund të lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

2. KI161/21
Parashtruese: Suzana Zogëjani Sekiraqa
Publikuar më: 7 gusht 2023
Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Pml. nr. 310/202]0, të 28 prillit 2021

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Pml.nr.310/2020], të 28 prillit 2021, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës në ndërlidhje me Aktgjykimin [PAKR. nr. 133/2020], të 3 korrikut 2020 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [PKR.nr.37/2019] e 24 janarit 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Përmes  Aktgjykimeve të lartcekura, parashtruesja e kërkesës ishte dënuar me njëzet e pesë (25) vite burgim për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” sipas përcaktimeve në pikave 1.3 dhe 1.4 të paragrafit 1 të nenit 179 (Vrasja e rëndë) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për vrasjen e bashkëshortit të saj, përkatësisht të ndjerit A.S., në vitin 2018. Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së akteve të kontestuara, Gjykata, bazuar në parimet që burojnë nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konstatoi që procedurat përkatëse para gjykatave të rregullta nuk janë udhëhequr në përputhje me parimin e barazisë së armëve në mes prokurorisë dhe mbrojtjes së parashtrueses së kërkesës, ndër tjerash, sepse (i) nuk kishin mundësuar ballafaqimin e parashtrueses së kërkesës me disa nga dëshmitarët në rastin e saj; (ii) kishin refuzuar administrimin e provave, përkatësisht, dëshmive të propozuara nga pala mbrojtëse dhe sipas të cilave, ndër tjerash, rezulton që parashtruesja e kërkesës ishte viktimë e dhunës në familje; si dhe (iii) në rrethanat specifike të këtij rasti, kishin lejuar marrjen në pyetje të birit të saj, përkatësisht të miturit, X.X, në cilësi të dëshmitarit, gjatë procedurës së zhvilluar në Gjykatën Themelore, pa mbështetje profesionale, përkatësisht pa praninë e psikologut. Për pasojë, Gjykata konstatoi që Aktgjykimet e kontestuara janë nxjerrë në kundërshtim me paragrafin 1 dhe 4 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe pikën d) të paragrafit 3 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund të lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, dhe në gjuhën angleze dhe frënge mund ta lexoni duke klikuar këtu

3. KI129/22
Parashtrues: Sasa Milosavljevic
Publikuar më: 17 gusht 2023
Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktvendimit [PN1. nr. H09/2022], të 5 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimit [2022:19820] të 12 gushtit 2022 të Gjykatës Themelore në Ferizaj

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e Aktvendimit [PN1.nr.H09/2022], të 5 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimit [2022:19820], të 12 gushtit 2022 të Gjykatës Themelore në Ferizaj. Gjykata, ndër tjerash, vlerësoi pretendimet e parashtruesit lidhur me zgjatjen e paraburgimit para ngritjes së aktakuzës në tejkalim të kufizimeve kohore të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale. Në kontekstin e rrethanave të rastit dhe bazuar në parimet e përcaktuara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata vlerësoi se, Aktvendimi përkatës i Gjykatës së Apelit nuk është në pajtim me nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër tjerash, sepse përderisa Gjykata e Apelit kishte vërtetuar qëndrimin e Gjykatës Themelore lidhur me vazhdimin e paraburgimit të parashtruesit, e njëjta nuk kishte adresuar pretendimin specifik dhe thelbësor të ngritur para saj, përkatësisht nuk kishte dhënë përgjigje nëse vazhdimi i paraburgimit për më tepër se tetë (8) muaj para ngritjes së aktakuzës për një vepër penale të dënueshme deri në pesë (5) vjet, ishte në kundërshtim me përcaktimet e nenit 190 (Caktimi, vazhdimi dhe heqja e paraburgimit pas ngritjes së aktakuzës) të Kodit të Procedurës Penale.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund të lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

Aktvendimet për papranueshmëri 
_____________________________________________________________

1. KI152/21
Parashtrues: Arsim Krasniqi
Publikuar më: 2 gusht 2023
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AC-AKP nr. 01/2021], të 30 marsit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Në Aktvendimin për papranueshmëri në rastin KI152/21 të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se kërkesa e parashtruesit është e papranueshme bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit, pikën (b) të paragrafit (1), paragrafin (2) dhe pikën (d) të paragrafit (3) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, ndër tjerash, sepse pretendimet e parashtruesit të kërkesës përkitazi me (i) njohjen e të drejtave të pronësisë, kualifikohen si ratione temporis në pajtim me Kushtetutën; (ii) shkeljen e nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës, i takojnë kategorisë si qartazi të pabazuara sepse të njëjtat janë pretendime të “pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe (iii) nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, janë të papranueshme në baza procedurale për shkak të mosshterimit substancial të të gjitha mjeteve juridike.

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe përmbledhjes përkatëse, në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

Vendimet për masë të përkohshme
____________________________________________________________

1. KO160/23
Parashtrues: Abelard Tahiri dhe 11 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Publikuar më: 11 gusht 2023
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119, të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Në Vendimin për masë të përkohshme të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit, duke vlerësuar dhe balancuar efektet e vendosjes ose jo të masës së përkohshme dhe pezullimit të të gjitha vendimeve të miratuara nga Kuvendi në seancën plenare të 13 korrikut 2023, në dritën e parimit të sigurisë juridike si vlerë thelbësore e sundimit të ligjit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, vendosi që të refuzoj kërkesën për masë të përkohshme ndaj “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119, të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, pasi, ndër tjerash, (i) në kontekst të objektit në shqyrtim para Gjykatës, vlerësoi që para saj kontestohet vendimi për caktimin e seancës plenare, ndërsa masa e përkohshme kërkohet lidhur me vendimet e miratuara në seancën përkatëse të Kuvendit, përkundër faktit që parashtruesit e kërkesës nuk i kanë kontestuar ndaras/specifikisht këto vendime para Gjykatës; dhe (ii) parashtruesit e kërkesës nuk kanë paraqitur ndonjë dëshmi ose arsyetim se pse pezullimi i efektit të të gjitha vendimeve të Kuvendit të miratuara në seancën e 13 korrikut 2023, i kontribuon “evitimit të rreziqeve apo dëmeve të pariparueshme” dhe “interesit publik”. Në vendimin e saj për refuzimin e kërkesës për masën e përkohshme, Gjykata theksoi që, një konstatim i tillë nuk paragjykon në asnjë mënyrë pranueshmërinë dhe/ose meritat e kërkesës në rastin KO160/23.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund ta lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Vendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

Vërejtje: 

Ky njoftim është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Tekstet e plota të vendimeve u janë dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në raste dhe do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara.