U mbajt seanca dëgjimore publike në rastin KI56/18

10.02.2020

Në Gjykatoren e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës u mbajt seanca dëgjimore publike, në të cilën u shqyrtua kërkesa me numër të lëndës KI56/18, që për objekt të shqyrtimit kishte çështjen e “pamundësisë së parashtruesit të kërkesës, që birin e tij të ndjerë, i cili kishte vdekur në Suedi, ta regjistrojë në Regjistrin themeltar të të vdekurve në Kosovë”.

Parashtruesi i kërkesës, përfaqësuesi i Agjencisë së Regjistrimit Civil në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, si dhe përfaqësuesi i sektorit të gjendjes civile në Drejtorinë e Administratës së Komunës së Prishtinës, morën pjesë në seancën e mbajtur dëgjimore.

Pasi që pala parashtruese dhe palët e tjera të përfshira në rast paraqiten argumentet e tyre kryesore, ata u përgjigjen në disa pyetje të parashtruara përkitazi me objektin e çështjes nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata u ka dhënë një javë afat të gjitha palëve të përfshira në rast, që të dorëzojnë dokumentet shtesë dhe komentet e tyre përfundimtare përkitazi me rastin. Pas përfundimit të afatit për dorëzimin e komenteve dhe të dokumenteve shtesë, Gjykata do të vendos për meritat e rastit, për çka palët e përfshira në rast dhe opinioni publik do të njoftohen me kohë.