U mbajt konferenca e përbashkët ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme

09.10.2024

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës në vijimësi të organizimit të punëtorive të përbashkëta profesionale, morën pjesë në punëtorinë e radhës të organizuar me përkrahjen e Fondacionit gjerman për bashkëpunim juridik ndërkombëtar “IRZ”, e cila u mbajt në Selanik, më 6 – 7 tetor 2024.

Në konferencë morën pjesë znj. Gresa Caka-Nimani, kryetare e Gjykatës Kushtetuese, z. Fejzullah Rexhepi, kryetar i Gjykatës Supreme, z. Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ekspertët gjermanë të angazhuar nga Fondacioni “IRZ”, Prof. Dr. Michael Eichberger, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, Dr. Matthias Hartwig, ish-bashkëpunëtor i lartë hulumtues në Institutin “Max Planck” për të Drejtën Publike dhe të Drejtën Ndërkombëtare Krahasuese në Gjermani, dhe gjyqtarët e këshilltarët nga të dy gjykatat vendore. Pjesë e konferencës përmes video-lidhjes ishte edhe Mohamed Montasser Abidi, kryesues i seksionit nga IRZ.

Temat që u trajtuan në këtë konferencë ishin: “E drejta e pronës”, “Gjykimi në mungesë” dhe “Qasja në drejtësi”, derisa panelistë ishin gjyqtarët: Nexhmi Rexhepi, Jeton Bytyqi dhe Remzije Istrefi-Peci nga Gjykata Kushtetuese, dhe Rrustem Thaqi, Afrim Shala e Zenel Leku nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Ekspertët gjermanë të angazhuar nga IRZ, në secilin panel të temave të trajtuara, sollën perspektivën dhe përvojën e gjyqësorit të rregullt dhe gjyqësisë kushtetuese gjermane.