Të rinjtë e partive politike të Kosovës vizituan Gjykatën

29.09.2022

Në kuadër të programit trajnues të organizuar nga OJQ “Grupi për Ballkan”, me temë: “Të rinjtë në Politikë: Qeverisja dhe Sistemet Politike”, aktivistë të forumeve rinore të partive politike të Kosovës vizituan Gjykatën Kushtetuese.

Ata u pritën në takim nga gjyqtarët, znj. Selvete Gërxhaliu – Krasniqi dhe z. Nexhmi Rexhepi, të cilët gjatë prezantimit të tyre diskutuan mbi rolin dhe rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese në sistemin juridik të Republikës së Kosovës, për përbërjen e parë dhe aktuale të gjyqtarëve kushtetues, për raportin me gjykatat e rregullta dhe organet e tjera shtetërore në vend, si dhe për palët e autorizuara për parashtrimin e ankesave kushtetuese.

Gjatë takimit, politikanët e rinj shprehën interesimin e tyre që të informohen më në detaje përkitazi me llojet e vendimeve që nxjerrë Gjykata, për procesin e votimit dhe kuorumin e nevojshëm për vendimmarrjen e gjyqtarëve, për natyrën e kërkesave kushtetuese dhe numrin e tyre, si dhe për mundësitë e ankimimit ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.