Studentët e Universitetit Mesdhetar të Tiranës dhe të Universitetit të Prishtinës vizituan Gjykatën

16.02.2024

Gjykatën Kushtetuese e vizituan një grup studentësh nga fakulteti juridik i Universitetit Mesdhetar të Tiranës, të shoqëruar nga dekani Prof. dr. Ksenofon Krisafi dhe nga fakulteti juridik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të shoqëruar nga Prof. dr. Arsim Bajrami.

Studentët u pritën në takim nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Gresa Caka – Nimani, e cila gjatë diskutimit të saj fillimisht i bëri një përshkrim të shkurtër historikut të hartimit të Kushtetutës dhe themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, funksionit që ka kjo gjykatë në raport me pushtetet e tjera në nivel shtetëror dhe rolin me rëndësi që ka luajtur ajo ndër vite në vendosjen dhe mbrojtjen e themeleve të rendit kushtetues në vend.

Kryetarja Caka – Nimani në vijim i informoi studentët edhe për juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, për rastet me rëndësi që ajo i ka trajtuar përkitazi me balancimin e pushteteve, si dhe në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke iu referuar në çdo vendim të saj praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ajo i këshilloi juristët e ardhshëm që të përkushtohen sa më shumë në studimet e tyre universitare dhe në përvetësimin e njohurive profesionale, me qëllim jo vetëm të avancimit të tyre në karrierë, por edhe për zhvillimin dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë në të dyja vendet.