Studentët e nivelit master të Fakultetit Juridik të Universitetit “Hasan Prishtina” vizituan Gjykatën

06.04.2022

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, priti në takim studentët e nivelit master të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të shoqëruar nga profesori universitar Visar Morina.

Juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese, mekanizmat e kontrollit kushtetues, burimet e së drejtës dhe metodat e interpretimit, raporti ndërmjet Kushtetutës së vendit dhe instrumenteve ndërkombëtare, si dhe zbatimi i praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendimmarrjen e Gjykatës, ishin vetëm disa prej temave në të cilat kryetarja Caka – Nimani fokusoi prezantimin e saj para studentëve.

Studentët shprehën nga ana e tyre interesimin që të informohen më në detaje për ndikimin e raporteve të Komisionit të Venecias në vendimet e Gjykatës, për mandatin e gjyqtarëve dhe ndikimin e mungesës së tyre në procesin vendimmarrës, për procedurat e vlerësimit të amendamenteve kushtetuese, si dhe për mënyrën e funksionimit të mekanizmit “Amicus Curiae”.