Studentët e “Klubit të Etikës” të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, qëndruan për vizitë në Gjykatën Kushtetuese.
Ata u pritën në takim nga gjyqtarja Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, e cila i njoftoi studentët shkurtimisht përkitazi me rolin dhe funksionin që ka Gjykata Kushtetuese, për përbërjen e saj ndërkombëtare në vitet e para të funksionimit, si dhe për juridiksionin që ka në trajtimin e çështjeve të ndryshme kushtetuese të parashtruara.
Palët e autorizuara për parashtrimin e ankesave kushtetuese, e drejta e referimit të kërkesave nga gjyqësori i rregullt nëpërmjet mekanizmit të kontrollit incidental dhe vendimmarrja e Gjykatës bazuar në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ishin gjithashtu temë e prezantimit të gjyqtares Gërxhaliu-Krasniqi.
Juristët e ardhshëm ndërkaq shprehën interesimin e tyre që të informohen më hollësisht përkitazi me procesin e përzgjedhjes dhe mandatin e gjyqtarëve kushtetues, si dhe vështirësitë me të cilat ata përballën në punën e tyre gjatë shqyrtimit të lëndëve.