Studentë të fakulteteve juridike vizituan Gjykatën

11.11.2022

Një grup studentësh të viteve të fundit të fakulteteve juridike nga universitetet anembanë vendit, të shoqëruar nga përfaqësues të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), qëndruan për vizitë në Gjykatën Kushtetuese.

Studentët u pritën në takim nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani dhe Juriskonsulti i Gjykatës, z. Sevdail Kastrati.

Rolin dhe funksioni që ka Gjykata Kushtetuese në sistemin shtetëror të Republikës së Kosovës, përbërja e saj në vitet e para të funksionimit me gjyqtarë dhe staf ndërkombëtar, burimet e së drejtës kushtetuese dhe shterja e mjeteve juridike para dorëzimit të kërkesave në Gjykatë, ishin vetëm disa ndër temat për të cilat kryetarja Caka – Nimani diskutoi para studentëve.

Juristët e ardhshëm ndërkaq shprehën interesimin e tyre që të informohen më hollësisht përkitazi me zbatimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendimmarrjen e Gjykatës, për procesin e përzgjedhjes dhe mandatin e gjyqtarëve kushtetues, si dhe për të drejtën e apelimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.