Studentë ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut vizituan Gjykatën

20.09.2022

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani dhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Remzije Istrefi – Peci, pritën në takim të përbashkët një grup studentësh ndërkombëtar të Programit Evropian (EMA) për studime pasuniversitare në fushën e të drejtave të njeriut dhe demokratizim, nga kampuset universitare në Vjenë dhe Venedik.

Gjatë prezantimit të tyre, kryetarja Caka – Nimani dhe gjyqtarja Istrefi – Peci fillimisht i informuan studentët me historikun e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe obligimin kushtetues për respektimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me rolin dhe funksionin e Gjykatës Kushtetuese në sistemin shtetëror të Republikës së Kosovës, si dhe me sfidat me të cilat është ballafaquar deri më tani kjo gjykatë në punën e saj.

Në vijim të takimit, studentët shprehën interesimin e tyre që të informohen më hollësisht përkitazi me respektimin e Paktit Ndërkombëtar mbi të Drejtat Ekonomike, Kulturore dhe Sociale në nivel vendi, me procesin e parashtrimit të kërkesave individuale në Gjykatë, për numrin e parashtrimit të kërkesave nga pjesëtarët e komuniteteve joshumicë dhe publikimin e vendimeve në gjuhët e tyre, si dhe për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës.