Studentë dhe hulumtues të rinj nga universitetet gjermane vizituan Gjykatën

20.09.2024

Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Remzije Istrefi – Peci, priti në takim një grup studentësh dhe hulumtuesish të rinj nga universitetet gjermane, të cilët po qëndrojnë në Prishtinë si pjesë e vizitës studimore: “E porsalindur – Të gjeturit e identitetit në Kosovë”.

Pasi që i falënderoi për vizitën, gjyqtarja Istrefi – Peci fillimisht i bërë një përshkrim të shkurtër historikut të vendit tonë, periudhës tranzitore deri në shpalljen e pavarësisë, miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe themelimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në vazhdim ajo i njoftoi studentët e rinj edhe me përbërjen e parë të gjyqtarëve ndërkombëtarë të Gjykatës, me vendimet më me rëndësi të nxjerra nga kjo gjykatë ndër vite dhe për marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit me gjykata homologe rajonale dhe evropiane, si dhe përpjekjet për anëtarësim në forumet e ndryshme ndërkombëtare profesionale.

Gjyqtarja Istrefi – Peci vuri theksin edhe në konsolidimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese në zbatim të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të zbatimit të praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çdo vendim të saj.

Studentët shprehën interesimin e tyre që të informohen më në detaje përkitazi me natyrën dhe numrin e rasteve të parashtruara, për rastet e parashtruara nga pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë dhe për qasjen e qytetarëve në Gjykatë.