KI219/21, Parashtrues: Isuf Ferati, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit A. nr. 302/2021 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, të 9 qershorit 2021
KI219/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 19 korrikut 2022, publikuar më 17 gusht 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë administrative, kërkesë e papranueshme
Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë me kërkesën e parashtruesit të kërkesës për ngritjen e koeficientit drejtuar Njësisë së Personelit të Komunës së Ferizajt, ku kishte kërkuar që t’i ngritët koeficienti i pagës nga 6 (gjashtë) në koeficientin 7 (shtatë), në raport me kolegët e tij me detyra të njëjta. Komuna e Ferizajt nuk i ishte përgjigjur kërkesës së tij, dhe parashtruesi kishte parashtruar ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ku ky i fundit e kishte refuzuar ankesën si të pabazuar dhe palejuar.
Parashtruesi i kërkesës e kontestoi vendimin e KPMSHCK-së, duke pretenduar shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të parapara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës.
Gjykata fillimisht rikujtoi se rregulli për shterimin e mjeteve juridike sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës i obligon ata që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese që së pari duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive në dispozicion në pajtim me ligjin, kundër një aktgjykimi ose vendimi të kontestuar.
Lidhur me rastin konkret, del se parashtruesi i kërkesës pas pranimit të Vendimit [A. nr. 302/2021] të 9 qershorit 2021 të KPMSHCK-së ka mundur që të iniciojë konfliktin administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të Vendimit të KPMSHCK-së, gjë që vërehet që nuk e ka bërë. Në lidhje me këtë, Gjykata thekson faktin se të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje ligjore nga ana e Komunës së Ferizajt, mund të shqyrtoheshin gjatë procedurës së rregullt nga gjykatat e rregullta.
Prandaj, Gjykata gjeti se parashtruesi e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese para shterimit të të gjitha mjeteve efektive juridike, përkatësisht se në legjislacionin e brendshëm ka mjete efektive juridike në dispozicion në gjykatat e rregullta në lidhje me shkeljen e pretenduar.
Bazuar në sa më sipër, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit duhet të deklarohet e papranueshme, pasi që parashtruesi i kërkesës nuk ka shteruar mjetet e rregullta juridike në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) ( b) të Rregullores së punës.
Isuf Ferati
KI – Individualni zahtev
Rešenje o neprohvatljivosti
Nisu iscrpljena pravna sredstva
Upravni