Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Zyrën e Këshillit të Evropës në Prishtinë organizuan punëtorinë e përbashkët në temën: “Standardet evropiane për të drejtat e njeriut mbi kohëzgjatjen e arsyeshme të procedurave”, e cila u mbajt në “Hotel Garden” në Prishtinë.
Koncepti i kohëzgjatjes së arsyeshme në procedimin e kërkesave, vështruar nga perspektiva e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, arsyet më të shpeshta për vonesat në procedurë gjyqësore, mekanizmat parandalues dhe kompensues në rastet e procedurave të tejzgjatura, si dhe standardet evropiane për të drejtat e njeriut mbi kohëzgjatjen e arsyeshme të procedurave, ishin vetëm disa prej temave që u diskutuan në punëtori.
Panelistë dhe folës kryesor në punëtorinë e organizuar ishin: z. Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, z. Miodrag Gjorgjeviq, zëvendëskryetar i Gjykatës Supreme të Sllovenisë, znj. Maria Filatova, ish-avokate në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe znj. Mirela Bogdani, ligjëruese në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.
Punëtoria e mbajtur shënon aktivitetin e radhës në kuadër të projektit të mbështetur nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë dhe nga ambasada e Norvegjisë në Kosovë, që synon avancimin e kapaciteteve profesionale të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim të zbatimit më efektiv të standardeve evropiane në trajtimin e ankesave individuale dhe komunikimin me publikun.