Publikohen dy Përmbledhje Tematike të praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese

21.11.2024

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar dy (2) Përmbledhje Tematike të praktikës gjyqësore të saj. Këto Përmbledhje Tematike janë fillimi i serisë së publikimeve, përmes të cilave Gjykata synon që t’u ofrojë palëve parashtruese dhe sidomos komunitetit juridik, një burim të përmbledhur të praktikës gjyqësore të saj, të cilat gjithashtu mund të lehtësojnë procesin e përgatitjes së kërkesave që parashtrohen në Gjykatë.

Publikimi i Përmbledhjeve Tematike ka filluar ndërlidhur me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, ashtu siç garantohet me nenin 31 [E Drejta për gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Çdo Përmbledhje Tematike e publikuar nga Gjykata në të ardhmen, do të trajtojë aspekte të caktuara të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë. Përmbledhjet Tematike të publikuara sot, ndërlidhen me (i) të drejtën për qasjen në gjykatë; dhe (ii) të drejtën për gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor, si pjesë përbërëse të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Këto dy Përmbledhje Tematike, do të shtjellojnë (i) kriteret dhe parimet e vendosura në praktikën e Gjykatës Kushtetutës përkitazi me aspekte të zgjedhura të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara më Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (ii) shembuj konkret që ilustrojnë në cilat raste mund të cenohet e drejta për gjykim brenda një afati të arsyeshëm dhe e drejta për qasje në gjykatë, respektivisht; (iii) disa vendime konkrete, në të cilat Gjykata ka zhvilluar përmes praktikës gjyqësore parimet dhe kriteret e aplikueshme, përfshirë siç burojnë nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iv) listën e të gjitha vendimeve të Gjykatës dhe të cilat janë relevante për aspektin e caktuar të së drejtës.

Duhet të theksohet që, këto Përmbledhje Tematike kanë natyrë informuese dhe shtjellimet e çfarëdo reference në to, duhet të kuptohen dhe interpretohen në kontekstin e rrethanave faktike dhe juridike të rastit përkatës të vendosur. Për më tepër, përmbajtja e këtyre Përmbledhjeve Tematike nuk është shteruese dhe do t’i nënshtrohet përditësimit të vazhdueshëm. Ato gradualisht do të zgjerohen për të përfshirë edhe shtjellimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës që ndërlidhet me të drejta dhe liri tjera themelore, të garantuara me Kushtetutë, përtej atyre të garantuara me nenin 31 [E Drejta për gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për më tepër, lidhur me ato çështje të cilat ende nuk i janë nënshtruar trajtimit të Gjykatës dhe rrjedhimisht praktika gjyqësore e saj nuk është e konsoliduar, praktikuesit ligjorë dhe lexuesit, mund t’i referohen vet vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe udhëzuesve dhe dokumenteve përkatëse të publikuara në ueb-faqen e saj.

Për lexuar Përmbledhjet Tematike klikoni këtu