Përurohet objekti i Gjykatës Kushtetuese

17.07.2009

Dorëzimi ceremonial i çelësave nga Arsim Bajrami, Ministër i Administratës Publike, Enver Hasanit, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, ka shënuar hapjen e selisë së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Gjatë gjashtë muajve të kaluar, Ministria e Administratës Publike ka punuar tërë kohës, për të rinovuar ish-objektin e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës në qytezën Pejton. Më 7 korrik, Ministri Bajrami, zyrtarisht i ka dorëzuar çelësat e ndërtesës së rinovuar Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Enver Hasanit.

Rinovimi i plotë i ndërtesës ka përfshirë edhe vendosjen e shtyllave të larta të stilit grek në hyrje të ndërtesës. Duke qëndruar në mes të shtyllave, Ministri Bajrami ka theksuar,”qëllimi jonë ka qenë që fizikisht të demonstrojmë rëndësinë e institucionit që do të vendoset në këtë objekt”. Ai shtoi, “unë besoj se Ministria ime ka qenë e suksesshme jo vetëm në përmbushjen e nevojave funksionale të gjykatës por edhe pamjes estetike të saj”.
Në objektin e Gjykatës do të sistemohen zyrat e gjyqtarëve, sekretaria e gjykatës dhe personeli përkatës. “Ministri Bajrami dhe Ministria e tij kanë bërë një punë të shkëlqyeshme duke na siguruar një objekt të cilësisë së lartë”, theksoi Enver Hasani, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese. “Në emër të Gjykatës Kushtetuese dhe kolegëve të mi, falënderoj Ministrin Bajrami dhe Ministrinë e tij për profesionalizmin e tyre”.

Në shtator të vitit 2009, Gjykata Kushtetuese do të fillojë me shqyrtimin e më shumë se 20 rasteve të paraqitura deri më tani.