Formulari i kërkesës

Parashtruesit

Si të parashtroni kërkesë në Gjykatën Kushtetuese?

Nëse keni vendosur që të parashtroni kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, ju duhet të plotësoni Formularin e Kërkesës, që mund ta shkarkoni nga ueb-faqja e Gjykatës ose ta kërkoni drejtpërdrejt në Gjykatë (edhe pse kjo mund t’ju marrë më shumë kohë).

Para se të plotësoni Formularin e Kërkesës, ju lutemi që të konsultoni “Udhëzimet” për plotësimin e Formularit, të cilin mund ta gjeni gjithashtu në ueb-faqen e Gjykatës Kushtetuese.

Pasi që të keni plotësuar Formularin e Kërkesës, ju mund ta dorëzoni atë personalisht në Gjykatë gjatë orarit të rregullt të punës, ose nëpërmjet postës së rregullt apo me postë elektronike (e-mail). Kërkesa duhet të jetë e arsyetuar dhe asaj duhet t’i bashkëngjiten provat dhe të gjitha dokumentet e tjera të nevojshme (mos i dorëzoni dokumentet origjinale, për shkak se ato nuk do t’ju kthehen pas përfundimit të shqyrtimit të lëndës).

Kërkesa duhet t’i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm, duhet të përfshijë datën e parashtrimit të saj dhe duhet të jetë e nënshkruar nga personi që e parashtron atë.

Çdo pyetje përkitazi me parashtrimin e kërkesës në Gjykatë mund ta dërgoni në adresën elektronike: [email protected].

Kush mund të parashtrojë kërkesë?

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës parashtrues të kërkesës mund të jenë institucionet, por edhe individët (personat juridik dhe fizik).

Si zhvillohet procedura në Gjykatën Kushtetuese?

Në rast se Gjykata Kushtetuese konstaton se kërkesa e një parashtruesi është e lejueshme, ajo do të kërkojë nga pala e kundërt që të parashtrojë përgjigjen apo dokumentet e ndërlidhura me kërkesën. Mungesa e përgjigjes nga pala tjetër nuk ndikon në procedurën e zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese.

Procedura zhvillohet në formë të shkruar dhe Gjykata mund të vendos të mbajë shqyrtim publik kur të jetë e nevojshme që të shqyrtohen çështje të rëndësishme për marrjen e vendimit.

Parashtruesi i kërkesës mund të paraqes rastin e tij/saj para Gjykatës Kushtetuese apo mund ta caktojë personin i cili do ta përfaqësojë atë. Në këtë rast, parashtruesi i kërkesës këshillohet të angazhojë avokat për të përfaqësuar rastin e tij. Nga secili përfaqësues kërkohet që të paraqesë autorizimin me shkrim nga parashtruesi.