Njoftim për vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 2 korrik 2021

02.07.2021

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot shqyrtoi kërkesën KO 88/21, të parashtruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës.

Përmbledhja e rastit:

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 2 korrik 2021, Gjykata shqyrtoi rastin KO88/21, përkatësisht kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës për (i) “interpretimin e nocionit “grupi më i madh parlamentar” në kontekst të ndarjes së vendeve në KQZ për grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në kuptim të nenit 139, paragrafi 4, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe (ii) “për zgjidhje të konfliktit të autorizimeve të grupeve parlamentare për të propozuar anëtarët e KQZ-së”.

Gjykata vëren se bazuar në faktet e këtij rasti, rezulton se (i) më 22 prill 2021, Presidentja e Republikës kishte dërguar kërkesë tek grupet parlamentare për nominimin e kandidatëve për anëtarë të KQZ-së; dhe (ii) në mes të datave 29 prill 2021 dhe 12 maj 2021, grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilat nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të garantuara, përkatësisht LVV, PDK, LDK dhe AAK, kishin propozuar anëtarët përkatës, ndërsa subjektet politike të cilat mbajnë vende të garantuara për komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë, gjithashtu kishin dorëzuar nominimet e tyre.

Presidentja e Republikës së Kosovës, më 12 maj 2021, ka emëruar tetë (8) anëtarë të KQZ-së. Dy (2) anëtarët e tjerë nuk janë emëruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, sepse (i) LVV ka propozuar tre (3) kandidatë për anëtarë të KQZ-së, ndërsa PDK ka propozuar dy (2) kandidatë për anëtarë të KQZ-së, dhe duke pretenduar “paqartësi” në kontekst të paragrafit 4 të nenit 139 të Kushtetutës që përcakton se “nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”, Presidentja e Republikës së Kosovës i është drejtuar Gjykatës me kërkesën për interpretim të “grupit më të madh parlamentar” në kontekst të dispozitës së lartcekur, përkatësisht nëse vendet e lira në KQZ i takojnë vetëm grupit apo grupeve më të mëdha parlamentare; dhe (ii) komuniteti boshnjak, në strukturën aktuale të Kuvendit, është i përfaqësuar përmes tri (3) subjekteve të ndryshme politike me numër të barabartë të ulëseve në Kuvend, ndërsa në Presidencë janë dorëzuar tri (3) propozime nga ky komunitet, ndonëse të njëjtit i takon vetëm një (1) vend në KQZ. Rrjedhimisht, Presidentja e Republikës gjithashtu pretendon “paqartësi” në kontekst të paragrafit 4 të nenit 139 të Kushtetutës, përkitazi me emërimin e anëtarëve të KQZ-së nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë, në rastet kur një komunitet përfaqësohet nga më shumë subjekte politike, por me numër të barabartë ulësesh në Kuvend.

Në kontekst të rrethanave të lartcekura dhe duke theksuar se “paqartësia e kompetencave po i pamundëson Presidentes që ti emërojë të gjithë anëtarët e KQZ-së, si organ i cili i administron dhe menaxhon zgjedhjet e lira, të barabarta dhe të drejtpërdrejta në Kosovë”, Presidentja e Republikës së Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me (i) kërkesën për interpretimin e nocionit të “grupit më të madh parlamentar” në kontekst të paragrafit 4 të nenit 139 të Kushtetutës, duke u bazuar në paragrafin 9 të nenit 84 të Kushtetutës; dhe (ii) kërkesën për zgjidhjen e konfliktit të “autorizimeve” të grupeve parlamentare për të propozuar anëtarët e KQZ-së, duke u bazuar në pikën 1 të paragrafit 3 të nenit 113 të Kushtetutës.

(i) Përkitazi me vlerësimin e pranueshmërisë në kontekst të paragrafit 9 të nenit 84 të Kushtetutës

Në vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës së Presidentes për interpretim të paqartësive kushtetuese bazuar në paragrafin 9 të nenit 84 të Kushtetutës dhe kërkesën përkatëse për përgjigjen në katër (4) pyetje të parashtruara para Gjykatës dhe të cilat do të reflektohen në tërësi në Aktvendimin për Papranueshmëri që do të publikohet në përputhje me rregullat procedurale në ditët në vijim, Gjykata konstatoi që kërkesa e Presidentes është e papranueshme. Gjykata përmes praktikës së saj gjyqësore, duke përfshirë rastin KO79/18, në të cilin gjithashtu është trajtuar një kërkesë e Presidentit të Republikës për interpretimin e paragrafit 4 të nenit 139 të Kushtetutës, ka qartësuar që (i) paragrafi 9 i nenit 84 të Kushtetutës nuk është i pavarur nga neni 113 i Kushtetutës; (ii) paragrafi 9 i nenit 84 dhe paragrafi 1 i nenit 112 të Kushtetutës nuk mund të interpretohen jashtë kontekstit të nenit 113 të Kushtetutës; dhe (iii) bazuar në nenin 113 të Kushtetutës, Gjykatës i është kufizuar mundësia që të marrë rol konsultativ apo këshillëdhënës përmes përgjigjes në pyetje të parashtruara para saj, ngase ky rol do të binte ndesh me rolin e saj themelor për vendosjen e rasteve të ngritura para saj.

(ii) Përkitazi me vlerësimin e pranueshmërisë në kontekst të pikës (1) të paragrafit 3 të nenit 113 të Kushtetutës

Në vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës së Presidentes, bazuar në pikën (1) të paragrafit 3 të nenit 113 të Kushtetutës, përkitazi me zgjidhjen e konfliktit të “autorizimeve” në mes të “kompetencës kushtetuese” të Presidentes dhe “kompetencës së grupeve parlamentare të përfaqësuara në Kuvend” për nominimin e anëtarëve të KQZ-së, Gjykata fillimisht theksoi se neni i lartcekur i Kushtetutës përcakton që Presidenti i Republikës së Kosovës është një nga tri palët e autorizuara që të ngre çështje të “konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, Presidentit të Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës”. Kjo dispozitë është interpretuar nga Gjykata përmes Aktvendimeve në rastet KO131/18 dhe KO181/18, duke sqaruar tri kriteret kumulative kushtetuese të cilat duhet të plotësohen në mënyrë që kërkesat e ngritura në bazë të këtij neni të kalojnë testin e pranueshmërisë. Në rastet e lartcekura, Gjykata kishte sqaruar se në kuptim të nenit 113.3.(1) të Kushtetutës, duhet të plotësohen tri kriteret në vijim: (i) konflikti të ngritët nga njëra nga tri palët e autorizuara; (ii) konflikti të ngritët për “kompetenca kushtetuese” të Kuvendit, Presidentit dhe/ose Qeverisë së Republikës së Kosovës; dhe që (iii) të ketë një konflikt.

Gjykata vlerësoi se në rrethanat e këtij rasti është plotësuar kriteri i parë kushtetues, sepse kërkesa është dorëzuar në Gjykatë nga Presidentja e Republikës së Kosovës, si njëra nga tri palët e autorizuara. Megjithatë, Gjykata konstatoi se kriteri i dytë kushtetues në kontekst të nenit 113.3.(1) të Kushtetutës, nuk është plotësuar, sepse siç ka sqaruar Gjykata në rastet KO131/18 dhe KO181/18, konflikti i supozuar duhet të burojë nga kompetencat kushtetuese të përcaktuara me Kushtetutë për palët e autorizuara. Në rrethanat e rastit konkret, për dallim nga nenet 84 (26), 139 (3) dhe 139 (4) të Kushtetutës, e të cilat përcaktojnë kompetencën kushtetuese të Presidentes për emërimin e Kryesuesit të KQZ-së dhe mënyrën e emërimit të anëtarëve të këtij të fundit, kompetenca e Presidentes për emërimin e anëtarëve të KQZ-së nuk është e përcaktuar me Kushtetutë, por vetëm me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, përkatësisht me pikën (a) të paragrafit 3 të nenit 61 të tij.

Rrjedhimisht, në vlerësimin e Gjykatës, në rrethanat e rastit konkret, Presidentja e Republikës nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të “kompetencave kushtetuese”, sipas përcaktimeve të nenit 113.3.(1) të Kushtetutës, dhe për pasojë, Gjykata shpalli kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës të papranueshme bazuar në nenin 113 të Kushtetutës dhe refuzoi kërkesën për caktim të masës së përkohshme bazuar në nenin 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.