Njoftim për vendim në rastin KO158/23

26.06.2024

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin KO158/23, të parashtruar nga Besnik Tahiri dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në përcaktimet e paragrafit 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr.08/L-142 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale, Procedurat e Caktimit të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore.

Gjykata, ka vendosur (i) njëzëri, që të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) njëzëri, që të konstatojë që neni 2 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit Nr. 04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 05/L-141) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (ii) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, që neni 3 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit nr.04/L-092 për Personat e Verbër) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) njëzëri, që neni 4 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit nr.05/L-067 për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iv) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, që të konstatojë që neni 6 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit nr.03/L-212 të Punës) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe (v) njëzëri, të shpallë, që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ligji nr.08/L-142 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale, Procedurat e Caktimit të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje.

Aktgjykimi fillimisht sqaron që, Ligji i kontestuar ndryshon dhe plotëson (i) Ligjin nr.04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-141; (ii) Ligjin nr. 04/L-092 për Personat e Verbër; (iii) Ligjin nr. 05/L-067 për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik; (iv) Ligjin nr.05/L-028 për Tatim në të Ardhura Personale; dhe (v) Ligjin nr.03/L-212 të Punës. Në thelb, Ligji i kontestuar ndryshon dhe plotëson ligjet e lartcekura në dy aspekte relevante.
Së pari, ndryshon mënyrën e përcaktimit të lartësisë së pensioneve dhe kompensimeve, përfshirë ndërlidhjen e kësaj lartësie me pagën minimale, për veteranët e UÇK-së, personat e verbër dhe personat paraplegjik dhe tetraplegjik, duke saktësuar që, për dallim nga rregullimet aktuale, sipas të cilave lartësia e pensioneve dhe/ose kompensimeve përkatëse është e ndërlidhur me lartësinë ose një shkallë të lartësisë së pagës minimale në Republikën e Kosovës, lartësinë e këtyre pensioneve dhe/ose kompensimeve, e përcakton Qeveria, me propozim të Ministrisë përgjegjëse për Financa, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual. Së dyti, ndryshon mënyrën e përcaktimit të lartësisë së pagës minimale në Republikën e Kosovës, duke saktësuar që, për dallim nga rregullimet aktuale sipas të cilave në fund të çdo viti kalendarik, Qeveria e përcakton pagën minimale sipas propozimit të Këshillit Ekonomik-Social, në mungesë të propozimit nga ky i fundit, është vet Qeveria që përcakton lartësinë e pagës minimale. Aktgjykimi më tej sqaron që Ligji i kontestuar nuk afekton të drejtën e kategorive të lartcekura për pensione dhe kompensime dhe as nuk përcakton lartësinë e tyre.

Deputetët parashtrues të Kuvendit kontestojnë Ligjin e lartcekur duke pretenduar që i njëjti është në kundërshtim me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] të Kushtetutës, në esencë, sepse: (i) ndryshimi i mënyrës së përcaktimit të lartësisë së pensioneve dhe/ose kompensimeve duke e larguar referencën në nivelin e pagës minimale, rezulton në cenim të parimit të barazisë para ligjit në mes të kategorisë së veteranëve të UÇK-së, personave të verbër dhe personave paraplegjik dhe tetraplegjik, sepse duke lënë përcaktimin e nivelit të kompensimit përkatës në diskrecionin e Qeverisë, këto kategori nuk kanë garanci që do të kompensohen në mënyrë të barabartë; (ii) largimi i referencës në nivelin e pagës minimale lidhur me përcaktimin e lartësisë së pensioneve dhe/ose kompensimeve përkatëse, cenon pritjet legjitime të kategorive të lartcekura dhe për pasojë, të drejtën në pronë të veteranëve të UÇK-së, personave të verbër dhe personave paraplegjik dhe tetraplegjik; dhe (iii) mundësia e Qeverisë që në mungesë të propozimit të Këshilli Ekonomik-Social, të përcaktojë vet pagën minimale, nuk është në përputhje me vlerat kushtetuese të drejtësisë sociale dhe të cilat, duhet të interpretohen sipas parimeve të saktësuara nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ONP) dhe Konventa për Caktimin e Pagës Minimale. Pretendimet e parashtruesve të kërkesës, në parim, mbështeten edhe nga Avokati i Popullit, ndërsa kundër-argumentohen nga Ministria e Financave dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!., të cilët theksojnë se Ligji i kontestuar është në përputhje me Kushtetutën, në esencë, sepse: (i) nuk është cenuar parimi i barazisë para ligjit, marrë parasysh që kategoritë e afektuara, nuk janë në “situata analoge apo relativisht të ngjashme” me njëra tjetrën dhe as me të punësuarit e Republikës së Kosovës, duke qenë se (a) veteranët e UÇK-së, marrin pensionin dhe beneficionet tjera për shkak të shërbimit të tyre në luftë dhe si shenjë mirënjohjeje e shtetit ndaj tyre; (b) personat e verbër dhe personat paraplegjik dhe tetraplegjik, përfitojnë të drejta dhe beneficione për shkak të karakteristikave të tyre personale; ndërsa (c) të punësuarit, paguhen për punën dhe shërbimin e tyre nga sektori publik ose privat dhe, për pasojë, koncepti i pagës minimale vlen vetëm për këta të fundit; (ii) nuk janë cenuar pritjet legjitime dhe për pasojë, të drejtat pronësore të kategorive të lartcekura, duke marrë parasysh që lartësia e pensionit dhe/ose kompensimeve përkatëse nuk është zvogëluar, ndërsa largimi i referencës në nivelin e pagës minimale, ndërlidhet me nevojën për të ruajtur qëndrueshmërinë financiare dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të ndryshuar nivelin e pagës minimale, duke mbajtur qëndrimin gjithashtu që, Qeveritë gëzojnë diskrecion të gjerë në përcaktimin e politikave sociale dhe lartësitë e pensioneve; dhe (iii) mënyra e përcaktimit të pagës minimale, nuk është çështje kushtetuese, ndërsa standardet e ONP-së nuk janë të aplikueshme, sepse Republika e Kosovës nuk është anëtare e saj, por se edhe po të aplikoheshin ato standarde, të njëjtat ngërthejnë vetëm detyrimin e konsultimit, i cili nuk është afektuar përmes Ligjit të kontestuar.

Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar, Aktgjykimi fillimisht dhe ndër tjerash, shtjellon (i) parimet themelore kushtetuese lidhur me drejtësinë sociale, siç janë të saktësuara në nenet 7 [Vlerat] dhe 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] të Kushtetutës, përfshirë statusin e Konventës për Caktimin e Pagës Minimale të ONP-së, Kartës Sociale Evropiane dhe Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara; (ii) parimet themelore që burojnë nga praktika gjyqësore e Gjykatës dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me barazinë para ligjit dhe të drejtat pronësore, përfshirë në kontekst të lartësisë së kompensimeve që ndërlidhen me beneficionet sociale; dhe (iii) historikun e ligjeve të aplikueshme që ndërlidhen me pensionet, kompensimet dhe beneficionet e veteranëve të UÇK-së, personave të verbër dhe personave paraplegjik dhe tetraplegjik.

Në aplikimin e parimeve të lartcekura, Aktgjykimi fillimisht thekson që (i) bazuar në nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës, rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet, ndër tjerash, në parimet e demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit, mosdiskriminimit, të drejtës së pronës dhe drejtësisë sociale; (ii) bazuar në nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, askush nuk mund të diskriminohet në bazë të, ndër tjerash, statusit social; ndërsa (iii) bazuar në nenin 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] të Kushtetutës, sigurimi social themelor, që ka të bëjë me papunësinë, sëmundjen, aftësitë e kufizuara dhe moshën e shtyrë, rregullohet me ligj. Aktgjykimi, duke u referuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjithashtu vë theks në faktin që shtetet, në parim, kanë diskrecion në përcaktimin e politikave sociale, përfshirë natyrën dhe lartësinë e beneficioneve dhe/ose kompensimeve për kategori të ndryshme sociale, gjithnjë nën detyrimin e trajtimit të barabartë dhe proporcional të këtyre kategorive, përfshirë në kontekst të pritjeve përkatëse legjitime për kompensim dhe/ose mbështetje nga shteti.

Në Aktgjykimin e Gjykatës, parimet e sqaruara si më sipër, janë aplikuar në shqyrtimin e secilit nen të vlerësuar të Ligjit të kontestuar veç e veç. Thënë këtë dhe për qëllime të kësaj përmbledhjeje, Gjykata do të sqarojë të gjeturat dhe konstatimet kryesore përkitazi me çështjet më kontestuese të Ligjit të kontestuar, përkatësisht nëse si rezultat i eliminimit të ndërlidhjes së lartësisë të pensioneve dhe/ose kompensimeve me nivelin e pagës minimale ose një shkallë të lartësisë së pagës minimale në Republikën e Kosovës, (i) është cenuar parimi i barazisë para ligjit në mes veteranëve të UÇK-së, personave të verbër dhe personave paraplegjik dhe tetraplegjik; (ii) nëse janë cenuar të drejtat pronësore të veteranëve të UÇK-së, personave të verbër dhe paraplegjik dhe tetraplegjik; dhe (iii) nëse janë cenuar parimet e drejtësisë sociale si rezultat i ndryshimit të mënyrës së përcaktimit të lartësisë së pagës minimale në Republikën e Kosovës. Në vijim, do të reflektohen konstatimet më thelbësore të Aktgjykimit, lidhur me tri çështjet e lartcekura.

(i) barazia para ligjit në kontekst të lartësisë së pensioneve dhe/ose kompensimeve lidhur me veteranët e UÇK-së, personat e verbër dhe personat paraplegjik dhe tetraplegjik

Në vlerësimin nëse Ligji i kontestuar cenon parimin e barazisë para ligjit, Aktgjykimi, në kontekst të praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, rithekson që, në parim, për të konstatuar cenimin e parimit të barazisë para ligjit sipas përcaktimeve të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, duhet fillimisht të vlerësohet nëse kategoritë diskriminimi i të cilave pretendohet, janë në “situata analoge ose relativisht të ngjashme” dhe nëse ky është rasti, nëse ka një “dallim në trajtim” në mes tyre.

Në kontekst të analizës së lartcekur, Aktgjykimi, ndër tjerash, vë theks në ligjet e aplikueshme për veteranët e UÇK-së, personat e verbër dhe personat paraplegjik dhe tetraplegjik dhe të punësuarit në sektorin publik dhe privat, duke theksuar qëllimet, detyrimet, por edhe të drejtat dhe beneficionet, përfshirë dallimet në mes tyre. Aktgjykimi, ndër tjerash, sqaron (i) dallimin në mes të fushëveprimit të Ligjit të Punës, përfshirë sa i përket të drejtave dhe detyrimeve për të punësuarit në sektorin publik dhe privat, me fushëveprimin e ligjeve që ndërlidhen me veteranët e UÇK-së, personat e verbër dhe personat paraplegjik dhe tetraplegjik dhe të cilat përcaktojnë të drejta, beneficione dhe lehtësira për tri kategoritë e lartcekura; dhe (ii) dallimin në mes të fushëveprimeve të ligjeve që ndërlidhen me veteranët e UÇK-së, personat e verbër dhe personat paraplegjik dhe tetraplegjik, të cilat ligje, në parim, përfshijnë të drejta dhe beneficione për (a) veteranët e UÇK-së, sepse të njëjtit me sakrificën, angazhimin dhe kontributin e tyre të çmuar në Luftën Çlirimtare të Kosovës, ishin faktorë vendimtar për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës; dhe (b) personat e verbër dhe ata paraplegjik dhe tetraplegjik, për shkak të karakteristikave të tyre personale dhe të drejtave që burojnë nga neni 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] i Kushtetutës.

Bazuar në sqarimet e dhëna në Aktgjykim, duke marrë parasysh dallimin e fushëveprimit të Ligjit të Punës në njërën anë dhe fushëveprimeve të ligjeve të aplikueshme për veteranët e UÇK-së, personat e verbër dhe personat paraplegjik dhe tetraplegjik në anën tjetër, përfshirë qëllimin e secilit ligj të lartcekur dhe dallimin në kontekst të detyrimeve, por edhe të drejtave, beneficioneve dhe lehtësirave për secilën kategori të lartcekur, Gjykata vlerësoi që kategoritë e lartcekura, nuk mund të konsiderohen të jenë në “situata analoge ose relativisht të ngjashme” me njëra tjetrën, dhe për pasojë, nuk mund të ketë as “dallim në trajtim” e as cenim të parimit të barazisë para ligjit në mes këtyre kategorive, në parim, sepse kategoria e veteranëve të UÇK-së, mbështetet nga shteti marrë parasysh kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e popullit të Kosovës, ndërsa kategoritë e personave të verbër dhe atyre paraplegjik dhe tetraplegjik, mbështeten nga shteti marrë parasysh karakteristikat e tyre personale, sipas specifikave dhe përcaktimeve të dy ligjeve të aplikueshme, Ligjit për Personat e Verbër dhe Ligjit për Personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik, respektivisht. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, konstatimet e lartcekura janë të mbështetura nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në të cilën, specifikisht është trajtuar edhe “dallimi në trajtim” në kontekst të kompensimeve dhe/ose beneficioneve sociale në mes të të punësuarve në sektorin publik dhe privat, përfshirë në mes të veteranëve të luftës dhe kategorive tjera të shoqërisë që kualifikohen për të përfituar beneficione të ndryshme sociale.

Për pasojë dhe sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Gjykata ka konstatuar që nenet 2, 3 dhe 4 të Ligjit të kontestuar, nuk janë në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës.

(ii) të drejtat pronësore të ndërlidhura me pritjet legjitime për një lartësi të caktuar të pensioneve dhe/ose beneficioneve që ndërlidhen me lartësinë ose një shkallë të lartësisë të pagës minimale në Republikën e Kosovës

Në vlerësimin nëse Ligji i kontestuar cenon të drejtat pronësore të kategorive të veteranëve të UÇK-së, personave të verbër dhe personave paraplegjik dhe tetraplegjik, Aktgjykimi, në kontekst të praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, rithekson që, bazuar në nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, koncepti i “pasurisë”, në parim, përfshinë si “pasuritë ekzistuese”, ashtu edhe pasuritë e pretenduara, gjithashtu në kontekst të “të hyrave të ardhshme”, në lidhje me të cilat, një individ mund të argumentojë se ka të paktën një “pritshmëri legjitime”. Praktika e lartcekur gjyqësore vë theks në faktin që “pensionet dhe përfitimet sociale”, përfshirë skemat jo-kontributdhënëse, gjithashtu gëzojnë mbrojtjen e nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nën kushtet dhe parimet e përcaktuara nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjithashtu, këto të drejta mund të kufizohen në rrethanat në të cilat “ndërhyrja në/kufizimi” i tyre është (i) i “përcaktuar me ligj”; (ii) ndjek një “qëllim legjitim”; dhe (iii) është “proporcional” me qëllimin legjitim të ndjekur.

Aktgjykimi gjithashtu sqaron që, në parim, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, (i) shtetet gëzojnë lirinë të vendosin nëse do të kenë në funksion ndonjë formë të skemës së sigurimeve sociale ose të zgjedhin llojin ose lartësinë e përfitimeve që mund të sigurohen sipas ndonjë skeme të tillë, por megjithatë, (ii) nëse një shtet parasheh skema të sigurimeve sociale, përfshirë të drejta për përfitim të mirëqenies, qoftë nëse kushtëzohet ose jo nga pagesa paraprake e kontributeve ose jo, duhet të konsiderohet se nga ai legjislacion buron një interes pronësor, i cili pastaj bie brenda fushëveprimit të nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; ndërsa, (iii) të drejtat që ndërlidhen me skemat pensionale, mund të kufizohen për qëllime legjitime, të cilat, në parim, përfshijnë edhe rrezikun e dëmtimit të ekuilibrit financiar të sistemit të sigurimeve shoqërore, me kushtin që kufizimet e tilla të jenë proporcionale.

Sipas sqarimeve të dhëna, kontestuese në rrethanat e Ligjit të kontestuar është nëse duke eliminuar referencën në nivelin e lartësisë së pagës minimale ose një shkalle të saj, Ligji i kontestuar, ka rezultuar në cenimin e të drejtave pronësore për: (a) veteranët e UÇK-së; (b) personat e verbër; dhe (c) personat paraplegjik dhe tetraplegjik. Konstatimet e Gjykatës lidhur me këto pretendime do të përmblidhen në vijim.

(a) lidhur me veteranët e UÇK-së

Në kontekst të kategorisë së veteranëve të UÇK-së, dhe duke analizuar ndryshimet dhe plotësimet e ligjit përkatës të aplikueshëm ndër vite, Aktgjykimi sqaron që ndërlidhja e lartësisë së pensioneve të veteranëve të UÇK-së me lartësinë e pagës minimale në Republikën e Kosovës, nuk është ndryshuar përmes Ligjit të kontestuar, por që në vitin 2017, përmes ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit të Veteranëve, përkatësisht Ligjit nr.05/L -141 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky ligj, për aq sa është relevante në rrethanat e rastit konkret, që në vitin 2017 (i) ka eliminuar nenin 18 (Lartësia e shumës së pensioneve) të ligjit bazik, përkatësisht dispozitën që ka saktësuar se varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual, në fund të çdo viti, për vitin e ardhshëm, Qeveria me propozimin e Ministrisë së Financave, mund të vendosë për lartësinë e shumës së pensionit të veteranit të UÇK-së, me kushtin që ky pension “nuk mund të jetë më i vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë”; ndërsa, (ii) i ka shtuar ligjit bazik nenin 16A (pa titull), i cili ndër tjerash, ka përcaktuar kategorizimin e veteranit të UÇK-së në përputhje me kohën e mobilizimit dhe shërbimit në UÇK, duke saktësuar lartësinë e pensionit mujor për secilën kategori dhe duke e kufizuar lartësinë e përgjithshme të pagesave për pensionet e veteranëve të UÇK-së në kufirin e 0.7% (zero pikë shtatë përqind) të Bruto Prodhimit Vendor në vit.

Aktgjykimi rikujton që ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Veteranët të vitit 2017, janë kontestuar para Gjykatës Kushtetuese dhe kjo e fundit, përmes Aktgjykimit në rastin KO01/17, ka trajtuar në mënyrë specifike çështjen e eliminimit të referencës, përkatësisht ndërlidhjes së lartësisë së pensioneve të veteranëve të UÇK-së me nivelin e pagës minimale në Republikën e Kosovës. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin përkatës të vitit 2017, Gjykata ka vlerësuar që përderisa eliminimi i garancive që ndërlidhen me pagën minimale për kategoritë e veteranëve të UÇK-së, përbën “ndërhyrje” në të drejtat përkatëse pronësore, kjo “ndërhyrje” kishte një qëllim legjitim dhe ishte proporcionale me qëllimin e ndjekur, duke konstatuar rrjedhimisht që nuk është në kundërshtim me Kushtetutë. Për pasojë, dhe sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, pretendimet që ndërlidhen me cenimin e të drejtave pronësore të veteranëve të UÇK-së si pasojë e shkëputjes së ndërlidhjes të lartësisë së pensioneve me lartësinë e pagës minimale në Republikën e Kosovës, janë përmbyllur përmes Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KO01/17.

Thënë këtë, Aktgjykimi sqaron që Ligji i kontestuar përmban një ndryshim dhe/ose plotësim shtesë, që ndërlidhet me periudhën tranzitore, përkatësisht nivelin e lartësisë së pensioneve të veteranëve të UÇK-së deri në kategorizimin përfundimtar të tyre. Më saktësisht dhe sipas sqarimeve të dhëna, (i) përderisa Ligji për Veteranët i viti 2017, kishte eliminuar garancinë e ndërlidhjes së lartësisë së pensionit me pagën minimale, i njëjti kishte mbajtur në fuqi dispozitat e ligjit bazik, përkatësisht Ligjit për Veteranët të vitit 2014, të cilat mundësonin që veteranët e UÇK-së të marrin pensionet të paktën në lartësinë e pagës minimale deri në kategorizimin përfundimtar të tyre; dhe (ii) ky përcaktim, tani ndryshohet përmes Ligjit të kontestuar, i cili përcaktimin e lartësisë së pensioneve përkatëse përgjatë kësaj periudhe tranzitore, përkatësisht deri në kategorizimin përfundimtar të veteranëve të UÇK-së, e vendos në diskrecionin e Qeverisë, kushtëzuar nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetës dhe inflacioni eventual.

Rrjedhimisht, sipas sqarimeve të dhëna, në rrethanat e Ligjit të kontestuar, nuk është kontestuese ndërlidhshmëria e lartësisë së pensioneve me pagën minimale, sepse kjo çështje është zgjidhur përmes Ligjit për Veteranët të vitit 2017, por kontestuese është nëse vonesat në zbatimin e ligjit të lartcekur, përkatësisht detyrimit të shtetit për të bërë kategorizimin përfundimtar të veteranëve, mund të rezultojnë në “pritje legjitime” për kategorinë e veteranëve të UÇK-së që deri në kategorizimin përfundimtar të tyre, të përfitojnë pensione në lartësinë e pagës minimale në Republikën e Kosovës.

Në kontekstin e lartcekur, Aktgjykimi, ndër tjerash, thekson që bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, “pritjet legjitimet” për të “hyrat e ardhshme”, përfshirë në kontekst të “pensioneve dhe beneficioneve sociale”, nuk mund të burojnë thjeshtë nga vonesat në zbatimin e ligjeve, përfshirë Ligjin për Veteranët të vitit 2017 në kontekst të kategorizimit të veteranëve të UÇK-së, duke vënë theks po ashtu në faktin që bazuar në parimet e sundimit të ligjit dhe sigurisë juridike, të cilat ndër tjerash, burojnë nga neni 7 [Vlerat] i Kushtetutës, autoritetet publike në Republikën e Kosovës, janë të detyruara të zbatojnë ligjet e miratuara nga Kuvendi. Për më tepër, Aktgjykimi gjithashtu sqaron që (i) nuk është kontestues detyrimi i shtetit për përkrahjen financiare përmes pensioneve dhe beneficioneve të veçanta për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, të cilat me sakrificën dhe kontributin e tyre ishin faktorë vendimtar për lirinë dhe çlirimin e Republikës së Kosovës; (ii) Ligji i kontestuar nuk afekton të drejtën në pension të veteranëve të UÇK-së si rezultat i kontributit të lartcekur të tyre; ndërsa (iii) Ligji i kontestuar gjithashtu nuk përcakton dhe as nuk zvogëlon lartësinë e pensioneve të kategorisë së veteranëve të UÇK-së. Thënë këtë, Aktgjykimi më tej thekson që bazuar në garancitë që burojnë nga neni 46 [Mbrojtja e Pronës] i Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, zbritja eventuale e nivelit të lartësisë së të “hyrave të ardhshme”, përfshirë në kontekst të “pensioneve dhe beneficioneve sociale”, mund të rezultojë në “ndërhyrje” në të drejtën në pronë, dhe si i tillë, mund të kontestohet dhe t’i nënshtrohet vlerësimit të ligjshmërisë dhe/ose kushtetutshmërisë, në kontekst të ndërhyrjes në këto të drejta dhe proporcionalitetit të kësaj ndërhyrjeje në raport me qëllimin legjitim të ndjekur.

Për pasojë dhe sipas sqarimeve në Aktgjykim, Gjykata ka konstatuar që neni 2 i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

(b) lidhur me personat e verbër dhe personat paraplegjik dhe tetraplegjik

Në kontekst të kategorive të personave të verbër dhe personave paraplegjik dhe tetraplegjik, dhe duke analizuar ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve përkatëse të aplikueshme ndër vite, Aktgjykimi sqaron që për dallim nga Ligji për Veteranët i vitit 2017, Ligji për Personat e Verbër dhe Ligji për Personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik, nuk garantojnë lartësinë e kompensimit të paktën në nivelin e pagës minimale në Republikën e Kosovës, por “në një shkallë të caktuar, bazuar në pagën minimale” që përcaktohet nga Qeveria. Për më tepër, ligjet e lartcekura, gjithashtu dallojnë edhe në mes vete sa i përket garancive lidhur me lartësinë e kompensimeve. Ligji për Personat e Verbër ngërthen një garanci shtesë dhe sipas të cilës, personat e verbër marrin nga buxheti shtetëror kompensim në “një shkallë të caktuar bazuar në pagën minimale”, por jo më pak se njëqind (100) euro në muaj. Ndërkaq, Ligji për Personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik, vë theks edhe në diskrecionin e shtetit për të ndryshuar lartësinë e kompensimit, përfshirë për të zvogëluar dhe eliminuar të njëjtën, varësisht nga disponueshmëria e fondeve dhe rrethanat që krijojnë tendosje të paparapara fiskale në buxhetin publik. Ligji i kontestuar, ndryshon dhe plotëson ligjet bazike të lartcekura, duke përcaktuar mekanizmin e njëjtë për përcaktimin e lartësisë së kompensimit për të dy kategoritë, përkatësisht që Qeveria, me propozimin e Ministrisë së Financave, të vendosë për lartësinë e shumës së kompensimeve për personat e verbër dhe personat paraplegjik dhe tetraplegjik, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetës dhe inflacioni eventual.

Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, në kontekst të ligjeve të aplikueshme për personat e verbër dhe personat paraplegjik dhe tetraplegjik, (i) nuk është kontestuese e drejta e personave të verbër dhe personave paraplegjik dhe tetraplegjik për mbështetje financiare dhe/ose kompensim, sepse kjo e drejtë buron nga neni 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] i Kushtetutës dhe ligjet e aplikueshme dhe nuk afektohet përmes Ligjit të kontestuar, por (ii) kontestuese është nëse lartësia e kompensimit, e cila nuk është e saktësuar në ligjet e aplikueshme dhe as në Ligjin e kontestuar, mund të ngritë “pritje legjitime” në lidhje me të “hyrat e ardhshme” të personave të verbër dhe atyre paraplegjik dhe tetraplegjik për qëllime të garancive që ngërthen neni 46 [Mbrojtja e Pronës] i Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në rrethana të tilla dhe marrë parasysh që nuk është kontestuese e drejta në kompensim mujor, por lartësia e këtij kompensimi dhe e cila jodetyrimisht zvogëlohet përmes Ligjit të kontestuar, nuk mund të konstatohet të jenë cenuar të drejtat pronësore të këtyre kategorive.

Për pasojë dhe sipas sqarimeve në Aktgjykim, Gjykata ka konstatuar që nenet 3 dhe 4 të Ligjit të kontestuar, nuk janë në kundërshtim me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Thënë këtë dhe duke e theksuar kompetencën e Kuvendit për të përcaktuar politikat sociale të Republikës së Kosovës, gjithnjë në përputhje me vlerat e Kushtetutës ndërlidhur me drejtësinë sociale dhe të drejtat dhe liritë themelore, Aktgjykimi vë theks në (i) nenin 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] të Kushtetutës, i cili, ndër tjerash, garanton sigurimin social themelor që ka të bëjë me papunësinë, sëmundjen, aftësitë e kufizuara dhe moshën e shtyrë në mënyrë e rregulluar me ligj; (ii) nenin 28 (Standardet e duhura të jetesës dhe mbrojtjes sociale) të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, sipas të cilës, shtetet janë të detyruara që të njohin të drejtën e personave me aftësi të kufizuar për një standard adekuat jetese për ta dhe për familjet e tyre, duke përfshirë ushqimin, veshjen dhe strehimin e përshtatshëm, si edhe të drejtën për përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të jetesës dhe zotohen të ndërmarrin hapat e duhura për të mbrojtur dhe përmirësuar realizimin e kësaj të drejte pa diskriminim për shkak të aftësisë së kufizuar; dhe (iii) praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilës personat me aftësi të kufizuara janë të identifikuar si kategori e cila është e margjinalizuar, dhe që historikisht i është nënshtruar diskriminimit dhe paragjykimeve, gjë që ka sjellë izolimin e tyre në shoqëri. Marrë parasysh këto parime, dhe faktin që shkalla e vlerësimit të shteteve në kufizimin e të drejtave të kësaj kategorie, është substancialisht më e kufizuar, Aktgjykimi thekson që Kuvendi dhe/ose Qeveria duhet të kenë arsye shumë serioze për të ndërhyrë në këto të drejta, përfshirë në kontekst të mundësisë së zvogëlimit të lartësisë së kompensimeve përkatëse. Thënë këtë dhe duke marrë parasysh faktin që Ligji i kontestuar nuk e afekton të drejtën për kompensim të kategorive të lartcekura dhe as nuk përcakton dhe/ose zvogëlon lartësinë e tij, Aktgjykimi megjithatë thekson që zbritja eventuale e lartësisë të “të hyrave të ardhshme”, përfshirë në kontekst të “pensioneve dhe beneficioneve sociale”, duhet të jetë gjithnjë proporcionale me qëllimin legjitim të ndjekur dhe në këtë kontekst, mund të kontestohet dhe t’i nënshtrohet vlerësimit të ligjshmërisë dhe/ose kushtetutshmërisë, përkatësisht përputhshmërisë me të drejtat dhe liritë themelore të personave të verbër dhe atyre paraplegjik dhe tetraplegjik.

(iii) mënyra e përcaktimit të lartësisë së pagës minimale

Në kontekst të mekanizmave që përcaktojnë lartësinë e pagës minimale në Republikën e Kosovës, Aktgjykimi fillimisht sqaron që neni 57 (Paga minimale) i Ligjit të Punës, ndër tjerash, saktëson që Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalendarik përcakton pagën minimale sipas propozimit të Këshillit Ekonomik-Social, ndërsa Ligji i kontestuar, e ndryshon dhe plotëson nenin e lartcekur, duke e mbajtur detyrimin e Qeverisë që të përcaktojë pagën minimale sipas propozimit të Këshillit Ekonomik-Social, por duke e shtuar mundësinë që vet Qeveria të përcaktojë pagën minimale në rast se mungon një propozim i tillë.

Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit të lartcekur, Aktgjykimi rithekson që, përtej drejtësisë sociale si vlerë e Republikës së Kosovës, çështjet që ndërlidhen me mekanizmat që përcaktojnë pagën minimale, janë të rregulluara në nivel ligji dhe akti nënligjor, përkatësisht me Udhëzimin Administrativ nr. 09/2017 për Caktimin e Pagës Minimale në Republikën e Kosovës. Për më tepër, sipas sqarimeve të dhëna, përderisa Konventa e ONP-së për Caktimin e Pagës Minimale nuk është drejtpërdrejt e zbatueshme në rendin juridik të Republikës së Kosovës, megjithatë parimet që burojnë nga e njëjta, janë të reflektuara, në parim, në Ligjin e aplikueshëm për Punën. Sipas standardeve të Konventës së lartcekur, përcaktimi i pagës minimale është një nga mekanizmat që shtetet duhet ta përdorin për të përmbushur drejtësinë sociale dhe qëllimi i caktimit të pagës minimale, duhet të jetë mbrojtja e punëtorëve të cilët kanë paga shumë të ulëta, që atyre t’ju ofrohen kushte për një jetë të dinjitetshme dhe që niveli i kësaj page duhet të caktohet pas marrëveshjes ose konsultimit të plotë me përfaqësuesit e punëtorëve dhe punëdhënësve.

Aktgjykimi tutje sqaron që, përderisa neni 6 i Ligjit të kontestuar, e largon kushtin që Këshilli Ekonomik-Social të jetë vendimtar në përcaktimin e pagës minimale, i njëjti jodetyrimisht e afekton detyrimin e konsultimit të plotë me organizatat që përfaqësojnë të punësuarit dhe punëmarrësit në kuadër të Këshillit Ekonomik-Social, sepse ky i fundit gjithnjë ka rolin primar në vendosjen përkitazi me propozimin e përcaktimit të pagës minimale në Republikën e Kosovës dhe vetëm në rast të dështimit të arritjes së këtij konsensusi, kompetenca vendimmarrëse brenda një viti kalendarik, kalon në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Sipas sqarimeve të dhëna, Gjykata vëren që, ndryshimi i mënyrës së përcaktimit të pagës minimale në raport me përbërjen dhe mënyrën e vendimmarrjes së Këshillit Ekonomik-Social, mund të afektojë mënyrën e konsultimit dhe/ose të vendimmarrjes në mes të përfaqësuesve të organizatave të punëmarrësve, punëtorëve dhe Qeverisë, në kontekst të propozimit për nivelin e pagës minimale, por që megjithatë, nuk është në kompetencën e Gjykatës që të vlerësojë përzgjedhjen e politikës publike nga përfaqësuesit e popullit, por vetëm të vlerësojë nëse janë cenuar dispozitat e Kushtetutës. Siç është sqaruar më lart, kjo e fundit nuk ngërthen norma që e rregullojnë çështjen e mekanizmave të nevojshëm për përcaktimin e pagës minimale në Republikën e Kosovës.

Në rrethana të tilla dhe sipas sqarimeve të dhëna, Gjykata ka konstatuar që neni 6 i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] të Kushtetutës.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org