Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur në rastin KO15/24 lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 28 (Kuotat gjinore) të Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, të parashtruar nga Avokati i Popullit, bazuar në përcaktimet e nënparagrafit 1 të paragrafit 2 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata, (i) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, ka vendosur që të deklarojë kërkesën e pranueshme; ndërsa (ii) njëzëri, që të konstatoj që neni 28 (Kuotat gjinore) i Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, nuk është në kundërshtim me nenin 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Aktgjykimi, fillimisht sqaron që, thelbi i çështjes së ngritur para Gjykatës, ndërlidhet me nenin 28 (Kuotat gjinore) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, dhe i cili përcakton që (i) në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë (30%) përqind janë meshkuj dhe së paku tridhjetë (30%) përqind janë femra, me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku një herë në secilin grup prej tre (3) kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë; (ii) kjo dispozitë nuk aplikohet te listat e përbëra nga një apo dy kandidatë; dhe (iii) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndanë fonde publike shtesë, në vlerën një përqind (1%) të shumës së përgjithshme të alokuar për subjektin politik, për secilin mandat të fituar nga gratë mbi kuotën tridhjetë përqind (30%) në momentin e certifikimit dhe që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon pas çdo palë zgjedhje buxhet shtesë për këtë qëllim.
Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Avokati i Popullit konteston kushtetutshmërinë e nenit të lartcekur të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, me pretendimin që i njëjti është në kundërshtim me parimet dhe vlerat e përcaktuara në nenet 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 45 [Të drejtat zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës, duke ngritur, ndër tjerash, pretendimet specifike si në vijim (i) vendosja me ligj e kuotës prej tridhjetë përqind (30%) për secilën gjini, përbën paragjykim të pajustifikuar dhe përligj trajtimin e pabarabartë, duke marrë parasysh se përqindja gjinore është pothuajse pesëdhjetë përqind (50%) me pesëdhjetë përqind (50%) mes “meshkujve dhe femrave”; (ii) në praktikën zgjedhore “nuk ka ngjarë që subjektet politike të kenë dërguar për certifikim listat e kandidatëve me nga pesëdhjetë përqind (50%) meshkuj dhe femra”; dhe (iii) ky përcaktim, po ashtu është në kundërshtim me frymën e barazisë gjinore të parashikuar me nenin 5 (Masat e përgjithshme për parandalimin e diskriminimit gjinor dhe sigurimin e barazisë gjinore) të Ligjit nr.05/L-020 për Barazi Gjinore. Pretendimet e Avokatit të Popullit, kundër-argumentohen nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i cili, ndër tjerash, dhe duke u referuar në praktikën paraprake gjyqësore të Gjykatës, thekson që neni 28 (Kuotat gjinore) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, është në përputhje me Kushtetutën, në esencë, sepse (i) kuota prej tridhjetë përqind (30%) në listat zgjedhore është kuotë ligjore, ndërsa përcaktimet e Ligjit për Barazinë Gjinore janë ideale ligjore dhe kushtetuese; dhe (ii) neni i lartcekur nuk përbën diskriminim të tërthortë, marrë parasysh se ky prag minimal është masë afirmative me qëllim të ruajtjes së ekuilibrit gjinor në politikë.
Në kontekstin e lartcekur, Aktgjykimi thekson që thelbi i çështjes së ngritur para Gjykatës, është përputhshmëria me Kushtetutën e nenit 28 (Kuotat gjinore) të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, përkatësisht vlerësimi nëse përcaktimi i kuotës ligjore prej së paku tridhjetë përqind (30%) të përfaqësimit të secilës gjini në listën e subjekteve politike që garojnë në zgjedhje, cenon të drejtat zgjedhore të përcaktuara me Kushtetutë. Në këtë aspekt, Aktgjykimi, fillimisht vë theks në faktin që barazia gjinore është një ndër vlerat më thelbësore të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe që autoritetet publike të Republikës e në veçanti, Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka detyrimin pozitiv që, në ushtrimin e kompetencës ligjbërëse, të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme drejt realizimit të domosdoshëm të barazisë gjinore në Republikën e Kosovës. Ndërlidhur me të drejtat zgjedhore dhe të cilat ngërthejnë thelbin e këtij Aktgjykimi, ky i fundit, rikujton që neni 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] i Kushtetutës, ndër tjerash, përcakton që çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor. Kjo e drejtë kushtetuese, duhet gjithashtu të vlerësohet në dritën e vlerave e parimeve kushtetuese, sipas të cilave Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë dhe mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore. Për më tepër, Aktgjykimi thekson që bazuar në përcaktimet kushtetuese, përkundër që të gjithë janë të barabartë para ligjit, parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë dhe masat e tilla zbatohen, vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, përderisa Kushtetuta përcakton që parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë, duke mundësuar, ndër tjerash, vendosjen e kuotave ligjore për pjesëmarrje dhe përfaqësim të barabartë të gjinive në jetën politike deri atëherë kur të jetë arritur barazia e domosdoshme, Kushtetuta nuk përcakton lartësinë, përkatësisht përqindjen e kësaj kuote ligjore, duke e deleguar këtë çështje në kompetencën e Kuvendit të Republikës, gjithnjë nën detyrimin për respektimin e detyrimeve pozitive të shtetit dhe të standardeve që burojnë nga instrumentet e aplikueshme ndërkombëtare.
Në kontekst të kësaj të fundit, Aktgjykimi, ndër tjerash, shtjellon (i) parimet e përgjithshme të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me të drejtën për t’u zgjedhur dhe pjesëmarrjen; (ii) instrumentet dhe dokumentet e miratuara në nivel të Kombeve të Bashkuara dhe të Këshillit të Evropës që ndërlidhen me ndërmarrjen e masave afirmative për përfaqësim të barabartë në politikë; (iii) përmbledhjet e rekomandimeve të Këshillit të Evropës dhe opinioneve e raporteve të Komisionit të Venecias ndërlidhur me kuotat gjinore në lista zgjedhore si masa të veçanta për të adresuar pabarazinë faktike në mes të gjinive në përfaqësim politik; dhe (iv) praktikën gjyqësore të Gjykatës, të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatave Kushtetuese të shteteve tjera në lidhje me të drejtat zgjedhore dhe kuotat gjinore. Bazuar në dokumentet dhe parimet e shtjelluara në Aktgjykim, ky i fundit vë theks edhe në Rezolutën 1706(2010) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe e cila rekomandon që në vendet me sistem të listave me përfaqësim proporcional, duhet të merret parasysh futja e një kuote ligjore e cila parashikon jo vetëm një pjesë të lartë të kandidateve gra dhe idealisht të paktën dyzet përqind (40%), por edhe një rregull të rreptë të renditjes së pozitave. Nga analiza e shtjelluar në Aktgjykim, rezulton që shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë bazuar në Rekomandimin e Asamblesë Parlamentare, inkurajohen që të rrisin përfaqësimin e grave duke vendosur kuota gjinore, dhe të cilat, në parim, kanë dy karakteristika, përkatësisht (i) përcaktimin e një kuote minimale të përfaqësimit në lista zgjedhore të subjekteve politike; dhe (ii) një përcaktim të renditjes zinxhir të kandidatëve nga secila gjini ose nga një kandidat të secilës gjini, përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre (3) kandidatëve në rast të kuotës prej tridhjetë përqind (30%), me synimin që kandidatët e gjinisë më pak të përfaqësuar, të mos rrezikojnë që të vendosen shumë poshtë në listë dhe të kenë një mundësi reale për t’u zgjedhur. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, rezulton që shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe të cilat kanë vendosur mekanizma të tillë në ligjet përkatëse që rregullojnë përcaktimin e listave zgjedhore të subjekteve politike që garojnë në zgjedhje, në parim, kanë përcaktuar lartësinë dhe/ose përqindjen e kuotës gjinore prej njëzet përqind (20%) deri në dyzet përqind (40%).
Më tej dhe në kontekst të vlerësimit të kushtetutshmërisë së dispozitës së kontestuar, Aktgjykimi së pari dhe ndërlidhur me përqindjen e kuotës gjinore në listat zgjedhore të subjekteve politike, vë theks në faktin që përderisa Kushtetuta mundëson vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë, ajo nuk përcakton përqindjen e kësaj kuote, duke i lënë hapësirën e nevojshme pushtetit legjislativ, përkatësisht Kuvendit të Republikës së Kosovës për të përcaktuar këtë përqindje, në përputhje me detyrimet pozitive të shtetit për të siguruar barazinë gjinore dhe e cila, pasi të jetë caktuar duhet të zbatohet me përpikmëri. Aktgjykimi gjithashtu sqaron, që bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përcaktimi i kësaj kuote si masë e përkohshme dhe e nevojshme derisa të jetë arritur barazia gjinore, është çështje e politikës publike dhe e cila, i takon pushtetit legjislativ. Sipas sqarimeve të dhëna, nuk është në kompetencën e Gjykatës të përcaktojë lartësinë dhe/ose përqindjen e kësaj kuote ligjore, por Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka autorizimet e plota që të avancojë përqindjen e kuotës së lartcekur që ndërlidhet me përfaqësimin gjinor në listat e subjekteve politike që garojnë në zgjedhje, gjithnjë në kontekst të një mase të nevojshme derisa të jetë arritur qëllimi i barazisë gjinore në Republikën e Kosovës dhe gjithnjë në pajtim me standardet e përcaktuara përmes mekanizmave të Këshillit të Evropës e të shtjelluara në këtë Aktgjykim.
Së dyti, dhe ndërlidhur me qëllimin e synuar të përfaqësimit prej pesëdhjetë përqind (50%) të vendosur në Ligjin për Barazi Gjinore, Aktgjykimi i referohet praktikës së saj paraprake gjyqësore përmes të cilës është shtjelluar ky përcaktim, përfshirë Aktgjykimit të saj në rastin KI45/20 dhe KI46/20, me parashtruese Tinka Kurti dhe Drita Millaku dhe i cili, ndër tjerash, thekson që Kuvendi si ligjvënës nuk e ka formuluar përqindjen për pesëdhjetë përdind (50%) si një kuotë obligative ligjore por, e ka formuluar në formën e një aspirate drejt arritjes së qëllimit dhe përcaktimit kushtetues për barazi gjinore në Republikën e Kosovës. Më saktësisht dhe sipas sqarimeve të dhëna, pesëdhjetë përqindëshi (50%) i synuar në Ligjin për Barazi Gjinore nuk është një kuotë ligjore për përfaqësim të detyrueshëm siç është tridhjetë përqindëshi (30%) i normuar në nenin 28 (Kuotat gjinore) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Thënë këtë, që të dyja janë ligje të miratuara nga Kuvendi i Republikës dhe i takon këtij të fundit, që gradualisht të arrijë qëllimet që vet ka përcaktuar përmes procesit ligjbërës.
Së treti, dhe ndërlidhur me standardin e nevojshëm të renditjes zinxhir të kandidatëve nga gjinitë përkatëse, Aktgjykimi thekson që neni 28 (Kuotat gjinore) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, saktëson që lista e kandidatëve të secilit subjekt politik, duhet të përfshijë nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku një herë në secilin grup prej tre (3) kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë dhe që një rregullim i tillë, është i bazuar edhe në standardet e aplikueshme ndërkombëtare.
Në fund, Aktgjykimi vë theks në faktin që Republika e Kosovës ka detyrimin kushtetues që të sigurojë barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë dhe mundësi të barabarta për pjesëmarrje të grave dhe burrave në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore. Ashtu siç përcaktojnë dokumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe të shtjelluara në Aktgjykim, mungesa e përfaqësimit të barabartë të grave dhe burrave në vendimmarrjen politike dhe publike, është një kërcënim për legjitimitetin e demokracive respektive.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org