Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur në rastin KO 55/23, përkitazi me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së amendamenteve të propozuara kushtetuese nga dyzet (40) deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të referuara nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 2 mars 2023, përmes shkresës nr.08/3509/Do/1493/1. Kërkesa është dorëzuar në Gjykatë bazuar në paragrafin 9 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] dhe paragrafit 3 të nenit 144 [Amendamentimi] të Kushtetutës, sipas të cilit, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, para miratimit në Kuvend, duhet të referojë amendamentet e propozuara kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim që të konstatohet nëse amendamentet e propozuara i pakësojnë të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës.
Gjykata, njëzëri, ka vendosur që të deklarojë kërkesën e pranueshme, dhe ka konstatuar: (i) me gjashtë (6) vota për dhe dy (2) vota kundër, që amendamenti i propozuar kushtetues nr.29, përmes të cilit propozohet kontrolli kalimtar/i përkohshëm i integritetit të “[…]anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryetarëve të të gjitha gjykatave dhe të gjithë kryeprokurorëve, si dhe kandidatëve për këto pozita[…]”, nga Autoriteti për Kontrollin e Integritetit (Autoriteti), nuk pakëson të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës; (ii) njëzëri, që amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të “mosrespektimit të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimet “në mënyrë të vazhdueshme është vlerësuar me performancë të pamjaftueshme” ose “ka bërë shkelje të rënda disiplinore”, nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës; (iii) njëzëri, që amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të “mosrespektimit të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimin “është vërtetuar se ka pasuri të pajustifikueshme” me vendim gjyqësor përfundimtar, nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës; ndërsa (iv) njëzëri, që amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për shkak të “mosrespektim të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimin “ka integritet të cenueshëm”, pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.
Aktgjykimi fillimisht sqaron që, amendamentet e propozuara kushtetuese të referuara në Gjykatë nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të aprovuara nga Komisioni ad hoc për Vetingun në sistemin e drejtësisë, i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ndërlidhen me (i) procesin kalimtar/të përkohshëm të kontrollit të integritetit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryetarëve të të gjitha gjykatave, Kryeprokurorit të Shtetit dhe të gjithë kryeprokurorëve si dhe të kandidatëve për këto pozita, përkatësisht procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë; dhe (ii) zgjerimin/plotësimin e bazave të përhershme kushtetuese për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës. Aktgjykimi, gjithashtu sqaron që procesi i përgatitjes së amendamenteve kushtetuese, ka filluar me (i) miratimin e “Koncept-dokumentit për zhvillimin e procesit të Veting-ut në sistemin e drejtësisë” nga Qeveria, më 13 tetor 2021; dhe (ii) dorëzimin e Koncept-dokumentit dhe amendamenteve të propozuara kushtetuese nga Ministria e Drejtësisë për opinion në Komisionin e Venecias, më 10 shkurt 2022 dhe 18 maj 2022. Më 17-18 qershor 2022, Komisioni i Venecias në mbledhjen plenare të 131-të miratoi Opinionin [nr. CDL-AD(2022) 011] për Koncept-dokumentin për Veting-un e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe projekt-amendamentet kushtetuese, të cilin e publikoi më 20 qershor 2022. Ky Opinion, ndër tjerash, thekson që (i) kontrolli i integritetit, përkatësisht vetingu në sistemin e drejtësisë, mund të bëhet vetëm përmes amendamenteve kushtetuese; (ii) për të siguruar një reformë proporcionale, procesi kalimtar/i përkohshëm i kontrollit të integritetit, duhet të kufizohet vetëm në anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët; (iii) çështjet tjera që ndërlidhen me integritetin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, përkatësisht gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës, duhet të mbeten në kompetencën e Këshillave përkatës dhe të realizohen përmes reformave ligjore dhe përforcimit të mekanizmave ekzistues në ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës; (iv) ndërhyrja në të drejtat kushtetuese duhet të jetë rreptësishtë proporcionale dhe që çdo ndryshim kushtetues duhet të synojë ndërhyrje minimale në kompetencat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës; dhe (v) ndryshimet përkatëse kushtetuese dhe legjislative duhet të përgatiten mbi bazën e një dialogu të sinqertë dhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha palët e interesit, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial, si dhe shoqërinë civile dhe akademikët e interesuar.
Në kuptim të fushëveprimit të vlerësimit kushtetues të amendamenteve të propozuara kushtetuese, Aktgjykimi më tej sqaron që vlerësimi i kushtetutshmërisë së amendamenteve të propozuara, sipas paragrafit 3 të nenit 144 [Amendamentimi] të Kushtetutës, është i kufizuar në vlerësimin nëse amendamenti i propozuar kushtetues pakëson ndonjë nga të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, një vlerësim i tillë i nënshtrohet edhe përputhshmërisë së amendamenteve të propozuara me vlerat e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës të saktësuara në nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës dhe detyrimeve që burojnë nga neni 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] i Kushtetutës, përmes të cilit saktësohet që të drejtat e njeriut duhet të interpretohen në harmoni me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata, gjatë vlerësimit të amendamenteve të propozuara kushtetuese, ndër tjerash, mori për bazë dokumentacionin e dorëzuar në Gjykatë nga Kryetari i Kuvendit dhe komentet dhe përgjigjet në komente, të dorëzuara nga (i) Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës; (ii) Ministria e Drejtësisë; (iii) Këshilli Gjyqësor i Kosovës; (iv) Këshilli Prokurorial i Kosovës; si dhe (v) një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Për më tepër, dhe në vlerësimin nëse amendamentet e propozuara kushtetuese pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të përcaktuara me Kapitullin II të Kushtetutës, Aktgjykimi fillimisht shtjellon (i) parimet themelore të Kushtetutës përkitazi me ndarjen dhe balancimin e pushteteve dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe sistemit prokurorial në rendin juridik të Republikës së Kosovës; (ii) parimet dhe standardet përkitazi me pavarësinë e gjyqësorit dhe të prokurorisë që burojnë nga instrumentet dhe dokumentet ndërkombëtare, përfshirë ato të Kombeve të Bashkuara, të Bashkimit Evropian, të Këshillit të Evropës, përfshirë rekomandimet e Komitetit të Ministrave dhe Opinionet e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë dhe Këshillit Konsultativ të Prokurorëve Evropianë, Opinionet relevante të Komisionit të Venecias, praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian; (iii) parimet e përgjithshme që burojnë nga Kushtetuta dhe standardet e instrumentet ndërkombëtare përkitazi me kriteret për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve; (iv) Opinionet dhe përgjigjet amicus curiae të Komisionit të Venecias në lidhje me vlerësimin kalimtar (vetingun) të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfshirë në rastin e Republikës së Shqipërisë, Moldavisë dhe Ukrainës; (v) analizën krahasuese të Kushtetutave të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës; dhe (vi) Opinionin nr.CDL-AD(2022)011 të Komisionit të Venecias për Kosovën përkitazi me Koncept-Dokumentin për Vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Aktgjykimi më tej sqaron që, amendamentet e propozuara kushtetuese janë të dy kategorive. Kategoria e parë, përkatësisht amendamenti i propozuar kushtetues nr. 29, është i natyrës kalimtare/të përkohshme dhe përfshinë propozimin që ndërlidhet me procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë, përkatësisht themelimin e Autoritetit, si organ i përkohshëm, i themeluar jashtë sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial, i cili është i mveshur me kompetencën e kontrollit të integritetit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryetarëve të gjykatave, Kryeprokurorit të Shtetit, kryeprokurorëve të prokurorive dhe kandidatëve për këto pozita. Ndërsa, kategoria e dytë, përkatësisht amendamentet e propozuara nr.27 dhe nr.28, janë të natyrës së përhershme dhe propozojnë zgjerimin/plotësimin e bazës ekzistuese kushtetuese për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të “mosrespektimit të rëndë të detyrave” të përcaktuar me paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës. Në aplikimin e parimeve kushtetuese dhe standardeve relevante ndërkombëtare, përfshirë ato që burojnë nga Opinioni i Komisionit të Venecias për Kosovë, Gjykata ka konstatuar që (i) amendamenti i propozuar nr.29, që ndërlidhet me procesin kalimtar/të përkohshëm të vetingut në sistemin e drejtësisë, nuk pakëson të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës; ndërsa (ii) amendamentet e propozuara nr.27 dhe nr.28, që ndërlidhen me plotësimin e bazave kushtetuese të përhershme për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës në kontekst të tri (3) prej formulimeve të propozuara, ndërsa i pakësojnë këto të drejta dhe liri në kontekst të një (1) formulimi të propozuar, sipas sqarimeve të dhëna në vijim:
(i) procesi kalimtar/i përkohshëm i kontrollit në sistemin e drejtësisë – vetingu
Aktgjykimi fillimisht sqaron që amendamenti i propozuar kushtetues nr.29, përcakton (i) krijimin e mekanizmit të kontrollit të integritetit të pozitave udhëheqëse në sistemin e drejtësisë, përmes Autoritetit për Kontrollin e Integritetit; (ii) mandatin e përkohshëm të Autoritetit për një periudhë dy (2) vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një (1) vit, nëse vendoset me ligj të miratuar nga dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit dhe përcaktimin që kontrolli i integritetit, përfshirë kontrollin e pasurisë dhe të figurës së subjektit të kontrollit, bëhet vetëm një herë; (iii) që përbërja, përzgjedhja, organizimi, funksionimi, kompetencat dhe imuniteti i Autoritetit, përcaktohen me ligj; (iv) përbërjen dhe kompetencat e paneleve të kontrollit të integritetit dhe Kolegjit përkatës të Apelit, përfshirë sipas përcaktimeve të mëtejshme me ligj; (v) kompetencën e Presidentes së Republikës për të organizuar procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Autoritetit dhe të cilët votohen në bllok dhe zgjedhen me votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit dhe shkarkohen me të njëjtën shumicë pas propozimit të Kolegjit të Apelit të Autoritetit; (vi) kompetencën e Autoritetit që të konfirmojë kalimin e kontrollit të integritetit për subjektin përkatës apo t’i propozojë Presidentes shkarkimin e të njëjtit; (vii) detyrimin për bashkëpunim nga subjekti i kontrollit; dhe (viii) të drejtën e ankesës në Kolegjin e Apelit të Autoritetit dhe në Gjykatën Kushtetuese.
Në vlerësimin e këtij amendamenti kushtetues, Aktgjykimi fillimisht thekson që themelimi i Autoritetit, i cili mveshet me kompetencën për kontrollin e integritetit “të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Kryetarëve të gjykatave, Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive dhe kandidatëve për këto pozita”, mund të përcaktohet vetëm përmes amendamenteve kushtetuese, duke marrë parasysh që kompetencat e Autoritetit të lartcekur afektojnë (i) kompetencat kushtetuese, përfshirë pavarësinë e plotë kushtetuese të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, sipas përcaktimeve të neneve 108 [Këshilli Gjyqësor i Kosovës] dhe 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; (ii) kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës të përcaktuara me paragrafët 15 dhe 17 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës; dhe (iii) kompetencën kushtetuese të Kuvendit të përcaktuar përmes paragrafit 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës.
Në vijim, Aktgjykimi sqaron që përtej efektit të përkohshëm në kompetencat kushtetuese të institucioneve të lartcekura, themelimi i Autoritetit gjithashtu afekton (i) të drejtat e subjekteve të kontrollit të integritetit, përkatësisht anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryetarëve të të gjitha gjykatave dhe të gjithë kryeprokurorëve si dhe kandidatëve për këto pozita; por edhe (ii) të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve, sepse një proces i tillë që përfshin kontrollin e integritetit të pozitave drejtuese, të cilat janë përgjegjëse për funksionimin dhe administrimin e gjithmbarshëm të sistemit të drejtësisë, mund të ndikojë në administrimin e rasteve të individëve para gjykatave dhe prokurorive dhe rrjedhimisht, në të drejtën e tyre kushtetuese për gjykim të drejtë. Marrë parasysh efektin e themelimit të Autoritetit në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, Aktgjykimi shtjellon dhe vlerëson të gjitha amendamentet e propozuara kushtetuese veç e veç, me theks në analizën (i) nëse Autoriteti, përkatësisht panelet e kontrollit dhe Kolegji i Apelit, plotësojnë kriteret e “tribunalit/gjykatës” së pavarur të themeluar me ligj sipas garancive që ngërthen neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] i Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (ii) nëse subjektet që i nënshtrohen kontrollit të integritetit nga Autoriteti, kanë të garantuar të drejtën për qasje në drejtësi, mjet juridik dhe mbrojtje gjyqësore të të drejtave sipas përcaktimeve të neneve 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iii) nëse kontrolli i integritetit përmes mekanizmave të Autoritetit, cenon të drejtat e privatësisë të subjekteve përkatëse në kundërshtim me garancitë e nenit 36 [E Drejta e Privatësisë] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në kontekst të çështjes së parë, dhe duke aplikuar praktikën relevante gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata vlerësoi kriteret që ndërlidhen me (i) funksionin gjyqësor të paneleve të kontrollit dhe Kolegjit të Apelit të Autoritetit; (ii) mënyrën e zgjedhjes dhe shkarkimit të anëtarëve të Autoritetit; dhe (iii) konceptin e pavarësisë dhe paanësisë së paneleve të kontrollit dhe Kolegjit të Apelit dhe kohëzgjatjen e mandatit të anëtarëve të Autoritetit; dhe konstatoi që, në parim, panelet e kontrollit dhe Kolegji i Apelit i Autoritetit kanë statusin e “gjykatës/tribunalit” në kuptim të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në kontekst të çështjes së dytë, përkatësisht të drejtës së subjekteve të kontrollit për qasje në gjykatë dhe mjet efektiv juridik, Aktgjykimi, ndër tjerash, sqaron që megjithëse amendamentet e propozuara kushtetuese përjashtojnë të drejtën në mjete juridike para gjykatave të rregullta ndaj vendimeve të Autoritetit, të njëjtat garantojnë parimin e dyshkallshmërisë, përkatësisht të drejtën e ankesës ndaj vendimeve të paneleve të kontrollit në Kolegjin e Apelit të Autoritetit dhe të drejtën e parashtrimit të kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të Kolegjit të lartcekur të Apelit në Gjykatën Kushtetuese, sipas përcaktimeve të paragrafit 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës. Ndërsa, në kontekst të çështjes së tretë, përkatësisht të drejtës së privatësisë, Aktgjykimi, duke shtjelluar parimet e përcaktuara përmes nenit 36 [E Drejta e Privatësisë] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sqaron që çështja e të dhënave, por edhe çështja e shkarkimit të subjekteve të kontrollit, bie në sferën e të drejtës për jetë private dhe familjare dhe që çdo “ndërhyrje/kufizim” i kësaj të drejte, duhet të jetë e “përcaktuar me ligj”, të “ndjek qëllimin legjitim” dhe të jetë “proporcionale” dhe e nevojshme në një shoqëri demokratike. Në parim, Aktgjykimi sqaron që qëllimi i kontrollit kalimtar/të përkohshëm të subjekteve të kontrollit të integritetit, ndjek një qëllim legjitim, përkatësisht atë të administrimit të duhur të drejtësisë dhe që mekanizmat e përcaktuara, në parim, janë proporcionale me qëllimin e ndjekur.
Thënë këtë, Aktgjykimi gjithashtu, ndër tjerash, thekson që (i) votimi i anëtarëve të Autoritetit në bllok me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve, ngërthen detyrimin e Kuvendit për të vlerësuar dhe për t’u siguruar që çdo kandidat për anëtar të Autoritetit, në baza individuale, të përmbushë kriteret më të larta profesionale dhe të integritetit; (ii) përbërja e Autoritetit dhe emërimet e reja në pozitat që i nënshtrohen kontrollit të integritetit, duhet të jenë në përputhje me detyrimet kushtetuese për barazinë gjinore dhe përfaqësimin e anëtarëve të komunitetit joshumicë; dhe (iii) bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, çdo “ndërhyrje/kufizim” në të drejtën për jetën private përmes procedurave të kontrollit të integritetit të zhvilluara nga Autoriteti, duhet të jetë rreptësishtë proporcionale me qëllimin e ndjekur. Për më tepër, Aktgjykimi gjithashtu thekson që bazuar në amendamentet e propozuara kushtetuese, mandati i Autoritetit është dy (2) vite nga zgjedhja e të gjithë anëtarëve të tij, me mundësi vazhdimi më së shumti edhe për një (1) vit tjetër, nëse vendoset me ligj të miratuar me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Aktgjykimi sqaron që dështimi i miratimit të këtij ligji, nënkupton përfundimin e menjëhershëm të mandatit të Autoritetit. Në fund, Aktgjykimi gjithashtu thekson që vlerësimi i Gjykatës që amendamenti i propozuar kushtetues nr. 29, nuk rezulton në pakësimin e të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës, nuk paragjykon edhe vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit të Kuvendit që miratohet në zbatim të amendamentit të lartcekur, për aq sa kontestohet para Gjykatës përmes palëve të autorizuara sipas përcaktimeve të Kushtetutës.
(ii) plotësimi/zgjerimi i bazave të përhershme kushtetuese për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve
Aktgjykimi fillimisht sqaron që bazuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, gjyqtarët dhe prokurorët mund të shkarkohen nga funksioni për shkak të (i) “dënimit për një vepër të rëndë penale”; ose për (ii) “mosrespektimin e rëndë të detyrave”, ndërsa, bazuar në paragrafin 2 të nenit 107 [Imuniteti] të Kushtetutës, gjyqtarët nuk gëzojnë imunitet dhe mund të shkarkohen nga funksioni, kur të kenë shkelur ligjin me qëllim. Për më tepër, sipas shtjellimeve në Aktgjykim, Ligji nr.06/L-57 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe aktet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, përcaktojnë më tej llojet e shkeljeve disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfshirë ato që ndërlidhen me “shkelje të ligjit” ose “shkelje të detyrave zyrtare”, sanksionet përkatëse dhe propozimin për shkarkim të gjyqtarit ose të prokurorit përkatës. Amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, propozojnë zgjerimin/plotësimin e bazës kushtetuese të “mosrespektimit të rëndë të detyrave”, duke përfshirë në nivel të normës kushtetuese edhe (i) “performancën e pamjaftueshme në mënyrë të vazhdueshme”; (ii) “pasurinë e pajustifikueshme”; (iii) “shkeljet e rënda disiplinore”; dhe (iv) “integritetin e cenueshëm”.
Në vlerësimin nëse amendamentet e propozuara si më sipër, pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës, Aktgjykimi, ndër tjerash, sqaron që (i) për dallim nga kontrolli kalimtar i integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve si masë e përkohshme dhe e jashtëzakonshme, element thelbësor i pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe sistemit prokurorial, është edhe parimi i sigurisë që ndërlidhet me mandatin dhe palargueshmërinë nga funksioni; dhe (ii) bazat e përhershme për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duhet të mundësojnë ndërmarrjen e masave efektive ndaj atyre që cenojnë integritetin e sistemit të drejtësisë, por në të njëjtën kohë, të ofrojnë garanci që të njëjtit të ushtrojnë funksionet përkatëse në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe pa ndërhyrje. Për pasojë, instrumentet ndërkombëtare, përfshirë Opinionet e Komisionit të Venecias dhe Opinionet e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë, përcaktojnë detyrimin që bazat për disiplinimin dhe/ose shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të jenë qartësisht të përcaktuara, përfshirë sa i përket garancive procedurale që duhet ndjekur. Një parim i tillë, buron edhe nga parimi i sigurisë juridike, si pjesë thelbësore e sundimit të ligjit, sipas të cilit, norma duhet të jetë në përputhje me kriterin e “qartësisë” dhe “parashikueshmërisë”.
Në kontekstin e lartcekur, Aktgjykimi thekson që Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet relevante të aplikueshme, përcaktojnë bazë të mjaftueshme për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për më tepër, çështjet që ndërlidhen me vlerësimin e performancës dhe shkeljeve të rënda disiplinore, bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, tashmë përbëjnë bazë për propozimin për shkarkim të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në Opinionin për Kosovën, edhe Komisioni i Venecias, ka rekomanduar që përtej kontrollit kalimtar/të përkohshëm të integritetit, të fokusuar në pozitat e larta të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, çështjet që ndërlidhen me integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë të Republikës së Kosovës, të administrohen nga Këshillat përkatës, duke përforcuar zbatimin e mekanizmave ekzistues ligjor, por edhe përmes miratimit/amendamentimit të ligjeve relevante. Megjithatë, sipas shtjellimeve të dhëna në Aktgjykim, Gjykata konsideron që nëse propozuesi i amendamenteve kushtetuese vlerëson që kritere të tilla që ndërlidhen me “performancën profesionale”, “shkeljet e rënda disiplinore” dhe “pasurinë e pajustifikueshme” të gjyqtarit dhe/ose prokurorit e të vërtetuar me vendim gjyqësor përfundimtar, duhet të përcaktohen edhe në nivel të normës kushtetuese, një përcaktim i tillë është i mundur, sepse formulimet e lartcekura janë mjaftueshëm të “qarta” dhe të “parashikueshme”, dhe si të tilla, nuk rezultojnë në pakësimin e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara në Kapitullin II të Kushtetutës.
Në kontekst të formulimit “është vërtetuar se ka pasuri të pajustifikueshme”, Aktgjykimi, ndër tjerash, sqaron që (i) mekanizmi i deklarimit të pasurisë, është një ndër mekanizmat e luftimit të korrupsionit në sektorin publik, përfshirë për gjyqtarët dhe prokurorët, dhe si i tillë, i njëjti mund të rezultojë në shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve; (ii) mekanizmit të deklarimit të pasurisë të përcaktuar përmes Ligjit nr. 08/L-108 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, i referohet edhe Komisioni i Venecias në Opinion e tij për Kosovën, e mekanizmave të ngjashme i referohen edhe opinionet tjera relevante, përfshirë ato të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Evropianë dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iii) Kodi Penal i Republikës së Kosovës, përcakton veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, dhe dënimi për të njëjtën, bazuar në Kushtetutë, rezulton në propozimin për shkarkim të gjyqtarit dhe/ose prokurorit përkatës. Aktgjykimi, megjithatë, sqaron që asnjë nga Kushtetutat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe as të Këshillit të Evropës nuk e kanë të përcaktuar “pasurinë e pajustifikueshme” në nivel të normës kushtetuese si bazë për shkarkimin e gjyqtarëve dhe/ose prokurorëve.
Thënë këtë, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, (i) përderisa nuk është kontestuese që mos raportimi dhe/ose raportimi i rremë i pasurisë aktualisht përbën bazë për shkarkimin e gjyqtarit dhe/ose prokurorit; dhe (ii) që koncepti i “pasurisë së pajustifikueshme” dallon nga vepra e lartcekur penale, Aktgjykimi sqaron se, edhe “pasuria e pajustifikueshme” e cila është e vërtetuar me vendim gjyqësor përfundimtar, mund të përbëjë bazë për shkarkimin e gjyqtarit dhe/ose prokurorit, duke iu nënshtruar garancive kushtetuese që ndërlidhen me (i) qasje në drejtësi, në kuptim të neneve 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; si dhe (ii) të drejtën për gjykim të drejtë dhe paanshëm, në kuptim të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Gjykata ka vlerësuar edhe bazën e propozuar për shkarkimin e gjyqtarit dhe/ose prokurorit, që ndërlidhet me formulimin e “integritetit të cenueshëm”. Aktgjykimi sqaron që çështjet që ndërlidhen me integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, janë të mbuluara në mënyrë gjithëpërfshirëse nga bazat ekzistuese kushtetuese dhe ligjore e që mund të rezultojnë në shkarkimin e tyre. Megjithatë, në aplikimin e standardeve që burojnë nga parimet kushtetuese dhe instrumentet ndërkombëtare, formulimi “ka integritet të cenueshëm”, si bazë e përhershme e shkarkimit të gjyqtarit dhe/ose prokurorit, karakterizohet me mungesë të përkufizimit të “qartë” dhe të “parashikueshëm”. Për më tepër, në balancimin e (i) parimit të sigurisë së mandatit të gjyqtarit dhe/ose prokurorit dhe rëndësinë e këtij parimi për pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, përfshirë gjykatën e pavarur dhe të themeluar me ligj sipas përcaktimeve të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (ii) “paqartësisë” dhe “paparashikueshmërisë” së formulimit të propozuar, përfshirë në kontekst të mungesës së garancive të nevojshme procedurale që ndërlidhen me vlerësimin e “integritetit të cenueshëm”, si bazë e përhershme për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që propozohet në nivel të normës kushtetuese, Gjykata konstatoi që një formulim i tillë, rezulton në pakësim të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.
Aktgjykimi në fund thekson që nuk është kontestuese që pavarësia e pushtetit gjyqësor dhe sistemit prokurorial janë parime thelbësore të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, e cila bazohet në vlerat e sundimit të ligjit dhe të demokracisë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dy institucione të pavarura kushtetuese, duke u akorduar të njëjtave kompetencën e administrimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, respektivisht, duke përfshirë edhe çështjet që ndërlidhen me procedurat disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë, dhe kompetencën për propozimin e shkarkimit të tyre. Këto kompetenca të Këshillave ngërthejnë edhe detyrimin, që të njëjtat, të veprojnë me efikasitetin e duhur në zbatimin e ligjeve të aplikueshme, përfshirë Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, dhe të ndërmarrin masat e nevojshme ndaj çdo gjyqtari dhe prokurori që mund të cenojë integritetin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Republikën e Kosovës. Aktgjykimi thekson që funksionimi dhe administrimi i mirëfilltë i drejtësisë, përfshirë edhe besimin e publikut në këtë sistem, reflekton një ndër parimet më esenciale të një shoqërie demokratike të bazuar në sundimin e ligjit, parim ky i cili është vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Aktgjykimi do të plotësohet edhe me mendim mospajtues dhe mendim konkurrues.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org