Njoftim për vendim në rastin KI11/24

26.12.2024

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesën KI11/24, parashtruar nga Zekë Jasiqi, përmes së cilës kërkohej vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [PN. nr. 1420/23] të 15 nëntorit 2023 të Gjykatës së Apelit të Kosovës. Gjykata vendosi, njëzëri, që (i) të deklaroj kërkesën të pranueshme; dhe (ii) të konstatoj që Aktvendimi [PN.nr.1420/23] i 15 nëntorit 2023 i Gjykatës së Apelit, nuk është në kundërshtim me paragrafin 5 të nenit 30 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me pikën (c) të paragrafit 3 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.

Aktgjykimi fillimisht sqaron rrethanat e rastit konkret që ndërlidhet me kallëzimin penal [2018-KE-262] të parashtruar nga Prokuroria për Krime të Rënda në Prishtinë kundër parashtruesit të kërkesës si dhe personave I.O., I.B, A.T., M.M., R.H.,E. L., dhe S.N., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale (i) “fajdeja” nga neni 343 (Fajdeja) në lidhje me nenin 31 (Bashkërkyerja) të Kodit Penal nr. 04/082 të Republikës së Kosovës; (ii) “detyrimi” nga neni 340 (Detyrimi) i Kodit Penal; dhe (iii) “mashtrimi” nga neni 335 (Mashtrimi) i Kodit Penal ë ndaj të dëmtuarit F.D. Parashtruesi i kërkesës caktoi avokatin A.Q si mbrojtës të tij në procedurën penale, i cili ishte edhe mbrojtësi i autorizuar i personit A.T.

Sipas sqarimeve të dhëna, gjatë mbajtjes së seancës së parë shqyrtuese të lëndës penale në Gjykatën Themelore lidhur me aktakuzën kundër parashtruesit të kërkesës, Prokurori i Shtetit përveç leximit të aktakuzës, kërkoi nga Gjykata Themelore që të përcaktojë nëse avokati A.Q, mund të jetë mbrojtës i parashtruesit të kërkesës, duke pasur parasysh se i njëjti avokat paraqitet edhe si mbrojtës i personit A.T., në procedurën përkatëse penale. Gjykata Themelore shqyrtoi kërkesën e Prokurorisë, duke nxjerrë Aktvendim përmes të cilit refuzoi mundësinë që avokati A.Q të ishte mbrojtës i parashtruesit të kërkesës, duke theksuar që paragrafi 1 të nenit 54 (Kufizimet në përfaqësim nga mbrojtësi) të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës përcakton se: “në një procedurë penale mbrojtësi nuk mund të mbrojë dy ose më tepër të pandehur në të njëjtën çështje”. Parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë kundër vendimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit, e cila e refuzoi ankesën me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë ishte i bazuar në paragrafin 1 të nenit 54 (Kufizimet në përfaqësim nga mbrojtësi) të Kodit të Procedurës Penale.

Parashtruesi i kërkesë para Gjykatës kontestoi Aktvendimet e lartpërmendura të Gjykatës Themelore dhe të Apelit, duke pretenduar, në esencë, se ato kanë shkelur të drejtën e tij për përzgjedhje të lirë të mbrojtësit, e drejtë e garantuar me paragrafin 5 nenin 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] të Kushtetutës, si dhe se i është shkelur e drejta e tij për një vendim të arsyetuar gjyqësor, e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.

Duke vlerësuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të së drejtës për të zgjedhur lirisht mbrojtësin sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke përfshirë parimet dhe kriteret e zhvilluara prej saj, në mënyrë që të vazhdojë të (ii) aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.

Aktgjykimi i Gjykatës i referohet veçanërisht parimeve dhe kritereve të vendosura në rastet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut Dvorski kundër Kroacisë, Imbrioscia kundër Zvicrës dhe Salduz kundër Turqisë, sipas të cilave, ndër tjerash, theksohet që “e drejta e të akuzuarit për të përzgjedhur avokatin e tij nuk është një e drejtë absolute” dhe që e njëjta, mund të kufizohet përmes ligjeve të aplikueshme për aq sa është proporcionale.

Aktgjykimi, duke zbatuar parimet dhe kriteret e përcaktuara nga praktika gjyqësore e GJEDNJ-së, përkatësisht ato që (i) e drejta për avokat mbrojtës nuk është e drejtë absolute; (ii) kufizimi i kësaj të drejte, përkatësisht kufizimi i përzgjedhjes së mbrojtësit i nënshtrohet dispozitave të zbatuara në sistemin ligjor përkatës, lidhur me atë se kush mund të jetë avokat në procedurë; dhe (iii) duhet të ketë arsye relevante dhe të mjaftueshme, të cilat përcaktojnë se një kufizim i tillë i kësaj të drejte është në të vërtetë në interes të drejtësisë, ndër tjerash, thekson që (i) kufizimi i përzgjedhjes së mbrojtësit për përfaqësim, në rrethanat e rastit konkret, është paraparë në paragrafin 1 të nenit 54 (Kufizimet në përfaqësim nga mbrojtësi) të Kodit të Procedurës Penale, kufizim që i referohet faktit se një mbrojtës nuk mund të përfaqësojë dy të pandehur në procedurë penale; dhe (ii) që kufizimi i kësaj të drejte është në interes të drejtësisë.

Për më tepër dhe sipas sqarimeve të dhëna, Aktgjykimi sqaron që (i) parashtruesi i kërkesës ishte përfaqësuar nga avokati T.R në një fazë të hershme të procedurës penale; (ii) parashtruesi i kërkesës nuk i hoqi autorizimin avokatit T.R., në seancën fillestare, por që zgjodhi edhe një tjetër avokat si mbrojtës në vazhdim të procedurës penale; dhe (iii) parashtruesi i kërkesës kishte përfaqësues/avokat gjatë zhvillimit të procedurës. Për më tepër,
gjykatat e rregullta ia pamundësuan parashtruesit të kërkesës përzgjedhjen e avokatit A.Q., si mbrojtës të dytë, duke iu referuar kufizimeve nga neni 54 (Kufizimet në përfaqësim nga mbrojtësi) i Kodit të Procedurës Penale dhe se kufizimi në fjalë i referohet ekskluzivisht vetëm avokatit të lartcekur, ndërsa parashtruesi i kërkesës ka të drejtë të zgjedhë një avokat tjetër në vazhdim të procedurës penale, për sa kohë që ky nuk përbën veprim që është në kundërshtim me nenin 54 (Kufizimet në përfaqësim nga mbrojtësi) të Kodit të Procedurës Penale.

Rrjedhimisht, dhe sipas sqarimeve të dhëna, Aktvendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta për refuzimin e përfaqësimit të parashtruesit të kërkesës nga avokati A.Q., si mbrojtës i dytë në procedurën penale, në rrethanat konkrete të këtij rasti, nuk përbën shkelje të paragrafit 5 të nenit 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 3 të nenit 6 (E Drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org