Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesën KI105/24, parashtruar nga Imrije Kadriu, përmes së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac. nr. 2125/22] të 23 shkurtit 2024 të Gjykatës së Apelit të Kosovës. Gjykata, me 6 (gjashtë) vota për dhe 3 (tre) kundër, vendosi: (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) të konstatojë që Aktgjykimi [Ac. nr. 2125/22] i 23 shkurtit 2024 i Gjykatës së Apelit, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Fillimisht, Aktgjykimi sqaron se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me padinë e parashtrueses së kërkesës, të dorëzuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj kundër Komunës së Shtimes, përmes së cilës e njëjta kërkoi pagesën e diferencës së pagës shtesë për gradim dhe pagesën e pagës shtesë për karrierë. Gjykata Themelore në Ferizaj aprovoi pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës, ashtu që aprovoi kërkesën e saj për kompensim në emër të diferencës së papaguar në pagë për licencim – gradim ndërkaq refuzoi pjesën tjetër të kërkesëpadisë për kompensim në emër të avancimit në karrierë, me arsyetimin se nuk kishte arritur që me asnjë provë materiale të gjejë se parashtruesja e kërkesës ishte avancuar në karrierë, graduar apo kualifikuar gjatë periudhës kohore prej 18 prillit 2017 deri më 20 maj 2019. Kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, parashtruesja e kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore dhe vlerësimit të gabuar të gjendjes faktike dhe juridike, ndaj të cilës, më pas, Komuna e Shtimes dorëzoi përgjigje në ankesë. Gjykata e Apelit e Kosovës, përmes aktgjykimit, e refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, duke vlerësuar se nuk ishte dëshmuar me asnjë provë materiale plotësimi i kushtit ligjor për kompensim në emër të përparimit në karrierë sipas pikës 1.5 të paragrafit 1 të nenit 7 (Licencimi) të Kontratës Kolektive, respektivisht që parashtruesja e kërkesës nuk kishte dëshmuar se është avancuar në karrierë, graduar apo kualifikuar gjatë periudhës kohore prej 18 prillit 2017 deri më 20 maj 2019.
Në vijim, Aktgjykimi sqaron se, parashtruesja e kërkesës, në kërkesën e saj dorëzuar në Gjykatë, pretendoi se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit të Kosovës, i janë cenuar të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si rezultat i (i) shkeljes së parimit të barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit procedural, pasi Gjykata e Apelit e Kosovës nuk ia ka dorëzuar asaj përgjigjen në ankesë të cilën e kishte parashtruar Komuna e Shtimes; (ii) mosarsyetimit të vendimit gjyqësor; dhe (iii) cenimit të parimit të sigurisë juridike, si rezultat i moskonsistencës së vendimmarrjes gjyqësore. Parashtruesja e kërkesës, po ashtu, pretendoi se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit i janë cenuar të drejtat e garantuara me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, Gjykata, fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me parimin e barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit procedural, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Përkitazi me pretendimin e parashtrueses së kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, për shkak të shkeljes së parimit të barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit procedural, Gjykata konstatoi se mosnjoftimi i parashtrueses së kërkesës me përgjigjen në ankesë të ushtruar nga Komuna e Shtimes në Gjykatën e Apelit të Kosovës, është në kundërshtim me parimin e kontradiktoritetit procedural, meqenëse parashtruesja e kërkesës është vënë në disavantazh me palën kundërshtare. Megjithatë, Gjykata sqaroi se shkelja mbetet e natyrës deklarative pasi që, bazuar në paragrafin 4 të nenit 187 (Pa titull) të Ligjit nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore, parashtresat që mbërrijnë në gjykatë pas arritjes së përgjigjes në ankesë nuk merren në shqyrtim përveç nëse gjykata kërkon deklaratë plotësuese. Së dyti, lidhur me pretendimin e parashtrueses së kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm si rezultat i mosarsyetimit të vendimit gjyqësor dhe cenim të parimit të sigurisë juridike për shkak të jokonsistencës në vendimmarrjen gjyqësore të gjykatave të rregullta, Gjykata, bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, theksoi që (i) gjykatat e rregullta kishin ofruar arsyetim të mjaftueshëm për refuzimin e kërkesës së parashtrueses së kërkesës për kompensim në emër të avancimit në karrierë për shkak të mungesës së dëshmive që vërtetonin se e njëjta ishte avancuar apo graduar; dhe (ii) Gjykata nuk mund të konstatojë ekzistimin e “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme që cenojnë parimin e sigurisë juridike, duke u thirrur në 2 (dy) aktgjykime të Gjykatës Themelore. Në fund, lidhur me pretendimin e parashtrueses së kërkesës për shkeljen e të drejtës në pronë të garantuar me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së, bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata theksoi se në mënyrë që “pritja” të jetë legjitime, ajo duhet të jetë më konkrete se një “shpresë e thjeshtë” dhe duhet të bazohet në një dispozitë ligjore ose një akt ligjor, siç është vendimi gjyqësor dhe se, në rastin e parashtrueses së kërkesës, gjykatat e rregullta kishin konstatuar që parashtruesja e kërkesës nuk e kishte plotësuar kushtin ligjor sipas pikës 1.5 të paragrafit 1 të nenit 7 (Licencimi) të Kontratës Kolektive, për kompensim në emër të avancimit në karrierë.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi që përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit të Kosovës, si rezultat i shkeljes së parimit të kontradiktoritetit procedural, parashtrueses së kërkesës i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndërkaq, lidhur me pretendimet për (i) shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të mosarsyetimit të vendimit gjyqësor dhe jokonsistencës në vendimmarrje gjyqësore; dhe (ii) shkelje të së drejtës në pronë, Gjykata konstatoi që të njëjtat janë “të pambështetura apo të paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës. Në fund, bazuar në përcaktimin e ligjit të aplikueshëm që parashtresat që mbërrijnë në gjykatë pas arritjes së përgjigjes në ankesë nuk merren në shqyrtim nga gjykata, përveç nëse kërkohet shprehimisht, dhe konstatimin që pretendimet e tjera të parashtrueses së kërkesës janë të pambështetura dhe të paarsyetuara, Gjykata konstatoi që Aktgjykimi i kontestuar nuk duhet të shfuqizohet dhe që shkelja është e natyrës deklarative.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org