Njoftim për vendim në rastin KI 57/22 dhe KI 79/22

04.07.2022

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat e bashkuara në rastet KI 57/22, parashtruar nga Shqipdon Fazliu dhe KI 79/22, parashtruar nga Armend Hamiti, që të dy kandidatë për Kryeprokurorë të Shtetit të Republikës së Kosovës, të cilët e kontestojnë kushtetutshmërinë e Vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e z. Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Gjykata, vendosi që kërkesat përkatëse t’i shpallë të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Rrethanat e rasteve KI 57/22 dhe KI 79/22, ndërlidhen me rezultatet e konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit të shpallur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Paneli Vlerësues, i përcaktuar sipas rregullores të Këshillit Prokurorial të miratuar në vitin 2019, përkatësisht Rregullores nr.06/2019 për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, kishte renditur parashtruesit e kërkesave në pozitën e dytë (2) dhe të katërt (4) respektivisht, ndërsa kandidatin Blerim Isufaj në pozitën e parë. Ndaj vlerësimit të Panelit Vlerësues, parashtruesit e kërkesave parashtruan kundërshtim në Komisionin për Rishqyrtim. Ky i fundit, vlerësoi që Ligji për Këshillin Prokurorial dhe Rregullorja për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, janë zbatuar drejtë përgjatë procesit të vlerësimit, megjithatë i rekomandoi Panelit Vlerësues që të rishikojë/plotësojë arsyetimet përkitazi me disa nga kriteret e vlerësimit. Më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial (i) refuzoi rekomandimet e Komisionit për Rishqyrtim; dhe (ii) bazuar në nenin 17 (Procesi i Votimit) të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, vendosi që për dekretim nga Presidentja e Republikës, të propozojë kandidatin e renditur si të parin nga Paneli Vlerësues.

Parashtruesit e kërkesave, më 28 prill 2022 dhe 6 qershor 2022, respektivisht, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese duke pretenduar që Vendimi i Këshillit Prokurorial për propozimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre të garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Përkitazi me pranueshmërinë e kërkesave, marrë parasysh faktin që parashtruesit nuk kishin shteruar mjetet juridike të përcaktuara me ligj përkundër kritereve të paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, pretenduan se duhet të lirohen nga ky detyrim kushtetues, duke theksuar, në thelb, që (i) Ligji për Këshillin Prokurorial nuk parasheh mjete juridike kundër vendimeve të Këshillit Prokurorial; (ii) në vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Këshillit Prokurorial për propozimin e Kryeprokurorit përmes Aktgjykimit KI 99/14 dhe KI 100/14, të vitit 2014, Gjykata kishte liruar nga detyrimi për shterimin e mjeteve juridike parashtruesit përkatës; dhe (iii) procedura para Gjykatës Themelore në Prishtinë “merr kohë të konsiderueshme”. Ndërsa përkitazi me meritat e kërkesës, palët parashtruese, ndër tjerash, kontestuan (i) paanshmërinë e Këshillit Prokurorial; (ii) ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, duke përfshirë kuotën e dallimit në poentim prej tre përqind (3%) në mënyrë që Këshillit Prokurorial t’i propozohen një ose më shumë kandidatë për votim dhe faktin që Këshilli Prokurorial, përfshirë anëtarët e Panelit Vlerësues, mund të refuzojnë propozimin e Komisionit për Rishqyrtim; dhe (iii) konstatimet e Panelit Vlerësues me pretendimin se vlerësimet kanë qenë të anshme, arbitrare dhe poentimet e kandidatëve tjerë të intervistuar nuk kanë qenë të qasshme.

Në vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesave të parashtruesve, Gjykata, së pari, theksoi se nuk është kontestuese që të njëjtit i janë drejtuar Gjykatës pa shteruar asnjë mjet juridik, siç është përcaktuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës. Për pasojë, dhe për të vlerësuar nëse parashtruesit e kërkesave plotësojnë kriteret për t’u liruar nga ky detyrim kushtetues, Gjykata fillimisht shtjelloi dhe më pas aplikoi në rrethanat e rasteve konkrete (i) parimet e përgjithshme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës, për sa i takon shterimit të mjeteve juridike; (ii) praktikën relevante gjyqësore të Gjykatës që ndërlidhet me kontestimin e vendimeve të Këshillit Prokurorial, Këshillit Gjyqësor, por edhe autoriteteve tjera publike, vendimet e të cilave janë kontestuar në kuptim të përzgjedhjes ose jo në funksione të caktuara publike; si dhe (iii) parimet relevante të shtjelluara nëpërmjet opinioneve të Komisionit të Venecias.

Në kontekst të të lartcekurave, Gjykata theksoi se bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kriteri i shterimit të mjeteve juridike, nuk mund të aplikohet në mënyrë tejet formaliste dhe rrjedhimisht, mund të ketë përjashtime, por vetëm nëse palët përkatëse, bazuar në parimin e barrës së provës, argumentojnë para Gjykatës se nuk ekziston mjeti juridik ose në të kundërtën, të argumentojnë se mjeti ekzistues juridik nuk është efektiv sepse (i) nuk është në “dispozicion dhe i qasshëm”; dhe (ii) nuk është “mjaftueshëm i sigurt jo vetëm në teori, por edhe në praktikë”. Për më tepër, bazuar në të njëjtën praktikë gjyqësore, parashtruesit përkatës duhet të argumentojnë që “kanë bërë gjithçka që mund të pritet në mënyrë të arsyeshme nga ata që të shterojnë mjetet juridike”, duke marrë parasysh se “dyshimet e thjeshta” të një parashtruesi rreth joefektivitetin të një mjeti juridik, nuk vlejnë si arsye për ta liruar nga detyrimet kushtetuese.

Në aplikimin e këtyre e kritereve në rrethanat e rasteve konkrete, Gjykata theksoi se (i) mjeti juridik ekziston dhe është i përcaktuar në Ligjin për Konflikte Administrative, dhe se të njëjtit, Gjykata, përmes praktikës së saj gjyqësore, i është referuar në mënyrë të vazhdueshme; dhe (ii) parashtruesit e kërkesave nuk kanë parashtruar asnjë argument në plotësim të kritereve të lartcekura, përkatësisht lidhur me “disponueshmërinë”, “qasshmërinë” dhe “sigurinë e mjaftueshme në teori dhe praktikë”, kritere këto që burojnë nga praktika gjyqësore e Gjykatës dhe e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata, ndër tjerash, sqaroi se (i) fakti që Ligji për Këshillin Prokurorial mund të mos ketë përcaktuar mjet specifik juridik, nuk përjashton aplikueshmërinë e normave tjera juridike, përfshirë Ligjin për Konflikte Administrative; dhe (ii) referimi në ngarkesën me lëndë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, nuk mund të lirojë një parashtrues të një kërkese individuale nga një detyrim kushtetues, sepse një pretendim i tillë, për më tepër i paargumentuar përmes praktikës relevante gjyqësore, kualifikohet si “dyshim i thjeshtë” përkitazi me mungesën e pretenduar të efikasitetit të mjetit juridik.

Gjykata nënvizoi se, argumenti kryesor i parashtruesve të kërkesave mbi bazën e të cilit pretendojnë lirimin nga detyrimi i plotësimit të kritereve kushtetuese, është referenca në praktikën gjyqësore të Gjykatës, përkatësisht në Aktgjykimin KI 99/14 dhe KI 100/14, përmes të cilit në vitin 2014, Gjykata, përjashtimisht dhe duke u referuar në rrethanat e rastit përkatës, kishte liruar parashtruesit e kërkesës nga detyrimi për shterimin e mjeteve juridike dhe kishte vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit për propozimin e Kryeprokurorit të Shtetit, duke konstatuar jokushtetutshmërinë e të njëjtit. Gjykata gjithashtu nënvizoi se, ngjashëm edhe në dy Aktgjykime tjera, përkatësisht Aktgjykimet KI 34/17 dhe KI 55/17, kishte liruar parashtrueset përkatëse nga detyrimi për shterimin e mjeteve juridike dhe kishte vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimeve përkatëse për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit, respektivisht. Gjykata tutje theksoi se, në kontekst të kontrollit individual, nuk ka asnjë rast tjetër në praktikën e saj gjyqësore në të cilin janë bërë përjashtime të tilla, jo vetëm në vlerësimin e akteve të Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor, por as akteve të pushtetit ekzekutiv e legjislativ, në kuptim të vendimeve për përzgjedhje, emërim ose propozim në funksione publike.

Gjykata nënvizoi se, në thelb, në mungesë të përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës, pretendimi thelbësor mbi bazën e të cilit, parashtruesit e kërkesave do të liroheshin nga detyrimi për shterimin e mjeteve juridike, ndërlidhet me “specificitetin e procedurës së zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit”. Megjithatë, Gjykata theksoi se referenca në rastin KI 99/14 dhe KI 100/14, nuk nënkupton të drejtën e fituar për lirim nga detyrimi kushtetues për shterimin e mjeteve juridike, sepse praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe e Gjykatës, qartësisht përcaktojnë se, vlerësimi për lirimin nga detyrimi për shterimin e mjeteve juridike bëhet në secilin rast veç e veç bazuar në kriteret e lartcekura përkitazi me efektivitetin e mjetit juridik dhe parimin e barrës së të provuarit.

Në këtë kontekst dhe në funksion të konsolidimit të praktikës së saj gjyqësore dhe parimit të sigurisë juridike, kjo Gjykatë, bazuar në formulimin e qartë të paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, i cili kërkon shterimin e mjeteve juridike për të gjithë individët pa përjashtim, theksoi se e konsideron të domosdoshme të sqaroi se natyra apo rëndësia e një funksioni publik të mbajtur apo të synuar, nuk mund të qëndrojë si argument i vetëm dhe i izoluar, mbi bazën e të cilit mund të bëhet lirimi nga detyrimi për shterimin e mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Gjykata më tej sqaroi se, një qasje e tillë nuk gjen mbështetje as në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe as në Opinionet e Komisionit të Venecias. Në të kundërtën, do të rezultonte se mjetet juridike të përcaktuara përmes ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës do të ishin efektive ose jo varësisht nga funksionet që individët kanë mbajtur ose synojnë të mbajnë dhe jo nga plotësimi ose jo i kritereve të përcaktuara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me efektivitetin e një mjeti juridik. Një qasje e tillë do të rezultonte në trajtim të pabarabartë të individëve që kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës përmes kërkesave individuale, siç është saktësuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit.
Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në: https://gjk-ks.org/vendimet/.