Njoftim për aktgjykimet KI01/18 dhe KI48/18

04.02.2019

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur në rastet KI01/18 [parashtruar nga: Gani Dreshaj dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)] dhe KI48/18 [parashtruar nga: Arban Abrashi dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)], në seancën e mbajtur më 23 janar 2019.
Gjykata Kushtetuese i deklaroi, njëzëri, që të dy kërkesat të pranueshme për shqyrtim në merita pasi konstatoi se parashtruesit e kërkesës ishin palë të autorizuara; kontestonin vendime të autoriteteve publike; kishin shteruar mjetet juridike siç është elaboruar në Aktgjykimet respektive; kanë saktësuar të drejtat dhe liritë themelore të cilat pretendojnë se janë shkelur; kanë dorëzuar kërkesën brenda afatit; kërkesat nuk ishin qartazi të pabazuara; dhe Gjykata nuk gjeti asnjë kusht tjetër të pranueshmërisë i cili nuk ishte plotësuar. Si rrjedhojë, kërkesat e kaluan testin e pranueshmërisë dhe u shpallën e pranueshme për shqyrtim në merita.

– Përkitazi me rastin KI01/18, parashtruesit kërkuan nga Gjykata që të vlerësojë kushtetutshmërisë e vendimeve të KQZ-së, PZAP-it dhe Gjykatës Supreme, me të cilat, sipas pretendimeve të tyre, janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 3 (E drejta për zgjedhje të lira) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Parashtruesit e kërkesës, në thelb, u ankuan se për shkak të mos numërimit të votave të 52 votuesve në raundin e dytë të votimit të vlefshme për zgjedhjen e Kryetarit të Komunës së Istogut, kandidatit të tyre (Gani Dreshaj) i ishte shkelur e drejta për t’u zgjedhur siç garantohet me nenin 45 të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së.
Gjykata vlerësoi se rasti konkret trajton çështje të ndërlidhjes së të drejtave aktive zgjedhore me të drejtat pasive zgjedhore, përditësim të listave zgjedhore ndërmjet dy raundeve të votimit dhe konteste për numërimin e votave në qendra të numërimit që përkojnë me periudhën pas zgjedhore.
Gjykata, duke u mbështetur në praktikën e konsoliduar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), vendosi të vlerësojë nëse vendimet e kontestuara të KQZ-së, PZAP-it dhe Gjykatës Supreme mund të kalojnë testin e GJEDNJ-së që përcakton nëse ato vendime: (i) janë në përputhje dhe të parashikuara me ligjin e zbatueshëm, (ii) nëse janë proporcionale dhe (iii) nëse janë arbitrare apo të paarsyeshme. Gjykata, së pari, u shpreh se kuadri ligjor që rregullon të drejtën zgjedhore në Republikën e Kosovës nuk është objekt i shqyrtimit kushtetues në rrethanat e rastit konkret dhe se vlerësimi i saj kufizohet vetëm përbrenda kornizave të pretendimeve të ngritura në rastin konkret.
Gjykata më tej konstatoi: (i) mos përditësimi i listave të votuesve ka qenë fakt i ditur nga të gjithë pjesëmarrësit në garën zgjedhore – përfshirë dhe parashtruesit e kërkesës dhe (ii) mos numërimi i votave të 52 votuesve nuk ka shtrirje të tillë sa të garantojë votën e një grupi të caktuar të votuesve – aq më tepër kur – merret parasysh se asnjëri prej atyre votuesve nuk ishte ankuar te organet kompetente për shkak të mos numërimit të votave të tyre. Gjykata, duke dhënë një vlerësim përgjithshëm të të gjitha çështjeve qendrore të rastit konkret, konsideroi se vendimet e kontestuara të KQZ-së, PZAP-së dhe Gjykatës Supreme janë në përputhje dhe të parashikuara nga ligji zgjedhor i zbatueshëm, janë proporcionale dhe nuk janë arbitrare ose të paarsyeshme.
Rrjedhimisht, Gjykata, njëzëri, konstatoi se vendimet e kontestuara të PZAP-it dhe të Gjykatës Supreme janë në përputhshmëri me nenin 45 të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së. Gjykata po ashtu refuzoi kërkesën e parashtruesve për caktim të masës së përkohshme.

– Përkitazi me rastin KI48/18, parashtruesit e kërkesës, në thelb, pretenduan se Gjykata Supreme, por edhe PZAP-i, në procedurat e zhvilluara për shqyrtimin e ankesave dhe apeleve të tyre, kanë dështuar të ofrojnë mbrojtje gjyqësore të të drejtave të tyre të garantuara me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës dhe, për pasojë, vendimet e këtyre autoriteteve publike, kanë rezultuar në shkelje të të drejtave të tyre zgjedhore dhe të pjesëmarrjes të garantuara me nenin 45 [Të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes] të Kushtetutës.
Para shqyrtimit të meritave të rastit, Gjykata e trajtoi çështjen e juridiksionit të saj lidhur me kontestet zgjedhore. Në këtë drejtim, Gjykata sqaroi kompetencën e saj kushtetuese për sa i takon kërkesave individuale lidhur me kontestet zgjedhore, duke theksuar se ajo në këtë aspekt, është e kufizuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, përkatësisht në vlerësimin nëse një akt i autoritetit publik mund të ketë shkelur të drejtat dhe liritë themelore përkatëse individuale dhe pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

Gjykata më pas trajtoi të gjitha pretendimet e parashtruesve të kërkesës në veçanti dhe në tërësinë e tyre, duke aplikuar mbi këtë vlerësim: (i) garancitë kushtetuese që ndërlidhen me të drejtat e kontestuara, nenin 45 e 54 të Kushtetutës, respektivisht; (ii) parimet themelore që rezultojnë nga trashëgimia evropiane për zgjedhje demokratike të përmbledhura nga Komisioni i Venecias; dhe (iii) praktikën gjyqësore të GJEDNJ.

Pas aplikimit të këtyre garancive, parimeve dhe testeve të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata njëzëri konstatoi se vendimet e kontestuara të Gjykatës Supreme, nuk kanë shkelur të drejtat e parashtruesve të kërkesës për mbrojtje gjyqësore të të drejtave të garantuara me nenin 54 të Kushtetutës dhe të drejtën për mjet juridik të garantuar me nenin 32 të Kushtetutës në lidhje me të drejtën për zgjidhje efektive të garantuar me nenin 13 të KEDNJ, sepse në rrethanat e rastit konkret, Gjykata Supreme, drejtë kishte vlerësuar çështjet që ndërlidhen me: (i) konfirmimin/anulimin e rezultatit zgjedhor; (ii) shpalljen e pasaftshme të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës që ndërlidheshin me parregullsitë në ditën e votimit, e të cilat ishin paraqitur për herë të parë në PZAP, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar; dhe (iii) fletëvotimet e pavlefshme dhe të zbrazëta, pasi PZAP-i kishte hetuar materialin zgjedhor në qendrat e kontestuara të votimit dhe kishte konstatuar se parregullsitë nuk “kanë ndikim në rezultatin final”. Për më tepër, vendimet e Gjykatës Supreme ishin “mjaftueshëm të arsyetuara” në raport me pretendimet e parashtruesve të kërkesës dhe në harmoni me standardet e përcaktuara me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të vendeve anëtare të Komisionit të Venecias, për sa i përket arsyetimit të vendimeve në konteste zgjedhore. Konstatimet e Gjykatës Supreme u konsideruan të jenë në përputhshmëri me garancitë kushtetuese, me praktikën gjyqësore përkatëse të GJEDNJ-së dhe me parimet themelore të Komisionit të Venecias e që ndërlidhen me një “sistem efektiv ankesash”, si pjesë përbërëse të “garancive procedurale”, kusht ky thelbësor për jetësimin e pesë parimeve themelore që ndërlidhen me cilësitë e votës.

Gjykata po ashtu njëzëri konstatoi se vendimet e kontestuara të Gjykatës Supreme nuk kanë shkelur të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes të parashtruesve të kërkesës të garantuara me nenin 45 të Kushtetutës në lidhje të drejtën për zgjedhje të lira të garantuar me neni 3 të Protokolli nr. 1 të KEDNJ-së, sepse, në rrethanat e rastit konkret, të njëjtat nuk janë nxjerrë në kundërshtim me: (i) kushtet për mbrojtjen e parimeve themelore për cilësitë e votës, siç janë të garantuara me Kushtetutë, ligje zgjedhore dhe Kodin e Praktikës së Mirë të Komisionit të Venecias; (ii) kushtin e “garancive procedurale” për jetësimin e parimit të “votës së lirë” dhe “votës së barabartë”; (iii) “parimin e transparencës” në konteste zgjedhore, siç është përcaktuar nëpërmjet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të parimeve themelore të Komisionit të Venecias; dhe (iv) praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së në kontekst të “të drejtave pas-zgjedhore”.

Gjykata po ashtu, njëzëri, refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesve të kërkesës për seancë dëgjimore sepse nuk konsideroi se kishte ndonjë paqartësi rreth “provave apo ligjit”. Gjykata konstatoi se dokumentet e përfshira në kërkesë janë të mjaftueshme për të vendosur meritat e këtij rasti.

Si rrjedhojë, në fund, Gjykata, njëzëri konstatoi se: (i) Aktvendimi [AA. nr. 52/2017] i 25 nëntorit 2017 i Gjykatës Supreme nuk është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të subjektit politik LDK, dhe është në përputhshmëri me të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 45 e 54 të Kushtetutës; dhe se (ii) Aktgjykimi [A.A. U.ZH. nr. 62/2017] i 7 dhjetorit 2017 i Gjykatës Supreme nuk është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të z. Arban Abrashi dhe të subjektit politik LDK, dhe është në përputhshmëri me të drejtat dhe liritë themelore e tyre të garantuara me nenet 45 e 54 të Kushtetutës.

Aktgjykimet janë publikuar në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës dhe mund të lexohen duke klikuar në vegëzat e mëposhtme:

KI01/18
KI48/18