Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KO 173/22, me parashtrues Arben Gashi dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të parashtruar në Gjykatë bazuar në përcaktimet e paragrafit 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.
Gjykata ka vendosur (i) njëzëri të shpallë kërkesën e pranueshme; (ii) të konstatojë, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, se paragrafët 2 dhe 4 të nenit 4 (Produktet Themelore), paragrafi 2 i nenit 5 (Masat e përkohshme mbrojtëse), paragrafët 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 9 të nenit 8 (Vendimmarrja) dhe paragrafi 2 i nenit 9 (Mbikëqyrja dhe sanksionet) të Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], nenin 10 [Ekonomia] dhe paragrafin 5 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, se neni 10 (Hyrja në fuqi) i Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 1 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iv) të shpallë të pavlefshëm, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg; dhe (iv) të refuzojë, njëzëri, kërkesën për masën e përkohshme.
Aktgjykimi fillimisht sqaron që, Ligji i kontestuar rregullon caktimin e masave të përkohshme mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët, në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg dhe mënyrën e zbatimit të tyre ndaj autoriteteve dhe operatorëve ekonomik, në mënyrë që të eliminohen efektet e rritjes së çmimeve si dhe mungesës së produkteve themelore në treg. I njëjti, ndër tjerash, përcakton shkaqet në kuadër të të cilave mund të vendosen masat e përkohshme mbrojtëse. Këto të fundit, përfshijnë (i) kufizimin e sasisë që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar; (ii) ndalimin e largimit nga shitja e produktit; (iii) caktimin e marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë; (iv) caktimin e çmimit maksimal të lejuar; (v) detyrimin e operatorit ekonomik për të ruajtur pjesën e caktuar të stokut të produktit; (vi) detyrimin e operatorit ekonomik për t’u furnizuar dhe për të ofruar për shitje produkte themelore si para caktimit të masave mbrojtëse; dhe (vii) ndalimin, kufizimin e eksportit. Sipas përcaktimeve të Ligjit të kontestuar, ndër tjerash, masat mund të vendosen në përpjesëtim me nevojën për mbrojtjen e konsumatorit dhe duhet të jenë në përputhje me zotimet dypalëshe të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ligji i kontestuar, gjithashtu dhe ndër tjerash, përcakton themelimin e një Komisioni që ofron rekomandime Ministrit përkatës lidhur me përcaktimin dhe kohëzgjatjen e masave të përkohshme mbrojtëse dhe i mundëson të njëjtit që të këshillohet me autoritetet relevante publike në këtë kontekst, përfshirë Këshillin e MSA-së, ndërsa Kryeministrit i përcakton kompetencën që të shfuqizojë, të anulojë ose të ndryshojë çdo vendim të Ministrit për vendosjen e masave të përkohshme mbrojtëse ndaj operatorëve ekonomik, përkatësisht personave juridik/fizik në rrethana të destabilizimit të tregut.
Parashtruesit e kërkesës, në thelb, pretenduan se Ligji i kontestuar përbën ndërhyrje në ekonominë e lirë të tregut të garantuar me nenet 7 [Vlerat], 10 [Ekonomia] dhe 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës. Në këtë kontekst, ndër tjerash, të njëjtit theksojnë që bazuar në Kushtetutë, ekonomia e lirë e tregut është vlerë e Republikës së Kosovës dhe që kjo e fundit është e detyruar që të sigurojë një mjedis të favorshëm juridik për ekonominë e tregut, lirinë e veprimtarisë ekonomike dhe sigurinë e pronës publike dhe private, përfshirë të vendos të gjithë mekanizmat e nevojshëm institucional dhe ligjor për të garantuar që në Kosovë të ketë një treg të hapur, “ku oferta dhe kërkesa përmbajnë modelin e qarkullimit të mallrave, punës, dijes dhe kapitalit në ekonomi” dhe ku operatorët ekonomikë privatë janë të mbrojtur nga një sistem ligjor i mjaftueshëm për të operuar lirisht në tregun e brendshëm. Parashtruesit e kërkesës, ndër tjerash dhe më tej theksuan që, shteti duhet të përmbahet nga ndërhyrja në ekonominë e tregut, përmes çfarëdo mase e cila kufizon lirinë e operatorëve ekonomik që tregtojnë produkte themelore, duke theksuar gjithashtu që (i) sipas Kushtetutës, shteti mund të themelojë organe të pavarura për rregullimin e tregut, atëherë kur ky i fundit, nuk mund që në masë të mjaftueshme të mbrojë interesin publik; dhe (ii) detyrimi i operatorëve ekonomik, përmes vendimeve të Qeverisë, që të mbajnë rezerva/stoqe të mallrave të caktuara, është arbitrar sepse një qasje e tillë është në kundërshtim edhe me përcaktimet e Ligjit nr. 03/L-244 për Rezervat Shtetërore të Mallrave. Pretendimet e parashtruesve të kërkesës kundërshtohen nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje!. Të njëjtit, ndër tjerash, argumentojnë që Ligji i kontestuar (i) nuk është në kundërshtim me parimet kushtetuese të lirisë së ekonomisë së tregut, sepse Kushtetuta mundëson veprimin, përkatësisht ndërhyrjen e shtetit në rregullimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike përmes ligjeve të Kuvendit, dhe që në rrethanat e rastit konkret, Ligji i kontestuar ndjek qëllimin legjitim të mbrojtjes së interesit publik, përkatësisht mbrojtjes së konsumatorit në rrethana të veçanta të destabilizimit të tregut dhe gjithashtu që masat e përcaktuara përmes Ligjit të kontestuar, janë proporcionale me qëllimin e ndjekur; dhe (ii) nuk është në kundërshtim me detyrimet e Republikës së Kosovës që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.
Gjykata, në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar, fillimisht shtjelloi (i) parimet themelore të ekonomisë së lirë të tregut sipas Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës; (ii) parimet relevante që burojnë nga instrumentet ndërkombëtare dhe që ndërlidhen me ekonominë e lirë të tregut dhe rrethanat në të cilat ndërhyrja përkatëse e shtetit mund të jetë kompatibile me lirinë e ekonomisë së tregut, siç janë të përcaktuara përmes rregullativës së aplikueshme të Bashkimit Evropian dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, por edhe praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Opinioneve relevante të Komisionit të Venecias dhe kontributit të Gjykatave Kushtetuese dhe/ose ekuivalentëve të tyre të Forumit të Komisionit të Venecias; dhe më pas (iii) aplikoi këto parime përgjatë vlerësimit të kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar.
Aktgjykimi, në dritën e argumenteve dhe kundër-argumenteve të prezantuara, ndër tjerash, shqyrton dhe vlerëson (i) nëse masat e përkohshme mbrojtëse të përcaktuara përmes Ligjit të kontestuar përbëjnë ndërhyrje në ekonominë e lirë të tregut; (ii) nëse mekanizmat vendimmarrës përkitazi me vendosjen e masave të përkohshme mbrojtëse të përcaktuara përmes Ligjit të kontestuar janë në përputhshmëri me Kushtetutën; dhe (iii) nëse Ligji i kontestuar është në pajtueshmëri me parimin e sigurisë juridike, përkatësisht sundimin e ligjit si vlerë thelbësore e Republikës së Kosovës.
(i) nëse Ligji i kontestuar cenon parimet kushtetuese të ekonomisë së lirë të tregut
Aktgjykimi vë theks në faktin që (i) bazuar në nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës, ekonomia e tregut është vlerë e Republikës së Kosovës; (ii) bazuar në nenin 10 [Ekonomia] të Kushtetutës, ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës; dhe (iii) bazuar në nenin 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, ndër tjerash, është detyrë e autoriteteve shtetërore që të sigurojnë një mjedis të favorshëm ligjor për ekonominë e tregut, lirinë e aktivitetit ekonomik dhe sigurinë e pronës publike e private, dhe gjithashtu që të mbrojnë konsumatorin në pajtim me ligjin. Aktgjykimi, më të tej, sqaron që (i) veprimet që kufizojnë konkurrencën e lirë përmes vendosjes ose abuzimit të pozitës dominuese ose praktikave që e kufizojnë konkurrencën, janë të ndaluara, me përjashtim kur këto lejohen “në mënyrë eksplicite” me ligj; ndërsa (ii) Republika e Kosovës do të themelojë organe të pavarura për rregullimin e tregut atëherë kur vetë tregu nuk mundet që në masë të mjaftueshme të mbrojë interesin publik. Për më tepër, Aktgjykimi thekson që operatorët ekonomik ndaj të cilëve aplikohen masat e përkohshme mbrojtëse të saktësuara përmes Ligjit të kontestuar, janë edhe persona juridik dhe ndaj tyre, bazuar në nenin 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës vlejnë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të saktësuara në Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës, për aq sa janë të zbatueshme dhe rrjedhimisht, mund të kufizohen vetëm sipas përcaktimeve të nenit 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, përkatësisht për aq sa kufizimi përkatës është “i përcaktuar në ligj”, “ndjek një qëllim legjitim” dhe është “proporcional me qëllimin e ndjekur”.
Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim dhe për aq sa është relevante në rrethanat e rastit konkret, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka të drejtën por edhe detyrën që të miratojë legjislacionin e duhur për të siguruar mjedisin e favorshëm ligjor për ekonominë e tregut, por edhe mbrojtjen e konsumatorit, përfshirë mundësinë që (i) “në mënyrë eksplicite” të përcaktojë përjashtimet nga konkurrenca e lirë; dhe (ii) të themelojë organe të pavarura për rregullimin e tregut atëherë kur vetë tregu nuk mundet që në masë të mjaftueshme të mbrojë interesin publik. Detyrime në kontekst të ekonomisë së lirë të tregut burojnë edhe nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, e cila bazuar në nenet 16 [Epërsia e Kushtetutës] dhe 19 [Zbatimi i së Drejtës Ndërkombëtare] të Kushtetutës, është pjesë e sistemit të brendshëm juridik dhe ka epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës.
Në parim dhe në kontekst të emëruesit të përbashkët që buron nga vendimet e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe kontributit të Gjykatave Kushtetuese dhe/ose ekuivalentëve përkatëse anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias, nuk është kontestuese që masat e përkohshme mbrojtëse në kontekst të importit, eksportit, përfshirë rrethanave të destabilizimit të tregut, mund të jenë të mundshme, për aq sa të njëjtat janë të “përcaktuara me ligj”, ndjekin një “qëllim legjitim” dhe janë rreptësisht “proporcionale”. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, ndërhyrjet e tilla në lirinë e ekonomisë së tregut duhet të jenë në mënyrë shprehimore të domosdoshme dhe nuk mund të përbëjnë në asnjë rrethanë diskriminim arbitrar ose kufizim të tërthortë në tregtinë e lirë. Për më tepër, sipas shtjellimeve të detajuara në Aktgjykim, legjislacioni në fuqi i Republikës së Kosovës gjithashtu përmban dispozita dhe përcaktime për rregullimin e masave të përkohshme mbrojtëse apo masave kufizuese të përkohshme, si në kontekst të tregtisë së brendshme ashtu edhe asaj të jashtme.
Në kontekstin e Ligjit të kontestuar, Aktgjykimi sqaron që, në parim, qëllimi dhe fushëveprimi i Ligjit të kontestuar, përfshirë përcaktimin e listës së produkteve themelore dhe masave të përkohshme mbrojtëse që mund të vendosen në operatorët ekonomik, në rrethana të veçanta të destabilizimit të tregut, për aq sa ndjekin një qëllim legjitim dhe janë rreptësisht proporcionale me qëllimin e ndjekur, nuk përbëjnë ndërhyrje arbitrare në ekonominë e lirë të tregut. Për më tepër, masat e përkohshme mbrojtëse ndaj operatorëve ekonomik, përkatësisht personave juridik/fizik, i nënshtrohen edhe të drejtës të ushtrimit të mjetit juridik dhe mbrojtjes gjyqësore të të drejtave të operatorëve ekonomik të garantuara përmes neneve 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, dhe rrjedhimisht, korniza ligjore që mundëson ndërhyrjen e shtetit në ekonominë e lirë të tregut në rrethana të veçanta të destabilizimit të tregut, nuk nënkupton edhe ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e masave të përkohshme mbrojtëse, të cilat mund të i nënshtrohen vlerësimit të ligjshmërisë nga gjykatat e rregullta dhe kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese sipas përcaktimeve të paragrafit 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës.
Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktgjykim, Gjykata vlerësoi që neni 1 (Qëllimi), neni 2 (Fushëveprimi), neni 3 (Përkufizime), paragrafët 1, 3 dhe 5 të nenit 4 (Produktet Themelore), paragrafët 1 dhe 3 të nenit 5 (Masat e përkohshme mbrojtëse), neni 6 (Shkaqet dhe kohëzgjatja e masave mbrojtëse), neni 7 (Llogaritja e Marzhës), paragrafët 7 dhe 8 të nenit 8 (Vendimmarrja) dhe paragrafët 1, 3, 4, 5 dhe 6 të nenit 9 (Mbikëqyrja dhe sanksionet) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], nenin 10 [Ekonomia] dhe paragrafin 3 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës.
Thënë këtë, përmbajtja e Ligjit të kontestuar ngërthen edhe dy çështje kushtetuese, përkatësisht (i) detyrimin kushtetues të Republikës së Kosovës të përcaktuar sipas paragrafit 5 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, sipas të cilit, atëherë kur vetë tregu nuk mundet që në masë të mjaftueshme të mbrojë interesin publik, Republika e Kosovës do të themelojë “organe të pavarura” për rregullimin e tregut; dhe (ii) parimin e sigurisë juridike, si pjesë thelbësore e sundimit të ligjit të mishëruar në rendin kushtetues së Republikës së Kosovës sipas paragrafit 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës, gjetjet përkitazi me të cilat janë të përmbledhura si në vijim:
(ii) nëse mekanizmat vendimmarrës përkitazi me vendosjen e masave të përkohshme mbrojtëse janë në përputhshmëri me garancitë kushtetuese
Aktgjykimi sqaron që Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në paragrafin 5 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të saj, qartësisht përcakton detyrimin e shtetit që të themelojë “organe të pavarura për rregullimin e tregut” në mbrojtje të interesit publik, atëherë kur vetë tregu nuk mund të bëjë një gjë të tillë. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, rrethanat e përcaktuara përmes Ligjit të kontestuar, në të cilat liria e veprimtarisë ekonomike të operatorëve ekonomik mund të kufizohet përmes masave të përkohshme mbrojtëse, përkatësisht (i) mungesa e papritur apo të vazhdueshme të produkteve themelore; (ii) ngritja e papritur apo e menjëhershme e çmimeve të produkteve themelore; (iii) mospërshtatja e çmimeve vendore me lëvizje të mëdha të çmimeve në tregun botëror; dhe (iv) dallimi i pajustifikueshëm i çmimeve vendore nga çmimet në vendet fqinje, përfshijnë rrethana në të cilat tregu jodetyrimisht mund të rregullojë vetveten pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe të cilat, bazuar në Kushtetutën e Republikën e Kosovës, duhet të jenë “organe të pavarura”. Aktgjykimi gjithashtu sqaron që, Ligji nr. 06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, për qëllime të rregullimit dhe mbikëqyrjes së veprimtarisë së operatorëve të një tregu të caktuar me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe sigurimit të konkurrencës së lirë, u referohet agjencive të pavarura rregullatore. Një zgjidhje e tillë është në përputhje edhe me përcaktimin e ekonomisë së lirë të tregut, si vlerë thelbësore e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës sipas neneve 7 [Vlerat] dhe 10 [Ekonomia] të Kushtetutës.
Bazuar në kontributin e Forumit të Komisionit të Venecias dhe analizës krahasimore të shtjelluar në Aktgjykim, varësisht nga rendet përkatëse kushtetuese, shtetet kanë përcaktuar mekanizma të ndryshëm për zbatimin e masave kufizuese/mbrojtëse në rrethana të destabilizimit të tregut, përfshirë pushtetin ekzekutiv, rregullatorë/organe të pavarura apo edhe komisione të veçanta. Pavarësia e mekanizmave vendimmarrës në kontekst të kufizimit të lirisë së veprimtarisë ekonomike të operatorëve ekonomik në rrethana të destabilizimit të tregut, është saktësuar edhe në aktet që i janë nënshtruar vlerësimit të kushtetutshmërisë së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, përkundër faktit që për dallim nga Kushtetuta e Kosovës, ajo e Shqipërisë nuk përmban detyrimin kushtetues të themelimit të “organeve të pavarura” për këtë qëllim. Përmes dy Aktgjykimeve përkatëse, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ka shfuqizuar në tërësi dhe pjesërisht si në kundërshtim me Kushtetutën aktet e kontestuara.
Në rrethanat e Ligjit të kontestuar, përderisa është përcaktuar (i) themelimi i një Komisioni i cili i rekomandon Ministrit ndërmarrjen dhe kohëzgjatjen e masave të përkohshme mbrojtëse; (ii) mundësia e këshillimit të Ministrit me autoritetet relevante publike për qëllim të vendosjes së masave të përkohshme mbrojtëse; dhe (iii) roli i Këshillit të MSA-së, i cili vetëm konsultohet dhe/ose njoftohet para marrjes së vendimeve për masat e përkohshme mbrojtëse, asnjë nga këto mekanizma nuk e detyrojnë Ministrin përkatës, vendimmarrja e të cilit në përcaktimin e masave të përkohshme mbrojtëse lidhur me operatorët ekonomik, përkatësisht personat juridik/fizik, është e plotë dhe ekskluzive, për më tepër që, Kryeministri, mund të shfuqizojë, të anulojë ose të ndryshojë çdo vendim të Ministrit në këtë kontekst.
Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, përderisa kompetencat kushtetuese të Qeverisë dhe/ose Kryeministrit në nxjerrjen e vendimeve në zbatim të ligjeve të Republikës së Kosovës, përfshirë në kontekst të zhvillimit ekonomik nuk janë kontestuese, marrë parasysh që paragrafi 5 i nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës saktësisht përcakton që Republika e Kosovës do të themelojë “organe të pavarura” për rregullimin e tregut atëherë kur vetë tregu nuk mundet që në masë të mjaftueshme të mbrojë interesin publik, dhe i cili bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian përfshinë edhe mbrojtjen e konsumatorit, kompetenca e Ministrit dhe/ose Kryeministrit për të vendosur masa të përkohshme mbrojtëse dhe të cilat kufizojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike të operatorëve ekonomikë në Republikën e Kosovës, nuk përkon me standardin kushtetues të vendimmarrjes së pavarur lidhur me rregullimin e tregut atëherë kur vetë tregu nuk mundet që në masë të mjaftueshme të mbrojë interesin publik.
Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi që paragrafët 2 dhe 4 të nenit 4 (Produktet Themelore), paragrafi 2 i nenit 5 (Masat e përkohshme mbrojtëse), paragrafët 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 9 të nenit 8 (Vendimmarrja) dhe paragrafi 2 i nenit 9 (Mbikëqyrja dhe Sanksionet) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], nenin 10 [Ekonomia] dhe paragrafin 5 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës.
(iii) nëse Ligji i kontestuar është në përputhshmëri me parimin e sigurisë juridike
Aktgjykimi sqaron që, Ligji i kontestuar përcakton që i njëjti hyn në fuqi me publikimin e tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Thënë këtë, rrethanat që rregullon i njëjti, përkatësisht ndërhyrjen e shtetit në ekonominë e lirë të tregut përmes masave të përkohshme mbrojtëse në rrethana të destabilizimit të tregut, i rregullojnë të paktën edhe dy ligje tjera të aplikueshme në Republikën e Kosovës, përkatësisht (i) Ligji nr. 03/L-244 për Rezervat Shtetërore të Mallrave; dhe (ii) Ligji nr. 2004/18 për Tregtinë e Brendshme ndërlidhur me Ligjin nr. 04/L-005 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 2004/18 për Tregtinë e Brendshme. Ligji i kontestuar nuk amendamenton dhe as nuk shfuqizon dispozitat relevante të asnjërit nga dy ligjet e lartcekura.
Sipas shtjellimeve të Aktgjykimit, në rrethana të tilla, (i) “në rast të çrregullimit të tregut”, përgjegjëse për të ndërhyrë në treg në mbrojtje të popullsisë dhe/ose konsumatorit, është Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes dy ligjeve të ndryshme, përkatësisht Ligjit për Rezervat Shtetërore dhe Ligjit të kontestuar, dhe të njëjtit nuk përcaktojnë qartësisht ndarjen e barrës në mes personit juridik/fizik, përkatësisht operatorit ekonomik dhe autoritetit publik, përkatësisht shtetit në raste të destabilizmit/çrregullimit të tregut, duke e lënë një përcaktim të tillë në diskrecionin e plotë të Ministrisë së lartcekur; për më tepër që (ii) Ligji për Tregtinë e Brendshme, gjithashtu përcakton masa të përkohshme mbrojtëse dhe sanksione për personat juridik/fizik/operatorët ekonomik në rrethana të destabilizimit/çrregullimit të tregut, dhe të cilat mbesin paralelisht të aplikueshme me masat e përkohshme mbrojtëse të përcaktuara përmes Ligjit të kontestuar.
Rrethanat në të cilat për qëllime të rregullimit të tregut në raste të destabilizimit/çrregullimit të tij, do të ishin të aplikueshme dy ligje të ndryshme, përkatësisht Ligji i kontestuar dhe dispozitat respektive të Ligjit për Tregtinë e Brendshme, të cilat përcaktojnë mundësinë e ndërhyrjes së shtetit në ekonominë e lirë të tregut, përmes mekanizmave, masave dhe sanksioneve paralele, nuk i shërbejnë parimit të sigurisë juridike dhe u pamundësojnë personave juridik/fizik, përkatësisht operatorëve ekonomik, që të rregullojnë sjelljen e tyre konform ligjit të aplikueshëm në kuadër të një ekonomie të tregut me konkurrencë të lirë, që është bazë e rregullimit ekonomik dhe vlerë e Republikës së Kosovës. Aktgjykimi vë theks në faktin që, një ndër parimet më esenciale të sundimit të ligjit si vlerë e Republikës së Kosovës, është parimi i sigurisë juridike dhe i njëjti, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, por edhe të Gjykatës, kërkon, në mes tjerash, që rregullat/ligjet e aplikueshme të jenë të qarta dhe të sakta dhe të synojnë të sigurojnë që situatat dhe marrëdhëniet juridike të mbeten të parashikueshme dhe që për këtë qëllim, normat ligjore duhet të formulohet me saktësi dhe qartësi të mjaftueshme. Autoritetet publike, gjatë hartimit të ligjeve duhet të marrin parasysh edhe këto parime bazë të sundimit të ligjit, si pjesë të rëndësishme të sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Rrjedhimisht, Gjykata gjithashtu konstatoi që neni 10 (Hyrja në fuqi) i Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me parimin e sigurisë juridike dhe sundimit të ligjit, të garantuara përmes paragrafit 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës dhe paragrafit 1 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës.
Në fund, Aktgjykimi sqaron që kërkesa e parashtruesve të kërkesës është parashtruar në Gjykatë bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës dhe se kjo kategori e kërkesave ka karakter suspenziv, përkatësisht ligji i tillë mund t’i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje vetëm pas vendimmarrjes së Gjykatës dhe në pajtim me modalitetet e përcaktuara në vendimin final të Gjykatës për rastin e kontestuar. Në kontekst të praktikës së saj gjyqësore, siç është shtjelluar edhe në Aktgjykim, Gjykata vlerëson që marrë parasysh natyrën e dispozitave të Ligjit të kontestuar të shpallura në kundërshtim me Kushtetutën dhe faktin që pjesa tjetër e Ligjit të kontestuar do të ishte vështirë e zbatueshme pas shpalljes së dispozitave të lartcekura si të pavlefshme, Ligji i kontestuar, në shërbim të parimit të sigurisë juridike, duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org